Papa: "Po"-ja e Marisë u përtëriftë çdo ditë në liri dhe me vepra dashurie
R.SH. – Vatikan
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar në Solemnitetin te Zojës së Papërlyer, Papa Leoni XIV kujtoi se Zoti bën dhurata të mëdha, por edhe se njeriu është i lirë t'i pranojë ose t'i refuzojë. Maria na fton të besojmë ashtu siç besoi ajo, me pëlqimin bujar, për të cilin na thërret Zoti.
Papa: "Po"-ja e Marisë u përtëriftë çdo ditë, në liri e me vepra dashurie
Një "po" e lirë, një dhuratë "e madhe" e falur nga Zoti dhe e pranuar përvujtërisht falë "një zemre krejtësisht të pastër". Këtë tha Maria, gjë që Papa e kujtoi në katekizmin e sotëm, 8 dhjetor, Solemniteti i Zojës së Papërlyer. Ashtu si Virgjëra Mari në ngjizjen e saj, vazhdoi Leoni XIV, mrekullia mund të na ndodhë edhe ne në Pagëzim sepse "të larë nga mëkati fillestar" u bëmë bij të Zotit.
"Po"-ja e Nënës së Zotit është e mrekullueshme, por mund të jetë edhe jona, e përtëritur besnikërisht çdo ditë, me mirënjohje, përvujtëri e qëndresë, në lutje dhe në vepra konkrete dashurie, nga gjestet më të jashtëzakonshme - deri te angazhimet dhe shërbimet më të zakonshme e më të përditshme, në mënyrë që Jezusi të njihet, të mirëpritet dhe të duhet kudo, e të gjithëve t’i arrijë shpëtimi i Tij.
Një "po" që në këtë mënyrë bëhet konkrete, shprehje e dashurisë së Zotit, përmes së cilës të gjithë mund të arrijnë tek Ai.
Mrekullia edhe më e madhe
Në Solemnitetin e sotëm, Papa kujtoi Ineffabilis Deus, Kushtetutën Apostolike të Piut IX të 8 dhjetorit 1854, dhe shprehu gëzimin e tij "sepse Ati në Qiell" e deshi Marinë "plotësisht të paprekur nga njolla e mëkatit fillestar, përplot me pafajësi e shenjtëri, në mënyrë që të mund të besohej, për shpëtimin tonë".
Zoti i dha Marisë hirin e jashtëzakonshëm të një zemre plotësisht të pastër, në përgatitje për një mrekulli edhe më të madhe: ardhjen në botë, si njeri, të Krishtit Shëlbues.
Të besosh, si Maria
Një po thënë engjëllit me përvujtëri e, mbi të gjitha, në liri. "Dhurata e përsosurisë dhe e hirit, në bijën e Nazaretit, mundi të jepte fryt sepse ajo, në lirinë e saj, e pranoi duke e përqafuar planin e Zotit". "Zoti - shtoi Papa - vepron gjithnjë kështu: na bën dhurata të mëdha, por na lë të lirë t'i pranojmë, ose jo".
Kështu, kjo festë, që na bën të gëzohemi në bukurinë e panjollë të Nënës së Zotit, na fton edhe të besojmë ashtu siç besoi ajo, duke dhënë pëlqimin tonë bujar për misionin në të cilin Zoti na thërret.
Pagëzimi
"Mrekullia që ndodhi për Marinë në ngjizjen e saj" - theksoi Papa Leoni, "ripërtërihet për ne në Pagëzim: të larë nga mëkati i zanafillës, u bëmë bij të Zotit, vendbanimi i tij, e tempulli i Shpirtit të tij". Prandaj, ashtu si Maria, mundi ta mirëpriste Jezusin, e edhe ne, thekson, në Pagëzim jetojmë të bashkuar me Krishtin "për të bashkëpunuar në Kishë, secili sipas gjendjes së tij ose të saj, për shndërrimin e botës". Dhe është lutja, përfundoi Ipeshkvi i Romës, që duhet t’ia kërkojmë Atit, me ndërmjetësimin e Zojës së Papërlyer.