Kërko

Papa: Jubileu po i afrohet përfundimit, por shpresa nuk mbaron

Leoni: “E sotmja është e fundit nga audiencat jubilare të së shtunës, të nisura janarin e kaluar nga Papa Françesku. Prandaj, Jubileu po i afrohet përfundimit, por nuk përfundon shpresa që ky Vit na ka dhuruar: do të mbetemi shtegtarë të shpresës. Kemi dëgjuar nga Shën Pali: ‘Në shpresë, në fakt, jemi shpëtuar’. Pa shpresë, jemi të vdekur; me shpresë, dalim në dritë".

R.SH. / Vatikan

Me takimin e fundit të mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan janë përmbyllur audiencat jubilare, takime që kanë shoqëruar rrugëtimin e Kishës gjatë kohës së Jubileut të Shpresës. Një cikël takimesh shumë i ndjekur, i shënuar nga reflektime shpirtërore, thirrje për mëshirë dhe apele të fuqishme për paqe, drejtësi shoqërore dhe vëllazëri mes popujve.

“Të dashur, ajo e sotmja është e fundit nga audiencat jubilare të së shtunës, të nisura janarin e kaluar nga Papa Françesku”, tha Leoni në përshëndetjen e tij, duke iu drejtuar grupeve të pranishme në audiencën e sotme, ndër të cilat përmendi në mënyrë të veçantë shtegtarët e ardhur nga Trani, Fisciano, Casoli, Macchia Val Fortore, si edhe një Delegacion të ANAS-it, për t’iu drejtuar më pas “të rinjve, të sëmurëve dhe bashkëshortëve të sapomartuar”.

Gjatë audiencave jubilare, Papa Leoni, duke ndjekur gjurmët e Françeskut, i ka ftuar disa herë besimtarët ta jetojnë Jubileun e Shpresës jo si një ngjarje formale, por si një kohë kthimi personal dhe komunitar, e aftë të shndërrohen në gjeste konkrete solidariteti ndaj më të varfërve dhe të përjashtuarve. Hapësirë e gjerë iu kushtua gjithashtu edhe temave të paqes, dialogut ndërfetar dhe përgjegjësisë së të krishterëve përballë krizave të botës bashkëkohore.

“E sotmja është e fundit nga audiencat jubilare të së shtunës, të nisura janarin e kaluar nga Papa Françesku. Prandaj, Jubileu po i afrohet përfundimit, por nuk përfundon shpresa që ky Vit na ka dhuruar: do të mbetemi shtegtarë të shpresës. Kemi dëgjuar nga Shën Pali: ‘Në shpresë, në fakt, jemi shpëtuar’. Pa shpresë, jemi të vdekur; me shpresë, dalim në dritë. Shpresa është gjeneruese. Në fakt, ajo është një virtyt teologal, domethënë një forcë e Zotit, dhe si e tillë gjeneron; nuk vret, por bën të lindë dhe të rilindë. Kjo është forca e vërtetë. Ajo që kërcënon dhe vret nuk është forcë: është arrogancë, është frikë agresive, është e keqe që nuk gjeneron asgjë. Forca e Zotit sjell jetë. Prandaj, në fund, do të doja t’ju thosha: të shpresosh do të thotë të gjenerosh”. Kështu u shpreh Papa Leoni XIV gjatë audiencës së fundit jubilare mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

20 dhjetor 2025, 12:06