Kërko

Leoni XIV me fëmijët e Shkollës Papnore Pali VI në Castel Gandolfo Leoni XIV me fëmijët e Shkollës Papnore Pali VI në Castel Gandolfo

Papa: Krishtlindja, ftesë për të shpallur paqen dhe unitetin

Leoni XIV mori pjesë këtë pasdite, më 16 dhjetor, në koncertin e Krishtlindjes të nxënësve të kompleksit shkollor që mban emrin e Palit VI, në Castel Gandolfo, dhe në përfundim, iu drejtua me një përshëndetje spontane të gjithë pjesëmarrësve. “Zoti ka dashur të na komunikojë ne të gjithëve dhuratën e dashurisë: kjo është Krishtlindja”, tha Ati i Shenjtë, duke nxitur që prania e Zotit të shihet mbi të gjitha te më të vegjlit

R. SH.–Vatikan

Një mysafir i veçantë. Në edicionin e njëmbëdhjetë të koncertit të Krishtlindjes “InCanto” të nxënësve të Shkollës Papnore Pali VI në Castel Gandolfo, këtë pasdite, më 16 dhjetor, mes spektatorëve ishte Leoni XIV. Ati i Shenjtë Prevost vizitoi kompleksin shkollor pasi u largua nga rezidenca papnore, në të njëjtin qytet – ku shkon pothuajse çdo javë të hënën për të qëndruar deri të martën – dhe më pas mori pjesë, në palestër të shkollës, në shfaqjen muzikore, një moment me të cilin të rinjtë deshën t’u urojnë të gjithëve Gëzuar Krishtlindjen dhe të kujtojnë se pasuria e vërtetë nuk matet nga ajo që merret, por nga paqja që arrijmë të krijojmë brenda vetes dhe rreth nesh.

Koncerti në palestrën e shkollës

Të vegjlit, të gjithë të veshur me xhinse dhe bluza të bardha, zunë vend në mënyrë të rregullt, një nga një, në një skenë me shkallë. Të emocionuar dhe të buzëqeshur, më pas filluan të këndojnë dhe disa prej tyre i shoqëruan zërat me gjeste të gëzuara të duarve. Notat dhe fjalët e Adeste fidelesJoy to the worldNoël NoëlAstro del ciel u përhapën mes publikut që kishte mbushur palestrën e shkollës të zbukuruar për festë: prindër, mësues, personel shkollor, ipeshkvi i Albanos, imzot Vincenzo Viva, presidenti i Administratës së Pasurisë së Selisë Apostolike, imzot Giordano Piccinotti, dhe Papa në rreshtin e parë, në qendër.

Krishtlindja zgjon në zemër gëzim dhe paqe

“Ishte shumë e bukur të dëgjoje këngët e Krishtlindjes në italisht, latinisht, anglisht dhe spanjisht”, komentoi spontanisht Papa Leoni XIV në përfundim të koncertit. “Të dëgjosh këta fëmijë të këndojnë kështu në kaq shumë gjuhë na ndihmon të kuptojmë se si Krishtlindja zgjon në zemrën e të gjithëve ne një gëzim, një paqe, një ftesë vërtet të rëndësishme”, shtoi Ati i Shenjtë Prevost, duke shprehur kënaqësinë për ftesën e marrë. “Ka mbërritur në mënyrë misterioze në shtëpi – bëri shaka Papa –. Dhe ndoshta edhe më misterioze ishte përgjigjja, kur u mor vesh se kisha vendosur të vija! Por jam vërtet i lumtur”.

Të bëjmë më shumë për paqen

Ati i Shenjtë Leoni XIV më pas u nis nga njëra prej këngëve të interpretuara në të cilën – “kishte fjalë afërsisht: ‘Engjëjt që sjellin dashurinë’” – për të theksuar se vetë fëmijët u kanë sjellë dashuri të gjithëve “sonte me këtë muzikë kaq të bukur”. Më pas Papa kujtoi se “kur Shën Augustini mendonte për muzikën, thoshte se ‘ai që do, këndon’, sepse zemra e tij e di vërtet se çfarë është e rëndësishme”. “Dhe Zoti ka dashur të na komunikojë ne të gjithëve dhuratën e dashurisë: kjo është Krishtlindja – theksoi Leoni XIV – Zoti ka dashur të afrohet me ne, sidomos me më të vegjlit.

Uroj që këtë frymë që po e kremtojmë sonte, dhe në ditët në vijim e në Krishtlindje, madje gjatë gjithë vitit, të mund ta ndiejmë dhe ta jetojmë këtë dashuri të Krishtlindjes”. Dhe përsëri, duke cituar refrenin e një kënge tjetër të kënduar, “në Krishtlindje mund të bëhet më shumë”, Leoni XIV pohoi: “Edhe për ne kjo është një ftesë e madhe: të bëjmë më shumë për të shpallur paqen, dashurinë dhe unitetin në botë”.

Të shohim Zotin te më të vegjlit

Në fund, Papa u dha bekimin e tij fëmijëve e familjeve të tyre dhe u lut së bashku me të gjithë Atin tonë. “Zoti dëshiron t’i afrohet secilit prej jush, të gjithë të dashurve tuaj, familjeve tuaja”, përfundoi Ati i Shenjtë, duke nxitur të luten “së bashku” dhe të “hapin” “zemrat” për të “parë” praninë e Zotit “sidomos te më të vegjlit”.

Duartrokitje dhe thirrje gëzimi e shoqëruan Atin e Shenjtë Leonin XIV, i cili mori dhuratë një raketë tenisi dhe uniformën e shkollës ‘Pali VI’. “Leoni, Leoni, Leoni”, thërrisnin fëmijët, me të cilët Papa pozoi për një fotografi kujtimore para se të përshëndetej dhe të largohej nga ambientet e shkollës.

16 dhjetor 2025, 21:13