Kërko

Papa Leo XIV pret përfaqësues të Anci-t, Shoqatës Kombëtare të Bashkive Italiane Papa Leo XIV pret përfaqësues të Anci-t, Shoqatës Kombëtare të Bashkive Italiane

Papa: politika duhet ta nxisë paqen sociale. Jo bixhozit, shkatërron familjet

Leoni XIV priti përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të Bashkive Italiane (ANCI). Gjatë takimit, renditi sfidat e shumta me të cilat ndeshën qytetet sot, duke përfshirë krizën demografike, varfërinë dhe ndotjen, si dhe "format e vetmisë" që prekin shumë njerëz, duke përfshirë depresionin, varfërinë dhe braktisjen. Pastaj i nxiti të pranishmit të favorizojnë "një aleancë sociale për shpresë", duke u kërkuar kryetarëve të bashkive të bëhen "mjeshtra të përkushtimit për të mirën e përbashkët".

R.SH. - Vatikan

"Kriza demografike dhe vështirësitë e familjeve e të të rinjve", "vetmia e të moshuarve", "britma e heshtur e të varfërve", "ndotja e mjedisit", "konfliktet sociale". E akoma, "çrregullime mendore, depresione, varfëri kulturore dhe shpirtërore, braktisje sociale"; pastaj, bixhozi, "murtajë në rritje" - që "shkatërron shumë familje". Sfidat e përgjithshme dhe problemet personale i prekin sot qytetet italiane dhe banorët e tyre: Papa Leoni XIV i renditi dhe i denoncoi një nga një në audiencën e sotme, në Vatikan, me përfaqësues të ANCI-t, Shoqatës Kombëtare të Bashkive Italiane, aktive për më se njëqind vjet. Ai i nxiti "t'u kushtojnë vëmendje nevojave të familjeve dhe individëve, duke treguar kujdes të veçantë për më të prekshmit, për të mirën e të gjithëve" e, në veçanti, kryetarëve të bashkive, që të bëhen "mjeshtra të përkushtimit ndaj të mirës së përbashkët". 

"Plaga" e lojërave të fatit

Në një fjalim plot me citate - ndërmjet Papës Françesku, don Primo Mazzolarit e, natyrisht, "kryetarit shenjt të bashkisë" së Firences, Giorgio La Pira - Leoni XIV u përqendrua në "format e kufizimit, të dhunës e të vetmisë" që për fat të keq prekin kaq shumë bashki në këtë epokë. Në veçanti, tërhoqi vëmendjen te "plaga e lojës së bixhozit, e cila shkatërron shumë familje", duke cituar statistikat që tregojnë "rritje të ndjeshme" në Itali, në vitet e fundit, dhe raportin e fundit të Caritas Italiana mbi varfërinë e përjashtimin social, i cili thekson se kjo plagë është "problem serioz për arsimin, shëndetin mendor dhe besimin social".

Format e vetmisë

Njëherësh me bixhozin, Papa Leoni XIV kërkoi të mos harrohen të gjitha ato "forma" të tjera të vetmisë, nga të cilat vuajnë shumë njerëz, duke përfshirë depresionin, varfërinë dhe braktisjen. Të gjitha këto "shenja" - theksoi ai, tregojnë se sa shumë nevojë kemi për shpresë". Për ta dëshmuar në mënyrë efektive për këtë, politika është e thirrur të krijojë marrëdhënie të vërteta njerëzore ndërmjet qytetarëve, duke nxitur paqen sociale.

Përgjegjësia dhe shërbimi

Leoni XIV, duke kujtuar historinë biblike të vrasjes së Fëmijëve të pafajshëm, të urdhëruar nga Mbreti Herod si "manifestim i një fuqie çnjerëzore, e cila nuk e njeh bukurinë e dashurisë, sepse injoron dinjitetin e jetës së njeriut", përqendrohet në misterin e Krishtlindjes, me lindjen e Zotit që "zbulon aspektin më autentik të çdo fuqie që është, para së gjithash, përgjegjësia dhe shërbimi". Që çdo autoritet të shprehë këto karakteristika, është e nevojshme të mishërojë virtytet e përvujtërisë, të ndershmërisë dhe të ndarjes. Veçanërisht në angazhimin publik, vijoi t’u kujtojë Papa anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Bashkive Italiane (ANCI), është e nevojshme të jesh i vetëdijshëm për të kuptuar "sa i rëndësishëm është dëgjimi, si dinamikë shoqërore që aktivizon këto virtyte". Ndërsa kërkon përgjigje, e di mirë se qytetet tona nuk janë vende anonime, por fytyra dhe histori që duhen ruajtur si thesare të çmuara... Në këtë punë, dikush bëhet kryetar bashkie ditë pas dite, duke u rritur si  administrator i drejtë dhe i besueshëm.

Shembulli i La Pira-s

Në këtë kuptim, Papa Leoni tregon shembullin e të nderuarit La Pira i cili, në një fjalim para Këshilltarëve të Qytetit të Firences, deklaroi: "Nëse  dikush vuan, unë kam një detyrë të saktë: të ndërhyj në çdo mënyrë, me të gjitha masat që sugjeron dashuria e parashikon ligji, në mënyrë që ajo vuajtje të zvogëlohet ose të lehtësohet..." "Kohezioni shoqëror dhe harmonia qytetare kërkojnë, para së gjithash, dëgjimin e më të vegjëlve dhe më të varfërve", këmbëngul Papa. "Pa këtë angazhim", vijon këtë herë duke cituar Papën Françesku, "demokracia atrofizohet, bëhet nominalizëm,  formalitet, humbet përfaqësimin dhe shndërrohet, sepse lë jashtë njerëzit në luftën e përditshme për dinjitet, në ndërtimin e fatit të tyre".

Si përballë vështirësive, ashtu edhe mundësive për zhvillim, ju nxis të bëheni mjeshtra të përkushtimit ndaj të mirës së përbashkët, duke nxitur   aleancën shoqërore për shpresë.

Projektimi i një ardhmërie më të mirë për qytetet

Leoni XIV i bëri jehonë fjalëve të Françeskut në "Spes non confundit Shpresa që nuk zhgënjen”,- Bulën që shpalli Vitin Jubilar, ku Papa argjentinas shkroi se "të gjithë duhet të rizbulojnë gëzimin e të jetuarit", sepse qeniet njerëzore "nuk mund të jenë të kënaqura me mbijetesën ose thjesht, t’i dalin mbanë, duke u përshtatur me të tashmen, e duke i lejuar vetes të kënaqen vetëm nga realitetet materiale". Kjo "të mbyll në individualizëm dhe të gërryen shpresën, duke krijuar trishtimin, që na ngulitet në zemër, e duke na bërë të hidhur dhe intolerantë" – pohoi Papa Leoni XIV, duke i dhënë vrull të ri thirrjeve të Don Primo Mazzolari-t i cili, si "prift i vëmendshëm ndaj jetës së popullit të tij", nënvizonte se "vendi ka nevojë jo vetëm për kanalizime, shtëpi, rrugë, ujësjellës, trotuare", por dëshiron edhe "mënyrën për të ndjerë, për të jetuar, mënyrën për të parë njëri-tjetrin, mënyrën për t’u vëllazëruar".

Aktiviteti administrativ gjen kështu realizimin e tij të plotë, sepse i rrit talentet e njerëzve, duke u dhënë thellësi kulturore e shpirtërore qyteteve.

Mandati i Papës Leoni XIV për Shoqatën Kombëtare të Bashkive Italiane është, pra, i qartë: "guxim për t'u ofruar shpresë njerëzve, duke planifikuar së bashku të ardhmen më të mirë për tokat tuaja, në logjikën e përparimit të plotë njerëzor".

29 dhjetor 2025, 12:42