Papa: "për Krishtlindje shmangni blerjet e tepërta, ftoni të varfrit ose njerëzit e vetmuar"
R.SH. / Vatikan
Numri i ri i revistës Piazza San Pietro, drejtuar nga françeskani Atë Enzo Fortunato, i kushtohet Krishtlindjes si kohë dëgjimi, pritjeje dhe kujdesi. Një edicion special, i kushtuar Natës së Shenjtë të Lindjes së Jezusit nëpër botë, Krishtlindjes mes dhurimit dhe konsumit, pa harruar kurrë të varfrit dhe temën e Paqes me titullin "Zoti nuk dëshiron luftë dhe dhunë".
Numri i përmuajshëm i revistës "Piazza San Pietro" hapet me letrën drejtuar Papa Leonit XIV nga Antonio, një psikolog 40-vjeçar nga Pagani, në provincën e Salernos,Itali, dhe me përgjigjen e Papës në Krishtlindjen e tij të parë në Selinë e Pjetrit. Antonio rrëfen një jetë të kaluar pranë më të brishtëve, i frymëzuar nga Shën Alfons Maria de’ Liguori dhe Shën Françesku i Asizit. Ai bahskëndan me Papën angazhimin e tij të përditshëm pranë të rinjve dhe familjeve, mes "turbullimeve, frikërave dhe një kërkimi hiperbolik për njohje" që shpesh fshehë pasigurinë dhe vetminë. Ai vëzhgon një kohë kur "gabimi është një krim dhe dështimi është një humbje totale", por edhe një rini të etur për Zotin, të cilët kanë "nevojë për ata që besojnë, e kanë nevojë për shpresë edhe ata që nuk besojnë". Nga këtu vjen kërkesa e tij drejtuar Papës për një fjalë që mund të "përshkojë zemrën" e shumë të rinjve për të cilët ai kujdeset.
Përgjigja e Papës
Në përgjigjen e tij, Papa Leoni XIV trajton tri tema qendrore të Krishtlindjes. Së pari, Ati i Shenjtë Prevost thekson rëndësinë e dëshmisë së krishterë si rrugë për t'i bërë të rinjtë ta takojnë Krishtin: një dëshmi e thjeshtë, autentike, e pjekur në lutje, në jetën bashkëshortore dhe në vetëdijen e të qenit "vazhdimisht të dashur nga Zoti".
Leoni XIV më pas fton ta jetojmë Krishtlindjen si kohë maturie dhe dashurie konkrete: "Shmangni blerjet e tepërta", shkruan Leoni XIV, që i shndërrojnë dhuratat në objekte dëshire në vend të shenjave të bukurisë dhe shpresës. Dhe propozon një gjest të aftë për t'i dhënë kuptim festës: "Ftoni për darkën e natës së Krishtlindjes një familje të varfër ose qoftë edhe vetëm një person të vetmuar". Për Papën, varfëria – materiale dhe ekzistenciale – mbetet "një urgjencë që nuk mund të shtyhet", siç theksohet edhe në Nxitjen Apostolike Dilexi te.
Shembulli i Newman
Së fundi, Leoni XIV u tregon të rinjve dritën e shembullit të Shën John Henry Newman, i shpallur kohëve të fundit Doktor i Kishës. Një mësues i dialogut dhe i edukimit që, pohon Papa, mund të ndihmojë në luftimin e "errësirës së nihilizmit" dhe në ndërtimin e një "qytetërimi të vërtetë të paqes". Papa e përfundon përgjigjen duke siguruar lutjen e tij për Antonion, duke e inkurajuar që të mos dekurajohet në misionin e tij pranë të rinjve, dhe u drejton urimet e Gëzuar Krishtlindjen të gjithë lexuesve të revistës Piazza San Pietro.
Kopertina e numrit të dhjetorit të revistës Piazza San Pietro i kushtohet fëmijëve dhe mendimit të Papa Leonit XIV për më të vegjlit me njoftimin, më 19 nëntor të kaluar, e Ditës së Dytë Botërore të Fëmijëve, e programuar në Romë nga 25 deri më 27 shtator 2026.
