Papa: të përgatitemi për Krishtlindje duke dëshmuar mëshirën

R.SH. / Vatikan

“Dhembshuria dhe dashuria, mëshira dhe braktisja me besim” janë qëndrimet që Leoni XIV u propozon besimtarëve për t’u përgatitur për Krishtlindjen tashmë të afërt, duke i përkufizuar ato si “virtytet” që karakterizojnë Shën Jozefin, figurën e të cilit e ka shpjeguar në katekizmin e shkurtër që i parapriu lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Vatikanit.

“Janë qëndrime të rëndësishme – shpjegoi Papa Leoni XIV– që e edukojnë zemrën për takimin me Krishtin dhe me vëllezërit, dhe që mund të na ndihmojnë të jemi, për njëri-tjetrin, një grazhd mikpritës, një shtëpi e hapur, shenjë e pranisë së Hyjit. Në këtë kohë hiri, të mos humbasim asnjë rast për t’i praktikuar: duke falur, duke inkurajuar, duke u dhënë pak shpresë njerëzve me të cilët jetojmë dhe atyre që takojmë; dhe duke ripërtërirë në lutje braktisjen tonë bijësore te Zoti dhe te Provanija e Tij, duke ia besuar Atij gjithçka me besim”. Më pas, Ati i Shenjtë Prevost ia besoi ftesën e tij për mëshirë “Virgjërës Mari dhe Shën Jozefit, të cilët të parët, me fe dhe dashuri të madhe, e pritën Jezusin, Shpëtimtarin e botës”.

Papa: “Fëmijë, lutuni që të gjithë të mund të jetojnë në paqe”
Të rinjve që kishin ardhur në Sheshin e Vatikanit për bekimin e figurave të Foshnjës Jezus, Papa u tha: “Të dashur fëmijë, përpara grazhdit lutjuni Jezusit edhe për qëllimet e Papës; në veçanti, le të lutemi së bashku që të gjithë fëmijët e botës të mund të jetojnë në paqe”. Ky është apeli që Papa Leoni drejtoi gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit drejtuar shumë fëmijëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit për bekimin e Foshnjës Jezus që vihen në shpellat të Betlehemit në shtëpia e shkolla.

21 dhjetor 2025, 22:43