Papa: Selia e Shenjtë nuk do të heshtë përballë padrejtësisë dhe shkeljeve njerëzore
R.SH. – Vatikan
Leoni XIV është i qartë: "Selia e Shenjtë nuk do të heshtë përballë pabarazive të mëdha, padrejtësive dhe shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut në komunitetin tonë global gjithnjë e më të fragmentuar dhe të prirur ndaj konflikteve". Edhe një herë, Papa Prevost riafirmon dhe garanton rolin dhe angazhimin e diplomacisë së Vatikanit në skenarin aktual global. Ati i Shenjtë e bëri këtë në fjalimin e tij drejtuar trembëdhjetë ambasadorëve të rinj të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, të cilët i prezantuan të shtunën që kaloi, më 6 dhjetor,, Letrat Kredenciale. Është fjala për ambasadorët e Uzbekistanit, Moldavisë, Bahreinit, Sri Lankës, Pakistanit, Liberisë, Tajlandës, Lesotos, Afrikës së Jugut, Fixhit, Mikronezisë, Letonisë dhe Finlandës.
Përfaqësia e pesë kontinenteve
Leoni në audiencë me ambasadorët e vendeve të lartpërmendura, kujtoi kuptimin dhe qëllimin e diplomacisë së Selisë së Shenjtë: një diplomaci "e formuar nga vlerat e Ungjillit", vazhdimisht "e orientuar drejt shërbimit të së mirës së njerëzimit", veçanërisht duke "u bërë thirrje ndërgjegjeve dhe duke qëndruar të vëmendshëm ndaj zërave të atyre që janë të varfër, në situata të cenueshme ose të margjinalizuara nga shoqëria".
Një Paqe "të çarmatosur dhe çarmatosëse"
"Shpresë" dhe "paqe" janë dy fjalët kyçe që Papa Leoni XIV u bën thirrje diplomatëve. Shpresa në dritën e Jubileut kushtuar saj, është një ftesë që – thotë Ati i Shenjtë – i bën thirrje të gjithëve “të rizbulojnë besimin që na nevojitet, në Kishë dhe në shoqëri, në marrëdhëniet tona ndërpersonale, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në detyrën tonë për të promovuar dinjitetin e të gjithë njerëzve dhe respektin për dhuratën e krijimit të Zotit”.
Paqe, pra. Paqe “të çarmatosur dhe çarmatosëse”, një apel drejtuar botës që në paraqitjen e tij të parë publike nga Lozha e Bekimeve të Bazilikës së Shën Pjetrit, pas Konklavit. “Paqja nuk është thjesht mungesë e konfliktit, por një dhuratë aktive dhe kërkuese, e cila ndërtohet në dhe nga zemra”, pohon Leoni XIV. Paqja “i bën thirrje secilit prej nesh të heqë dorë nga krenaria dhe hakmarrja dhe t’i rezistojë tundimit për të përdorur fjalët si armë”. Dhe ky është një vizion që është bërë më “urgjent” se kurrë sot, pasi “tensioni dhe fragmentimi gjeopolitik vazhdojnë të përkeqësohen në mënyra që i ngarkojnë kombet dhe i tendosin lidhjet e familjes njerëzore”.
Një multilateralizëm i Ri
Në veçanti, të varfrit dhe të mënjanuarit janë ata që vuajnë më shumë nga këto trazira. Në këtë kuptim, Leoni XIV kujton thirrjen apostolike Dilexi Te për të theksuar edhe një herë se bota "nuk mund të përballojë të largohet nga ata që bëhen lehtësisht të padukshëm nga ndryshimet e shpejta ekonomike dhe teknologjike". Prandaj, Papa Leoni shpreson që misioni diplomatik, si dhe marrëdhëniet konstruktive midis Selisë së Shenjtë dhe kombeve të ndryshme, mund të ofrojnë "ndihmë konkrete" në trajtimin e këtyre "shqetësimeve të rënda". Dhe pse jo ato mund të kontribuojnë "në një frymë të ripërtërirë të angazhimit shumëpalësh" në një kohë kur është absolutisht e nevojshme, "për të rigjallëruar organet ndërkombëtare të krijuara për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis kombeve".
Mbështetja e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit
"Unë besoj se së bashku mund të nxjerrim në pah gjendjen e vështirë të atyre që janë në nevojë që shumë shpesh harrohen, dhe se angazhimi ynë i përbashkët do të frymëzojë bashkësinë ndërkombëtare për të hedhur themelet për një botë më të drejtë, vëllazërore dhe paqësore", ishin fjalët përmbyllëse të Papës. Ati i Shenjtë i siguroi trembëdhjetë ambasadorët e rinj pranë Vatikanit, në këto hapa të parë të misionit të tyre, " mbështetjen e Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë". Prandaj urimi i tij që: “Shërbimi juaj të ndihmojë në hapjen e dyerve të reja për dialog, në nxitjen e unitetit dhe në përparimin e asaj paqeje për të cilën familja njerëzore dëshiron me aq zjarr”.
