Papa: çdo akt i mirëfilltë mjekësor është në shërbim të jetës

Në përshëndetjen drejtuar delegacionit të kardiologëve nga Kursi i Parisit kushtuar Revaskularizimit, Leoni XIV kujtoi se Kisha e inkurajon kërkimin shkencor "që hap për njeriun rrugën e së vërtetës e të shërbimit më të thellë për të mirën e përbashkët". Ndani rezultatet e arritura në kërkim dhe sigurohuni që edhe të varfrit e emigrantët të kenë mjekime të reja.

R.SH. / Vatikan

Udhëkryq ndërmjet shkencës, dhembshurisë dhe përgjegjësisë etike. Kjo është puna mjekësore, sipas Papës Leoni XIV i cili sot, 5 dhjetor, priti një delegacion kardiologësh nga Paris Cours on Revascularization,  kushtuar zhvillimit të shkencës dhe të praktikës ndërhyrëse në fushën e kardiologjisë. Ky takim bie gjatë Jubileut të Shpresës, vit "që përtërin forcën", deklaroi Papa në anglisht, "ringjall guximin dhe na mëson të shpresojmë edhe në mes të ligshtisë njerëzore".

Kisha e pohon vazhdimisht vokacionin e kërkimit shkencor, i cili i hap njeriut rrugën e së vërtetës dhe të shërbimit më të thellë, për të mirën e përbashkët. Ju e mishëroni këtë frymë sa herë që kërkoni të shëroni një zemër, si fizikisht ashtu edhe metaforikisht, duke u sjellë lehtësim atyre që vuajnë e shpresojnë në familjet e tyre.

T’i shërbejmë jetës

Kujdesi që Krishti kishte për të sëmurët është, për Papën, zemra e shërbimit ndaj jetës dhe baza e çdo akti të mirëfilltë mjekësor. "Dashuria e Tij e palëkundur", theksoi Leoni XIV, "frymëzon kujdesin të cilin e tregoni përmes kërkimit, edukimit dhe ndërhyrjeve delikate, që ruajnë jetën".

“Çdo rrahje zemre besuar kujdesit tuaj, ju kujton se jeta është  dhuratë, mister i përhershëm, që duhet nderuar. Prandaj, ju inkurajoj të vazhdoni ta nxisni frymën e bashkëpunimit global, të ndani bujarisht njohuritë dhe të siguroheni që përparimet në trajtime të mbeten të arritshme për të gjithë, veçanërisht për të varfrit dhe të mënjanuarit”.

 Besimi tek Jezusi

Duke u dhënë lamtumirën kardiologëve, Papa ia besoi punën e tyre "Zemrës së Shenjtë të Jezusit, mjekut të shpirtrave dhe të trupave". E, në përfundim, shprehu besimin se Kursi i Parisit mbi Revaskularizimin do të vazhdojë të jetë "fanar shprese dhe do të ndriçojë unitetin e thellë ndërmjet përsosmërisë shkencore dhe shërbimit ndaj njerëzimit".

"Zoti ju bekoftë - përfundoi Leoni XIV - me dhuratat e tij të guximit, të këmbënguljes dhe të gëzimit".

05 dhjetor 2025, 16:20