Papa: nevojitet një Kurie romake më misionare, të tregojë bashkimin në një botë të ndarë
R.SH. / Vatikan
Misioni dhe bashkimi. Misioni, që puna e Kuries Romake të jetë gjithnjë e më e prirur “përjashta”, në shërbim të Kishave të veçanta, me "institucione, zyra dhe detyra" të hartuara për t'iu përgjigjur "sfidave të mëdha kishtare, baritore dhe sociale të sotme, dhe jo vetëm për të siguruar administrimin e zakonshëm". Bashkimi, duke shmangur "ngurtësinë" ose "ideologjitë" në tematika të tilla si feja, liturgjia dhe morali, e duke kultivuar marrëdhënie autentike, duke hequr dorë nga "maskat dhe dredhitë", e duke mos i përdorur, as duke i anashkaluar, njerëzit, e duke u bërë kështu shenjë "profetike" e paqes në këtë botë plot me përçarje dhe "agresion", që shpesh nxitet nga interneti dhe politika. Leoni XIV e takoi gjithë Kurien Romake për herë të parë në përshëndetjet e Krishtlindjes, audiencë që i paraprin festave të Krishtlindjes e traditë e ruajtur nga të gjithë Papët e fundit.
Kujtimi i Papës Françesku
Duartrokitjet e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë shoqëruan hyrjen e Papës në Sallën e Bekimeve, vend simbolik, që lidh Pallatin Apostolik me botën, me pamje nga Lozha e Bekimeve. I paraprirë nga një përshëndetje e Kardinalit Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit të Kardinalëve, e pastaj Papa Leoni XIV e nisi fjalimin e tij duke kujtuar "paraardhësin e tij të dashur, Papën Françesku". Me "zërin e tij profetik, stilin e tij baritor dhe mësimdhënien e pasur", në vitet e fundit Françesku skicoi rrugën e Kishës, "duke na inkurajuar, mbi të gjitha, ta vendosim përsëri në qendër mëshirën e Zotit, t'i japim një shtysë më të madhe ungjillëzimit, të jemi Kishë e gëzueshme dhe e gëzuar, mikpritëse për të gjithë, e vëmendshme ndaj më të varfërve".
Nga Jorge Mario Bergoglio, ose më mirë, nga nxitja apostolike Evangelii Gaudium, Papa Leoni mori shtytjen për t'i kujtuar Kuries Romake dy aspekte themelore të jetës së Kishës: misionin dhe bashkimin.
Kishë "në gjendje misioni"
"Kisha është nga natyra e saj ekstroverte, e orientuar drejt botës, misionare"- pohoi Papa. Kishë, në "gjendje misioni", siç është e qartë nga fakti se "vetë Zoti u nis për herë të parë drejt nesh dhe, në Krishtin, erdhi të na kërkonte".
"Dalja” e parë e madhe, pra, është ajo e Zotit, i cili del nga vetvetja, për të na takuar. Misteri i Krishtlindjes shpall pikërisht këtë: misioni i Birit është ardhja e tij në botë.
Ky mision bëhet "kriter dallimi e shqyrtimi" për udhëtimin e fesë, për praktikat kishtare, si dhe për shërbimin në Kurien Romake, theksoi Leoni XIV: "Strukturat nuk duhet ta rëndojnë ose ta ngadalësojnë përhapjen e Ungjillit, as të pengojnë dinamizmin e ungjillëzimit; përkundrazi, ne duhet të sigurohemi që të gjitha të bëhen më misionare". Prandaj kjo frymë duhet ta gjallërojë punën e Kuries Romake, që synon "ta nxisë kujdesin baritor në shërbim të Kishave të veçanta dhe të barinjve të tyre".
Kemi nevojë për një Kurie Romake gjithnjë e më misionare, ku institucionet, zyrat dhe detyrat të hartohen duke pasur parasysh sfidat e mëdha të sotme: kishtare, baritore dhe shoqërore, dhe jo thjesht për të siguruar administrimin e zakonshëm.
Fantazmat e përçarjes
E misioni i Kishës është i lidhur ngushtë me bashkimin, theksoi Papa. Bashkësi e bazuar "në dashurinë e anasjelltë dhe solidaritetin reciprok" - "detyrë më urgjente se asnjëherë, si brenda - ashtu edhe jashtë Kishës" - theksoi Leoni XIV. Brenda, sepse "bashkësia në Kishë mbetet gjithmonë sfidë, që na thërret për kthim”.
Nganjëherë, pas një qetësie të dukshme, fshihen fantazmat e përçarjes. E këto na tundojnë të lëkundemi ndërmjet dy ekstremeve të kundërta: të standardizojmë gjithçka pa vlerësuar dallimet, ose, anasjelltas, të ekzagjerojmë dallimet dhe pikëpamjet, në vend që të kërkojmë bashkimin.
Një gjë e vetme, pavarësisht dallimeve
"Kështu, në marrëdhëniet ndërpersonale, në dinamikën e brendshme të detyrave dhe roleve, ose në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me fenë, liturgjinë, moralin e më shumë akoma, ne rrezikojmë të biem viktimë e ngurtësisë ose e ideologjisë, me konfliktet që rezultojnë", paralajmëroi Papa. Megjithatë, "ne jemi vëllezër dhe motra" e, "pavarësisht se jemi shumë dhe të ndryshëm, ne jemi një: 'In Illo uno unum'", thekson Leoni XIV, duke cituar moton e zgjedhur për papninë e tij. Ftesa drejtuar Kuries Romake është, pra, ta ndërtojë këtë bashkim, që merr formë "në një Kishë sinodale, ku të gjithë bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë për të njëjtën mision, secili sipas karizmës dhe rolit të vet". "Më shumë sesa me fjalë dhe dokumente", kjo arrihet "përmes gjesteve dhe qëndrimeve konkrete" që duhet të manifestohen në jetën e përditshme dhe në vendin e punës".
Papa pastaj citon letrën e Shën Augustinit drejtuar Probës, në të cilën Ipeshkvi i Ipponës shpreh hidhërimin lidhur me një çështje tejet të rëndësishme: “A duhet t'u besojmë - apo jo - të tjerëve”. Ky hidhërim ndonjëherë na prek edhe ne, ndoshta pas shumë vitesh të kaluara duke i shërbyer Kuries Romake, kur vërejmë, të zhgënjyer, se dinamika të caktuara të lidhura me ushtrimin e pushtetit, mania për prestigj dhe ndjekja e interesave të veta, ndryshojnë dalngadalë. E na bëjnë edhe ne ta pyesim veten: a është e mundur të jemi miq në Kurien Romake? Të kemi marrëdhënie vëllazërie miqësore?
Të jesh shenjë profetike paqeje
"Në lodhjen e përditshme, është gjë e bukur kur gjejmë miq, të cilëve mund t'u besojmë, kur maskat dhe dredhitë bien, kur njerëzit nuk përdoren dhe nuk përfillen, kur ndihmojmë njëri-tjetrin, kur secilit person i njihet vlera dhe kompetenca, duke shmangur, kështu, pakënaqësitë e ankimet", vëren Papa Leoni XIV. Prandaj, është "një kthesë personale" që ai ua kërkon anëtarëve të Kuries Romake të ndjekin, në mënyrë që të jetë edhe një shenjë jashtë botës, "në një botë të plagosur nga mosmarrëveshjet, dhuna dhe konflikti, në të cilën ne dëshmojmë rritje të agresionit dhe të zemërimit, shpesh të shfrytëzuar nga bota". "Lindja e Zotit sjell me vete dhuratën e paqes dhe na fton të bëhemi shenja e saj profetike në një kontekst njerëzor dhe kulturor, që është shumë i fragmentuar”.
Mos u kujdes për kopshtin tënd
Puna e Kuries Romake dhe ajo e Kishës në përgjithësi duhet të konsiderohet gjithashtu brenda këtij horizonti më të gjerë, pohon Papa Leoni: "Ne nuk jemi kopshtarë të vegjël që synojnë të kujdesen për kopshtin e vet, por dishepuj dhe dëshmitarë të Mbretërisë së Zotit, të thirrur për të qenë, në Krishtin, tharm i vëllazërisë universale, ndërmjet popujve të ndryshëm, feve të ndryshme, grave dhe burrave të çdo gjuhe dhe çdo kulture".
"Të jetojmë si vëllezër e le të shkëlqejë drita e bashkimit në botë", vazhdoi Papa.
Nikea dhe Koncili
Duke përfunduar fjalën e tij, Papa Leoni XIV përmendi Jubileun që tani po i afrohet përfundimit. Një Vit i Shenjtë, kushtuar temës së shpresës, gjatë të cilit u kremtuan dy ngjarje të rëndësishme: "Koncili i Nikesë, i cili na kthen në rrënjët e besojmës sonë, dhe Koncili II i Vatikanit, i cili, duke i ngulur sytë e tij mbi Krishtin, e konsolidoi Kishën dhe e udhëhoqi atë drejt botës, duke dëgjuar gëzimet dhe shpresat, hidhërimet dhe ankthet e njerëzve të sotëm”. Këtyre kujtimeve, Leoni XIV i shtoi edhe kujtimin e Evangelii Nuntiandi, nxitjes apostolike të Palit VI, shpallur pesëdhjetë vjet më parë në festën e Zojës së Papërlyer. Dokumenti mëson se “dëshmia e një jete vërtetësisht të krishterë, e lënë nga Zoti në një bashkësi që asgjë nuk duhet ta ndërpresë, por që u jepet në mënyrë të barabartë të tjerëve me zell të pakufishëm, është mjeti kryesor i ungjillëzimit”.
“Le ta kujtojmë këtë edhe në shërbimin tonë kurial” - përfundoi Papa: “dëshmia e një jete të krishterë, e shprehur në bashkësi, është shërbimi i parë dhe më i madh që mund të ofrojmë”.
Zoti na e sjellë dritën e tij dhe i dhuroftë botës paqe!
Libri i Fratit Lorenzo si dhuratë
Si është traditë, Papa, në fund të takimit me anëtarët e Kuries Romake, u dhuroi të gjithëve nga një libër. Ishte "Praktika e pranisë së Zotit", vëllimi i Fratit karmelitan Lorenzo i Ringjalljes, botuar kohët e fundit nga Libreria Editrice Vaticana të cilin, të cilin gjatë fluturimit të kthimit nga Bejruti, Papa e pati përmendë si mjet për kuptimin më të thellë të "përshpirtërisë” së tij.
