Papa drejtuar UISG-së: dëshmitare të Ungjillit në kufijtë e Botës
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni kujton "vizionin e Shën Palit VI", i cili nxiti përtëritjen e jetës së kushtuar në botën moderne, pas Koncilit II të Vatikanit. Leoni XIV citon letrën e Papës Montini të datës 26 nëntor 2025, drejtuar Motrës Oonah O'Shea, presidente e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme, me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Unionit (UISG) më 8 dhjetor 1965.
"Bashkohem me ju mirënjohës për shumë nga mënyrat me të cilat Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG) e kryen këtë mision me besnikëri e guxim", shkruan Papa Prevost, duke kujtuar se si, gjatë 60 viteve të jetës së tij, Unioni krijoi një hapësirë për dialog ndërmjet Eproreve ndër gjashtë kontinente, duke ndarë "pasurinë e karizmave të tyre" dhe dhuratat e Shpirtit Shenjt "për të mirën e Kishës dhe të botës".
Dishepulle misionare shprese
Papa Leoni XIV thekson se kjo kohë karakterizohet "nga ndryshime të shpejta dhe nevoja urgjente", e për këtë arsye angazhimi i grave rregulltare në fushën e bashkëpunimit dhe të misionit në kufij, bëhet "dëshmi e fuqishme e Ungjillit". "Fakti që ky përvjetor përkon me Vitin Jubilar të Shpresës - shton Leoni XIV - është hir i veçantë". Prej këndej buron shpresa që në këtë "kohë shenjte", "thirrja për të qenë shtegtarë dhe dishepuj misionarë të shpresës" do të mund të ripërtërihet: gra që, të rrënjosura në përkushtim dhe të udhëhequra nga Shpirti, do të ndihmojnë "të rigjallërojnë fenë, të shërojnë plagët dhe të shoqërojnë popullin e Zotit me dhembshuri e këmbëngulje të gëzueshme". Së fundmi, besimi ndaj Marisë, "Nënës së Kishës dhe modelit të dishepullimit besnik".
Një ardhmëri për t'u shkruar
"Sot festojmë një histori në evolucion të vazhdueshëm, të projektuar drejt së ardhmes dhe të hapur drejt horizonteve të reja" - kujton Presidentja e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme (UISG), Motra Oonah O'Shea, në një deklaratë në të cilën njoftohet prodhimi i një dokumentari:
"Jeta e kushtuar, shpresë që transformon", që nxjerr në pah angazhimin e grave rregulltare në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale”. Historia tregon praninë e tyre përkrah migrantëve dhe refugjatëve, dokumenton luftën e tyre kundër trafikimit të qenieve njerëzore, mbrojtjen e tyre të dinjitetit njerëzor dhe angazhimin e tyre për të mbrojtur krijimin”.
