Kërko

Homazhe lulesh për viktimat e atentatit në Bondi Beach Homazhe lulesh për viktimat e atentatit në Bondi Beach

Papa në një telefonatë me Presidentin Izraelit dënon antisemitizmin

Leoni XIV ka marrë një telefonatë nga presidenti izraelit në prag të Krishtlindjes dhe festës hebraike të Hanukkah-s. Në dritën e atentatit të së dielës së kaluar në Bondi Beach, Papa dënoi edhe një herë çdo dhunë antisemite dhe uroi që “të këmbëngulet në proceset e paqes” në rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe të vijojnë e të intensifikohen përpjekjet për ndihma humanitare.

R.SH. – Vatikan

Dënimin e çdo forme të antisemitizmit – atë të shprehur tashmë menjëherë pas atentatit që ndodhi në Sidnej kundër komunitetit hebraik – Papa Leoni e rikonfirmoi edhe në një telefonatë, sot, me presidentin izraelit Isaac Herzog. Papa i përsëriti presidentit thirrjen që “të këmbëngulet në proceset e paqes në vijim” në rajonin e Lindjes së Mesme dhe të intensifikohen përpjekjet humanitare, duke pasur parasysh edhe situatën në Gaza ku, pas luftës, tani janë uria, i ftohti dhe moti i keq që po shkaktojnë vdekje.

Atentati në Sidnej

Një komunikatë e Selisë së Shenjtë njofton se Papa “ka marrë një telefonatë” nga udhëheqësi izraelit, “me rastin e festave të ardhshme të Krishtlindjes dhe festës hebraike të Hanukkah-s”. E pikërisht të dielën e kaluar më 14 dhjetor komuniteti hebraik i Sidnejit po kremtonte “Festën e Dritave” (Hanukkah) në plazhin e njohur Bondi Beach, kur dy burra të armatosur, babë e bir (njëri prej të cilëve u vra nga forcat e rendit), filluan të qëllojnë mbi turmën duke vrarë pesëmbëdhjetë persona, mes tyre një vajzë 10-vjeçare, dhe duke plagosur 40 të tjerë. Prej tyre, rreth njëzet janë lëshuar tashmë nga spitali.

“Në dritën e atentatit të fundit terrorist në Sidnej”, lexohet në njoftimin e Vatikanit, Papa Leoni XIV “ka rikonfirmuar dënimin e prerë të Kishës Katolike ndaj çdo forme të antisemitizmit, i cili në mbarë botën vazhdon të mbjellë frikë në komunitetet hebraike dhe në mbarë shoqërinë”. Papa pati shprehur që më parë afërsinë e tij me komunitetin hebraik dhe dhimbjen për viktimat dhe të plagosurit, gjatë audiencës së të hënës së kalur me donatorët e Shpellës së Betlehemit dhe të Pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Në të njëjtin fjalim, Ati i Shenjtë pati bërë edhe një thirrje: “Mjaft me këto forma të dhunës antisemite! Duhet ta çrrënjosim urrejtjen nga zemrat tona”. Më pas, në një telegram drejtuar kryeipeshkvit australian imzot Anthony Fisher, publikuar në të njëjtën ditë me audiencën, Papa Leoni dënoi këtë “akt të pakuptimtë dhune” dhe kërkoi që ata që “tundohen nga dhuna të konvertohen dhe të kërkojnë rrugën e paqes dhe të solidaritetit”.

Këmbëngulja në procesin e paqes

Një tjetër thirrje nga ana e Papës u bë gjatë telefonatës së sotme me presidentin e Izraelit: që “të këmbëngulet në proceset e paqes në vijim në rajonin e Lindjes së Mesme, duke u ndalur edhe në urgjencën e intensifikimit dhe vijimit të përpjekjeve në fushën e ndihmës humanitare”. Sipas asaj që raportohet nga OBSH dhe agjenci të ndryshme në vend, në Rripin e Gazës është në vijim një emergjencë me vdekje të shumta dhe dhjetëra të plagosur që po hasin vështirësi ekstreme për t'u trajtuar në spitalet e zonës, shumë prej të cilëve janë të mbingarkuar.

Audienca e 4 shtatorit

Midis Papa Leonit dhe Isaac Herzog ky është kontakti i dytë i drejtpërdrejtë pas audiencës mbajtur në Pallatin Apostolik në Vatikan më 4 shtator 2025. Një bisedë private e cila u pasua nga ajo në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, gjatë së cilës u “trajtua situata politike dhe sociale e Lindjes së Mesme”, me “vëmendje të veçantë” ndaj situatës tragjike në Gaza dhe “një referencë për atë që po ndodh në Bregun Perëndimor si dhe për çështjen e rëndësishme të Qytetit të Jerusalemit”.

 

17 dhjetor 2025, 16:54