Kërko

Papa Leo XIV në një audiencë me zyrtarë dhe drejtorë të Inteligjencës Italiane Papa Leo XIV në një audiencë me zyrtarë dhe drejtorë të Inteligjencës Italiane

Papa Inteligjencës Italiane: jo informacioneve të rezervuara, përdorur për shantazh ose diskreditim

Leoni XIV priti drejtues dhe zyrtarë të Sistemit të informacionit për Sigurinë e Republikës Italiane e u shprehu mirënjohjen për punën e tyre, e cila "kërkon kompetencë, transparencë e rezervim", e këshillon "respekt për dinjitetin e njeriut dhe etikën e komunikimit". Papa kujton edhe ata "që humbën jetën në misione delikate". E më pas, edhe një denoncim: "Në disa vende, Kisha është viktimë e shërbimeve, që ia shtypin lirinë".

R.SH. / Vatikan

Nga njëra anë, "vlerësimi" për punën me "angazhim" të madh dhe "përgjegjësi të madhe" që "kërkon kompetencë, transparencë dhe rezervim" për të parandaluar kërcënimet e mbrojtjes së paqes dhe të jetës së kombit. Nga ana tjetër,  rekomandimi për të shmangur parandalimin e përdorimit të "informacionit konfidencial" "për të frikësuar, për të manipuluar, për të shantazhuar ose për t’i diskredituar" figurat publike. Problem ky, që po vërehet në disa vende, e edhe në Kishë, ku "viktima të shërbimeve të inteligjencës që veprojnë për qëllime jo të mira, duke shtypur lirinë e saj". Fjalë domethënëse, këto të Papës Leoni XIV, drejtuar  edhe zyrtarëve të Sistemit të Inteligjencës për Sigurinë e Republikës, pritur në audiencë  sot, në Vatikan. Rasti, 100-vjetori i themelimit (ishte viti 1925 me Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake) të aktivitetit të inteligjencës në Itali. Një "sistem i koordinuar dhe efektiv, për mbrojtjen e sigurisë së Shtetit", i cili gjatë këtij shekulli - vërejti Papa - pati shumë ndryshime: në aftësitë dhe mjetet që u rafinuan, në përgjigje të sfidave, që u rritën dhe u zhvilluan gjithnjë e më shumë.

Një punë kërkuese

Në fjalimin e tij - mbajtur tërësisht në italisht - drejtuar anëtarëve të "Shërbimeve",  udhëhequr nga Alfredo Mantovano, Nënsekretar i Shtetit në Presidencën e Këshillit të Ministrave dhe Autoritet i Deleguar për Sigurinë e Republikës, së bashku me Francesco Di Nitto, Ambasador italian në Selinë e Shenjtë, Papa Leoni XIV vlerësoi punën që e kryejnë gjithnjë "me profesionalitet".

Një punë e rëndësishme e cila, për shkak të konfidencialitetit të saj, shpesh rrezikon të shfrytëzohet, por që është me rëndësi të madhe për zbulimin e hershëm të skenarëve të mundshëm, që kërcënojnë jetën e shoqërisë.

Shikim etik

Në të njëjtën kohë, Papa këshilloi "një perspektivë etike, që ka parasysh të paktën dy aspekte themelore: respektin për dinjitetin e njeriut, dhe etikën e komunikimit". Respekti për dinjitetin njerëzor është  "kërkesë etike", që nuk mund të harrohet kurrë as nuk mund të neglizhohet kurrë, pohoi Papa. As në ato rrethana të vështira në të cilat "ndjekja e së mirës së përbashkët duket më e nevojshme se gjithçka tjetër". Sigurisht, "nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh ekuilibër", pranoi Papa, duke cituar Komisionin Evropian për Demokraci përmes Ligjit, sipas të cilit "agjencitë e sigurisë shpesh duhet të mbledhin informacione mbi individët dhe, për këtë arsye, kanë një ndikim të fortë edhe në të drejtat individuale". "Prandaj është e nevojshme", thekson Papa Leoni, "të vendosësh kufij, bazuar në dinjitetin e personit, dhe të qëndrosh vigjilent ndaj tundimeve, për të cilat të ekspozon një punë si jotja".

Sigurohuni që veprimet tuaja të jenë gjithmonë në përpjesëtim me të mirën e përbashkët që duhet ndjekur dhe që mbrojtja e sigurisë kombëtare të garantojë gjithmonë të drejtat e individëve, jetën e tyre private dhe familjare, lirinë e ndërgjegjes dhe informacionit, si dhe ligjin për një gjykim të drejtë.

Ligjet e buxhetet

Në këtë kuptim, për Papën, "duhet që aktivitetet e Shërbimeve të jenë të disiplinuara  me ligje, të shpallura dhe të publikuara siç duhet, që të mund t'i nënshtrohen kontrollit dhe mbikëqyrjes së gjykatës, e që buxhetet t'u nënshtrohen kontrolleve publike dhe transparente".

Vigjilencë në përdorimin e informacioneve të rezervuara

Duke vërejtur ndryshimet e rëndësishme në botën e komunikimeve, me një "revolucion dixhital" bërë pjesë integrale e jetës dhe marrëdhënieve, dhe me teknologjitë e reja "gjithnjë e më të përparuara" që ofrojnë aq shumë mundësi, sa edhe "rreziqe të vazhdueshme", Papa Leoni XIV bëri thirrje për vigjilencë të mëtejshme në lidhje me këtë "shkëmbim masiv dhe të vazhdueshëm informacioni". Vigjilencë për të dalluar ndërmjet së vërtetës e fake news-rrenave:

Duhet vigjilencë e rreptë për të siguruar që informacioni i klasifikuar të mos përdoret për të frikësuar, për të manipuluar, për të shantazhuar ose për të diskredituar shërbimet e politikanëve, gazetarëve ose aktorëve të tjerë të shoqërisë civile. Kjo vlen edhe për sferën kishtare. Në të vërtetë, në disa vende, Kisha është viktimë e shërbimeve të inteligjencës që veprojnë për qëllime të liga, duke ia shtypur lirinë.

Kujtimi i atyre, që humbën jetën në misione të vështira

"Këto rreziqe, që duhet të vlerësohen gjithmonë, kërkojnë një vlerësim të lartë moral tek ata që përgatiten të kryejnë një punë si juaja dhe tek ata që e bëjnë për një kohë të gjatë", kujtoi Papa. E në vijim theksoi se është "i vetëdijshëm" për rolin dhe përgjegjësinë delikate të Shërbimit të Inteligjencës. E, në këtë drejtim, kujton të gjithë ata kolegë që humbën jetën në misione të ndjeshme, të kryera në rrethana të vështira: "Përkushtimi i tyre ndoshta nuk kufizohet vetëm në titujt kryesorë të gazetave, por është i gjallë tek njerëzit që ndihmuan dhe në krizat kontribuan për t’i zgjidhur".

Mirënjohje për bashkëpunim me Selinë e Shenjtë

Prej këndej, mirënjohja e Papës për përpjekjet e Shërbimeve Italiane të Inteligjencës, duke përfshirë sigurimin e Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. E,  duke folur lirisht fjalë mirënjohjeje për bashkëpunimin "me Xhandarmërinë, me Vatikanin dhe Selinë e Shenjtë" në kaq shumë shërbime: "Vërtet, kjo aftësi dhe mundësi për t'u shërbyer të tjerëve bëhet realitet, falë bashkëpunimit të mirë me ju".

Në përfundim të fjalimit të tij, Papa inkurajoi “ta kemi gjithnjë në mendje të mirën e përbashkët”, “të mësojmë për ta vlerësuar me gjykim dhe të balancojmë situatat e ndryshme” me të cilat ballafaqohemi e “të qëndrojmë të ankoruar fort në ato parime ligjore dhe etike, që e vënë dinjitetin e njeriut mbi gjithçka tjetër”.

13 dhjetor 2025, 06:23