Kërko

Papa Leoni XIV merr pjesë në Koncertin me të Varfrit Papa Leoni XIV merr pjesë në Koncertin me të Varfrit

Papa: muzika nuk i zhdukë problemet, por na kujton se jemi shumë më tepër

Duke përshëndetur pjesëmarrësit në Koncertin me të Varfrit në Sallën Pali VI, Leo XIV i larton meloditë si një "dhuratë hyjnore të arritshme për të gjithë". Ato, pohon ai, nuk i trullosin, por përcjellin emocione "deri në trazirat më të thella të shpirtit", duke e ngritur atë mbi "hallet tona".

R.SH. - Vatikan

"Hallet tona", e “ankthet tona”, i bëjnë jetët të stonojnë. Tundimi është t’i detyrojmë të heshtin, duke ua zënë frymën në trullosjen e shpërqendrimeve. Tre mijë njerëz të brishtë dhe të plagosur që u mblodhën pasditen e 6 dhjetorit në Sallën Pali VI për të marrë pjesë në Koncertin me të Varfrit, e dinë këtë. Megjithatë, ekziston një rezultat tjetër, një që nuk i eliminon disonancat, por i larton, sepse "ne jemi shumë më tepër". Ishte muzikë, të cilën Papa Leoni XIV e vlerësoi, duke folur në përfundim të edicionit të gjashtë të shfaqjes së lindur "nga zemra e Papës Françesku", nën drejtimin artistik të Imzot Marco Frisinës, me Korin e Dioqezës së Romës, organizuar nga Nova Opera.

Dhurata universale e muzikës

Muzika e këngëtarit kanadez Michael Bublé gjallëroi më shumë se tetë mijë spektatorë të ftuar përmes Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë dhe falë bashkëpunimit të organizatave të shumta bamirëse e shoqatave vullnetare. Duke kujtuar këngët e tij më të famshme dhe këngët tradicionale të Krishtlindjeve, Papa e përfundoi përshëndetjen, duke lartuar meloditë që, gjatë gjithë mbrëmjes, prekin "shpirtrat tanë", e duke kujtuar një të vërtetë themelore dhe vlerën e paçmuar të muzikës:

Jo luks për pak veta, por dhuratë hyjnore e arritshme për të gjithë: të pasur e të varfër.

Realitetet e përfshira në koncert

"Michael Bublé, italishtja juaj është e mrekullueshme, faleminderit shumë!" ishte përshëndetja e parë e Papës drejtuar këngëtarit, i cili më pas i falënderoi të gjithë të pranishmit, duke përfshirë edhe Kardinalin Baldo Reina, Vikar i Përgjithshëm për Dioqezën e Romës, si dhe Kardinalin Konrad Krajewski, Prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë. Duke i shprehur mirënjohjen Zyrës së Bamirësive Papnore, Leoni XIV kujtoi organizatat e lartpërmendura që punuan për ta bërë të mundur këtë ngjarje. Ishin Caritas Rome, Komuniteti i Sant'Egidio, Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës, Circolo San Pietro, Qendra Astalli për Refugjatët, ACLI i Romës dhe Komuniteti Gjoni XXIII.

"Falënderimi" i tij shtrihej edhe për ata që mbushën Sallën Pali VI me muzikë dhe melodi, ‘me art dhe pasion’: Korin e Dioqezës së Romës, drejtuar nga Mjeshtri  Imzot Marco Frisina, së bashku me Orkestrën e Operas së Re. Pa përmendur Fondacionin Nova Opera dhe të gjithë partnerët, që e bënë të mundur koncertin.

"Po, muzika mund të na i lartojë shpirtrat!"

"Të dashur miq", pohoi Leoni XIV, "muzika është si urë që na çon te Zoti."Nga telat e instrumenteve rrjedhin nota, që vënë në lëvizje telat e zemrës, pjesët më të thella të shpirtit, duke i ngritur dhe duke i shndërruar "emocionet më intime" në një shkallë ideale, që "lidh tokën me qiellin".

Po, muzika mund t'i lartojë shpirtrat tanë! Jo sepse na shpërqendron nga mjerimet tona, sepse na trullos ose na bën të harrojmë problemet dhe situatat e vështira të jetës, por ngaqë kujton se nuk jemi vetëm kaq: ne jemi shumë më tepër sesa problemet dhe telashet tona; jemi fëmijët e dashur të Zotit!

Harmonitë e Krishtlindjes

Krishtlindjet janë festa që e mbush shpirtin me këngë tradicionale, të afta për të kapërcyer çdo pengesë gjuhësore dhe kulturore. Mister ky, që do të ishte i vështirë për t'u festuar pa shoqërim të denjë muzikor. Në fund të fundit, vetë Ungjilli flet për një "koncert të madh engjëjsh" që shoqëron lindjen e Jezusit në stallën e Betlehemit.

Dhe kush e dëgjoi atë koncert? Kujt iu duken engjëjt? Barinjve, të cilët vigjilonin natën për të ruajtur grigjën e tyre.

"Jezusi është kënga e dashurisë së Zotit për njerëzimin"

Koha e Ardhjes bëhet kështu kohë përgatitjeje për këngën "e dashurisë së Zotit, që është Jezu Krishti". "Ta mësojmë mirë - na nxit Leoni XIV - duke na ftuar të mos i ngarkojmë zemrat tona me "interesa egoiste" a "shqetësime materiale", por t'i rizgjojmë në shqetësimin për të afërmin.

Po, Jezusi është kënga e dashurisë së Zotit për njerëzimin. Ta dëgjojmë këtë këngë! Ta mësojmë mirë, që të mund ta këndojmë edhe ne, me jetën tonë.

Ta kundrojmë Mishërimin përmes melodive

Kjo është hera e parë që në një Koncert me të Varfrit merr pjesë një Papë, që gjatë viteve ka parë një sërë artistësh të kalibrit të Hans Zimmer, Ennio Morricone dhe Nicola Piovani. Edicioni i këtij viti u drejtua nga aktorja dhe prezantuesja Serena Autieri. Papa mirëpritet nga Kori i Dioqezës së Romës dhe Orkestra e Operas Nova "Tu sei Pietro", ndjekur nga një sekuencë pjesësh që hapën kundrimin e Misterit të Mishërimit: "Puer natus est nobis", një nga antifonat më të vjetra të Krishtlindjeve,  ndjekur nga "Quando nascette Ninno", një pastoral i famshëm nga Shën Alfons Maria de' Liguori, interpretuar nga Serena Autieri, si dhe performanca Joy to the World "Gëzim për Botën". Programi vazhdoi me "Gloria in cielo", kompozim nga Laudario di Cortona, i frymëzuar nga kumti i engjëjve, dhe "The First Nowell", i cili shoqëroi kalimin në pjesën e dytë të mbrëmjes.

Interpretimi i Michael Bublé

Michael Bublé merr pjesë duke interpretuar këngën e tij të famshme "Feeling Good", shoqëruar nga një aranxhim simfonik që nxjerr në pah dialogun ndërmjet zërit të tij dhe orkestrës. "Ky është vërtet çasti më i rëndësishëm i jetës dhe i karrierës sime. Jam shumë mirënjohës", thotë Bublé i emocionuar, duke i ftuar të gjithë në audiencë të bashkohen me të në një unitet të vetëm zërash. "Nuk do të doja të këndoja vetëm",​​thotë ai, duke i nxitur ata të mos përqendrohen shumë në shqiptimin e saktë të të gjitha fjalëve ose në harmonizimin e tyre me intonacionin e duhur. "Nuk ka rëndësi, kjo është nata jonë!", thotë ai, përpara se të vazhdojë me listën e këngëve, e cila përfshin edhe këngën "L.O.V.E." dhe këngët e famshme të Krishtlindjeve "It's Beginning to Look a Lot Like Christmas" dhe "Silent Night". Bublé i bën homazh dirigjentit dhe kompozitorit amerikan Duke Ellington me një riinterpretim të "Don't Get Around Much Anymore".

Pjesa kryesore e tij është interpretimi i "Ave Maria", interpretuar në latinisht me një aranzhim koral dhe orkestral të krijuar për Sallën Pali VI. Këngë e cila, siç e shpjegoi vetë këngëtari kur, gjatë konferencës për shtyp, e prezantoi ngjarjen, u kërkua nga vetë Papa. Koncerti përfshinte gjithashtu një variant të "Bring It On Home to Me" të Sam Cooke dhe një variant të rishikuar të "Always On My Mind", që e mbylli performancën me një Bublé dukshëm emocional. Pas përshëndetjes së Papës, kur disa nga nevojtarët i shtrëngonin dorën, kishte kohë edhe për këngën e fundit: për këngën e famshme të Krishtlindjeve "Feliz Navidad".

Përfundimi i koncertit

Në fund të koncertit, u ofrua një darkë e nxehtë me porosi për mbi 3,000 vetë. Ngjarje e cila, me qëllim që ta bënte takimin gjithnjë e më të qëndrueshëm, vijoi me Nova Opera-n në bashkëpunim me kompaninë AzzeroCO₂ e me mbështetjen e shoqatës "I Patriarchi della Natura", kushtuar mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare të pemëve. Si gjest simbolik, Vatikani do të mirëpresë një selvi të Shën Françeskut, pasardhëse e drejtpërdrejtë i një ekzemplari shekullor në Verucchio, ndërsa vetë koncerti do të kontribuojë në mbjelljen e 1,000 pemëve të reja si pjesë e projekteve të qëndrueshmërisë mjedisore dhe sociale të Treedom: 950 pemë do të mbillen në Guatemalë, në bashkëpunim me komunitetet lokale (duke përfshirë 150 pemë kakaoje dhe 250 pemë kafeje), së bashku me 100 mangrovë, në Barra de Motagua, zonë me biodiversitet të lartë; e 50 pemë ulliri do të mbillen në Kampania, në tokë të konfiskuar.

07 dhjetor 2025, 12:42