Kërko

Katakombet e San Sebastianos në via Appia Antica  në Romë Katakombet e San Sebastianos në via Appia Antica në Romë

Papa: arkeologjia e krishterë, thirrje dhe formë dashurie për Kishën dhe njerëzimin

Në Letrën e tij apostolike mbi rëndësinë e arkeologjisë dhe me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Institutit Papnor të Arkeologjisë Kristiane, Leoni XIV kujton se kjo disiplinë dëshmon se Zoti u mishërua dhe se shpëtimi la gjurmë: "Është kujtesë e gjallë, shërbesë shprese që të çon në Mister".

R. SH. – Vatikan

Të gërmosh, të prekësh gjetjet arkeologjike, të rizbulosh energjinë e kohës – në punën e arkeologut të krishterë nuk është vetëm përmasa materiale, por edhe ajo njerëzore: duart që kanë farkëtuar mbetjet e gjetura, "mendjet që i kanë konceptuar, zemrat që i kanë dashur". Kjo është një nga karakteristikat e arkeologjisë së krishterë që Papa Leoni XIV thekson në Letrën Apostolike mbi rëndësinë e arkeologjisë me rastin e njëqindvjetorit të Institutit Papnor të Arkeologjisë Kristiane, botuar sot, më 11 dhjetor.

Ta bësh të dukshëm Misterin

Materia dhe misteri: janë dy drejtimet që ndërthuren në arkeologjinë e krishterë, sepse "Krishterimi – thekson Leoni XIV – nuk lindi nga një ide, por nga mishërimi", nga një bark, një trup, një varr. Feja e krishterë, në fakt, bazohet në "ngjarje konkrete, në fytyra, në gjeste, në fjalë të thëna në një gjuhë, në një epokë, në një ambient. Kjo është ajo që arkeologjia e bën të dukshme, të prekshme". Ati i Shenjtë kujton më pas se "Zoti zgjodhi të flasë në një gjuhë njerëzore, të ecë mbi një tokë, të banojë vende, shtëpi, sinagoga, rrugë". Për këtë arsye, në një kohë kur përdoret Inteligjenca Artificiale, studiohen galaktikat, ende ka kuptim të hulumtohet. "Teologjia kristiane nuk mund të kuptohet plotësisht – shkruan Papa – pa inteligjencën e vendeve dhe gjurmëve materiale që dëshmojnë besimin e shekujve të parë".

Asgjë nuk është e parëndësishme

Arkeologjia dhe teologjia ndërthuren kështu në punën e arkeologut, në bazë të së cilës qëndron një ndjeshmëri e theksuar për të trajtuar me kujdes "materialet e fesë". "Duke gërmuar mes gurëve, mes rrënojave, mes objekteve, arkeologjia – shpjegon Papa – na mëson se asgjë nga ajo që është prekur nga feja nuk është e parëndësishme". Çdo dëshmi e vogël meriton vëmendje, nuk duhet hedhur poshtë, kështu arkeologjia "është një shkollë e qëndrueshmërisë kulturore edhe e ekologjisë shpirtërore", e "edukimit për respektin ndaj materies, kujtesës, historisë". Asgjë nuk hidhet, ruhet, deshifrohet sepse pas çdo gjetjeje kemi "frymëmarrjen e një epoke, kuptimin e një besimi, heshtjen e një lutjeje. Është një vështrim – thekson Papa – që mund të mësojë shumë edhe për pastoralen dhe katekizmin e sotëm".

Arkeologjia, aleate e teologjisë

Informacione të reja mund të nxirren nga instrumentet teknologjike më të sofistikuara dhe për këtë arsye çdo material mund të kthejë në dritë kuptime të thella. "Arkeologjia, në këtë, është gjithashtu edhe shkollë e shpresës". Duke iu referuar kushtetutës apostolike Veritatis gaudium të Papa Françeskut, Leoni XIV kujton se arkeologjia, së bashku me Historinë e Kishës dhe Patrologjinë, duhet të jetë pjesë e disiplinave themelore për formimin teologjik. Arkeologjia në fakt nuk flet vetëm për gjëra, por për njerëz, "ndihmon për të kuptuar se si zbulesa hyjnore është mishëruar në histori, si Ungjilli ka gjetur fjalë dhe forma brenda kulturave". Prandaj një teologji që mirëpret arkeologjinë "është një teologji që dëgjon trupin e Kishës, që pyet plagët e saj, që lexon shenjat e saj, që lejon të preket nga historia e saj". Dhe është gjithashtu edhe një formë dashurie, sepse "është një mënyrë për t'i bërë të flasin heshtjet e historisë, për t'i kthyer dinjitetin atyre që janë harruar, për të nxjerrë në dritë shenjtërinë anonime të shumë besimtarëve që e kanë ndërtuar Kishën".

Misioni ungjillëzues

Detyra e arkeologjisë është edhe ajo e ungjillëzimit, e ndihmës së Kishës për të ruajtur kujtesën e gjallë të fillimeve të saj, për të treguar historinë e shpëtimit edhe me imazhet, format dhe hapësirat. "Në një kohë që shpesh humbet rrënjët, arkeologjia – pohon Papa – bëhet kështu instrument i çmuar i një ungjillëzimi që nis nga e vërteta e historisë për t'u hapur ndaj shpresës së krishterë dhe risisë së Shpirtit". Duke parë mënyrën se si Ungjilli u prit në të kaluarën, ka shtysë për ta përhapur atë në të sotmen, duke u folur të largëtëve, por edhe të rinjve që kërkojnë autenticitet dhe konkretësi. Arkeologjia, thekson Papa Leoni, është një "instrument i fuqishëm dialogu; mund të kontribuojë në krijimin e urave mes botëve të largëta, mes kulturave të ndryshme, mes brezave; mund të dëshmojë se feja e krishterë nuk ka qenë kurrë një realitet i mbyllur, por një forcë dinamike, e aftë të depërtojë në thelbin më të thellë të historisë njerëzore".

11 dhjetor 2025, 12:54