Kërko

Jubileu i të Burgosurve, Papa: askush nuk duhet të humbasë, t’u jepet amnisti ose falje

Është e Diela "e gëzimit" kjo, që liturgjia e quan "Gaudete!". E Diela kur shijohet aroma e ndritshme të pritjes. Për ata që kanë humbur lirinë, pritjet, ashtu si e kaluara, shpesh janë barrë shumë e rëndë për t'u mbartur. Në homelinë e Meshës për Jubileun e të Burgosurve, kryesuar nga Leoni XIV në Bazilikën e Vatikanit, ftesa për të mos e humbur shpresën: pas çdo rënieje, duhet të jemi në gjendje të ngrihemi përsëri në këmbë; drejtësia është gjithmonë proces riparimi dhe pajtimi.

R.SH. / Vatikan

Dhënia e formave të amnistisë dhe të faljes së dënimit

Papa Leoni XIV vazhdoi përsëri sot të ndjekë paraardhësin e tij Françeskun, që i kishte shumë për zemër jetët e të burgosurve. Nuk ngurronte t'i vizitonte, as t’u lante këmbët të Enjten e Madhe. Siç shkroi në Bulën e njoftimit të Jubileut, shpresonte se gjatë Vitit Shenjt "format e amnistisë ose të faljes së dënimeve" dhe "mundësitë për riintegrim" do të mund t'u jepeshin të gjithëve. E sot edhe Papa e përsërit shpresën e paraardhësit:

Besoj se dëshira e tij do të përmbushet në shumë vende. Jubileu, siç e dimë, në origjinën e tij biblike ishte pikërisht vit hiri, në të cilin të gjithëve, në shumë mënyra, i ofrohej mundësia për të filluar nga e para.

Mëshira mund të bëjë të çelin që lule nga mëkati.

Është kriteri i dashurisë ky, që duhet të jetojë edhe në mjedise si burgjet, pohoi Papa Leoni XIV. Sepse nga qëndrimet e dhembshurisë, kujdesit, mençurisë dhe përgjegjësisë, në komunitete si dhe në nivel institucional, mund të lindin mrekulli të vërteta. Rëndësi ka, pohon Papa, të shikojmë dashurinë e Jezusit për njeriun. Humanitetin e Zotit! Respekti dhe aftësia për mëshirë e falje mund t’i ndryshojnë fatet, e Jubileu mund të jetë rast i favorshëm:

[...] atëhere, nga toka e fortë e vuajtjes dhe e mëkatit, çelin lule të mrekullueshme, e madje edhe brenda mureve të burgut, piqen gjeste, projekte dhe takime unike në natyrën e tyre njerëzore.

Zoti është Ai që shpengon e çliron

Leoni pranon se pamja e burgjeve paraqet disa çështje kritike: "Ka ende shumë për të bërë", thekson. Por duke besuar te Zoti, Ai "që shpengon dhe çliron", dikush edhe mund e duhet të guxojë:

Sigurisht, burgu është vend i vështirë, madje edhe qëllimet më të mira mund të ndeshin shumë pengesa. Pikërisht për këtë arsye, megjithatë, nuk duhet të lodhet, të dekurajohet ose të dorëzohet, por përkundrazi, të ecë përpara me këmbëngulje, guxim dhe frymë bashkëpunimi. Në të vërtetë, shumë ende nuk arrijnë ta kuptojnë se çdo rënie kërkon ringritje, se asnjë qenie njerëzore nuk është e njëjtë me çka bëri dhe se drejtësia është gjithmonë proces korrigjimi e pajtimi.

Zoti dëshiron shpëtimin e të gjithëve

Duke kujtuar citatin e mirënjohur të Shën Augustinit - kur shkruante komentin e famshëm për episodin e kurorëthyerses në Ungjill, duke theksuar se pas takimit të saj me Jezusin, i cili e fal, "mjerimi dhe mëshira" mbeten - Papa u drejtohet posaçërisht të burgosurve dhe atyre që janë përgjegjës për sistemin e burgjeve. Ai vazhdon të vërë në dukje se detyra "nuk është e lehtë":

 Problemet që duhen zgjidhur janë të shumta. Duhet të kemi parasysh mbipopullimin, angazhimin ende të pamjaftueshëm për të siguruar programe arsimore të qëndrueshme dhe mundësi pune. E, të mos harrojmë, në një nivel më personal, peshën e së kaluarës, plagët që duhen shëruar në trup e në shpirt, zhgënjimet, durimin e pafund që i kërkohet vetes dhe të tjerëve, kur marrim rishtas shtigjet e kthesës dhe tundimin për t'u dorëzuar, a për të mos falur kurrë më.

E megjithatë, në këto shkreti - përfundon Pasardhësi i Pjetrit - duhet të jehojë brenda nesh siguria se Zoti dëshiron shpëtimin e të gjithëve. E përsërit edhe sot “se askush nuk duhet të humbasë".

14 dhjetor 2025, 14:56