Kërko

Ngjarjet vitit 2025 - nga Papa Françesku te Papa Leoni XIV, në shenjën e Jubileut

Viti 2025 qe i paharrueshëm për Kishën dhe njerëzimin, me vdekjen e Papa Françeskut, me konklavin, zgjedhjen e Robert Francis Prevost-it dhe fillimin e një papnisë të shënuar nga udhëtime dhe plot takime. Përgjatë këtij viti, Jubileu i cili vijon ende dhe mbyllet më 6 janar, solli në Romë mbi 30 milionë shtegtarë, që u shndërruan në protagonistë të ngjarjeve kryesore të muajve të fundit.

R.Sh. Vatikan

Vaj dhe gëzim. Sheshi i Shën Pjetrit qau për Papën e Amerikës së Jugut që ngjitej në qiell, dhe i njëjti shesh u gëzua për Papën e Amerikës së Veriut që u ngjit në fronin e Shën Petrit. Një papni që përfundon dhe një tjetër që fillon me festime, udhëtime të reja, dokumente të reja papnore dhe emërime të reja. Po ashtu, Meshë të Shenjta, audienca, lutje rruzaresh, vigjilje, shtegtime drejt Portës së Shenjtë dhe tubime të mëdha të të rinjve dhe të tjerëve. Viti 2025 qe një shëmbëlltyrë: shëmbëlltyra e Kishës që vazhdon udhëtimin e saj përtej ndryshimeve të historisë dhe kohës.

Një vit sigurisht i paharrueshëm për njerëzimin, midis vdekjes pothuajse të papritur të Françeskut dhe zgjedhjes së shpejtë të Leonit XIV, në mes të Jubileut, Vitit të Shenjtë kushtuar shpresës që u hap nga Papa Françesku dhe që do mbyllet më 6 janar nga pasardhësi i tij. Ngjarje të tilla nuk kanë qenë të shpeshta në histori: dy Papë në një kohë të jashtëzakonshme për popullin e Zotit. Atë popull që ishte protagonist i momenteve që shënuan më shumë këtë vit 2025, i cili për fat të keq pa përkeqësimin e tensioneve gjeopolitike ndërkombëtare dhe shumëfishimin e «copave» të asaj që, fillimisht Françesku dhe më pas Leoni, e quajtën «lufta e tretë botërore».

Besimtarë nga e gjitha bota dynden në Romë

Mbi 30 milionë shtegtarë nga e gjithë bota vizituan Romën gjatë muajve të Jubileut, si gjatë ditëve të zakonshme ashtu edhe gjatë mbi 30 ngjarjeve të veçanta kushtuar sektorëve të ndryshëm të Kishës dhe shoqërisë. Ata nuk munguan as gjatë periudhës të shtrimit në spital të Papa Françeskut në Poliklinikën Gemelli, më 14 shkurt, e cila përfundoi me vdekjen e tij më 21 prill dhe funeralin pesë ditë më vonë. Mbi 250,000 njerëz morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Papës Françeskut. Pothuajse dyfishi i këtij numri i bëri homazhe Papës së ndjerë gjatë vizitës në Bazilikën e Shën Pjetrit. Besimtarë të shumtë morën pjesë gjithashtu në lutjen e rruzares së Mbrëmjes për shëndetin e Papës, të cilat u zhvilluan gjatë qëndrimit të tij në spital, ose u lutën në oborrin e famshëm të Poliklinikës, ku shumë vetë - si grupe ashtu edhe individë - vazhduan shtegtimin e tyre pasi u përshkuan nëpër Portën e Shenjtë.

Shtrimi në spital i Papa Françeskut

Françesku qe i pranishëm përgjatë gjithë muajit janar për besimtarët, një muaj që nisi me Lutjen e Engjëllit të Tenzot dhe vijoi me një thirrje kundër luftës «çnjerëzore» dhe pikëllimin për nënat që humbën fëmijët e tyre.

Veprimtaria e Papës vijoi deri në shtrimin e tij në spital për një rast «normal» thuajse bronkiti, i cili më vonë u zbulua se ishte një infeksion polimikrobik. Në javët që i paraprinë shtrimit në spital, pavarësisht shëndetit të tij të dobët, Papa i vijoi aktivitetet e tij, si audienca të përgjithshme dhe jubilare (e para më 12 janar), takime në mëngjes dhe pasdite pa harruar edhe telefonatat në mbrëmje me famullinë në Gaza. Pastaj erdhën dy emërime të rëndësishme për mbarështimin e Kishës: Motër Simona Brambilla u emërua prefekte e Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike (6 janar) dhe Motër Raffaella Petrini, presidente e Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit (15 shkurt). Dy gra, dy murgesha, që drejtojnë për herë të parë organe të rëndësishme. Nga qëndrimi i gjatë në spital i Jorge Mario Bergoglio-s, mes buletineve mjekësore, lutjeve papushim, lajmeve dhe lajmeve të rreme në mediat anembanë botës, ajo që mbetet e ngulitur në kujtesë është mesazhi prekës spanjisht me një zë të dobët të Papës, regjistruar nga spitali ku falënderonte besimtarët për mbështetjen e tyre. Mbetet në kujtesë edhe fotografia - e vetmja e atyre ditëve - e Papës i veshur me një kote të bardhë dhe një stole ngjyrë vjollcë në kishëzën e spitalit «Gemelli» në Romë.

Kthimi i Papa Françeskut në Vatikan dhe lamtumira e fundit në Sheshin e Shën Pjetrit

Më 22 mars, mjekët njoftuan daljen e Françeskut nga spitali. Më 23 mars, ai përshëndeti besimtarët nga ballkoni i spitalit «Gemelli», duke thënë disa fjalë të shpejta, me zë të dobët dhe fytyrë të vuajtur. Pastaj u kthye në Vatikan, pas një ndalese të shkurtër në kishën e Shën Marisë së Madhe, bazilika që më vonë u bë shtëpia e përjetshme e eshtrave të tij. Por në atë kohë, vdekja e tij ishte e paimagjinueshme, veçanërisht pasi bota e kishte parë të shfaqej tri herë në publik: një herë në Sheshin e Shën Pjetrit gjatë Jubileut të të Sëmurëve; një herë në rrugën e tij drejt varrit të Shën Piut X dhe statujës së Benediktit XV; dhe një herë, për urimet «Urbi et Orbi» të Pashkëve, me një përshëndetje pothuajse të pëshpëritur: «Gëzuar Pashkët» dhe një udhëtim me automobilin papnor që quhet «Papamobile» përmes Sheshit të Shën Pjetrit.

Pas sëmundjes i gjithë trupi i tij u ligështua, por sytë e tij ishin të mbushur me gëzimin e suksesit për këtë dalje të re publike, për të cilën ai falënderoi privatisht bashkëpunëtorët e tij me fjalët: «Faleminderit që më sollët përsëri në shesh».

Kalimi në amëshim i Papës

Të nesërmen, në orën 9:50 të mëngjesit, kardinali dhomëtar Kevin Joseph Farrell njoftoi: «Këtë mëngjes, më 21 prill 2025, Papa Françesku u kthye në Shtëpinë e Atit». Shkaku: një goditje në tru pasuar nga arresti kardiak. Këtu filloi një kapitull i ri për Kishën, me homazhet emocionale dhe të vazhdueshme të popullit në Santa Marta në Vatikan dhe më pas në Shën Pjetër, pas transferimit të eshtrave të tij, vendosjes së vulave në apartamentin e Pallatit Apostolik dhe ritit të mbylljes së arkivolit. Në fund pastaj, u zhvillua funerali solemn me procesionin me arkivolin nëpër rrugët e Romës dhe varrimi në Santa Maria Maggiore, në një varr prej mermeri të bardhë, ku besimtarët shkojnë pareshtur e ku lexohet vetëm emri i Papës: «Françesku».

Konklavi dhe zgjedhja e Leonit XIV

Më 27 prill, Sekretari i Shtetit  të Vatikan Kardinali Pietro Parolin kremtoi Meshën e parë të nëntëditshit të zisë. Më 28 prill kishin mbërritur tashmë në Romë 180 kardinalë, përfshirë ata nga dioqezat më të largëta dhe ata mbi tetëdhjetë vjeç pa të drejtë vote në konklav.

Ngjarja, e cila për shekuj me radhë ka magjepsur dhe ka tërhequr vëmendjen e botës për traditën, procedurat dhe sekretin e saj, nisi më 7 maj. Do të hyjë në histori si një nga konklavët më të shpejtë në histori sepse më 8 maj, në raundin e katërt të votimit, u zgjodh pasardhësi i 267-të i Shën Pjetrit. Ky është Robert Francis Prevost, Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (lindur 69 vjet më parë në Çikago) por me një shpirt peruvian pas më shumë se 22 vitesh që kishte kaluar në këtë shtet të Amerikës Latine si misionar, famullitar, katekist dhe ipeshkëv. Një Papë i urdhërit agustinian, të cilit i shërbeu me dy mandate si Epror i Përgjithshëm. U zgjodh një Papë me diplomë në matematikë dhe të drejtë kanonike, një Papë që e njihte mirë Kurien Romake si Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë.

Fillimi i Papnisë

Leoni XIV, një emër i zgjedhur në shenjë nderimi për Leonin XIII, autorit të enciklikës «Rerum Novarum», i cili pati shënuar edhe kapitullin e parë të doktrinës sociale të Kishës. Në daljen e tij të parë para besimtarëve dhe mbarë botës, me duar të bashkuara, me një mocetë të kuqe dhe me stole mbi supe, e me sytë e mbushur me lot emocionesh, Papa i sapozgjedhur shqiptoi fillimisht fjalën «Paqe» në fjalimin e tij. Ai e përsëriti atë dhjetë herë të tjera. «Një paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse» kërkoi Papa nga Kisha dhe bota; një shprehje që është bërë shenjë dalluese e papnisë së tij. Shprehja tjetër që sqaron programin e tij është ajo që ai ndau me Kolegjin e Kardinalëve gjatë kremtimit të parë eukaristik në Kapelën Sistine, një ditë pas zgjedhjes së tij kur tha: «Të dalim nga vetja që të mbetet Krishti».

Puna për Paqen

Epoka e Leonit XIV filloi më 18 maj me Meshën inauguruese të papnisë së tij në Sheshin e Shën Pjetrit para një turme besimtarësh dhe zyrtarësh nga e gjithë bota. Papa amerikan u bë menjëherë një zë paqeje, duke përsëritur thirrjen «Kurrë më luftë», drejtuar «njerëzve të fuqishëm të botës» nga Ballkoni i Bekimeve, gjatë lutjes së parë të tij «Regina Coeli» (11 maj).

Papa Leoni vijoi angazhimin e tij për paqen duke folur në telefon me presidentët e Rusisë dhe Ukrainës, Putin dhe Zelenski, të dytin e takoi tre herë, dy herë në Castel Gandolfo, ku - pas dymbëdhjetë vjetësh – Ati i Shenjtë riktheu rezidencën e tij verore, duke e lënë Pallatin Papnor si muze të hapur për publikun.

Leoni XIV propozoi pastaj Vatikanin si vend ndërmjetësimi dhe negociatash për t'i dhënë fund dhunës në Ukrainë. Vijoi pastaj duke përforcuar veprimtarinë diplomatike për të gjitha zonat e konflikteve të lëna në harresë. Përballë konfliktit në Lindjen e Mesme, Papa ndërhyri sërish duke pritur presidentin e Izraelit Isaac Herzog (4 shtator), me të cilin foli në telefon përsëri pas sulmit në Sidnei kundër komunitetit hebre atje.

Po ashtu, Papa Leoni u takua edhe me Presidentin e Autoritetit Kombëtar Palestinez Mahmoud Abbas (5 nëntor). Ai përsëriti si urgjencën e një armëpushimi në Gaza dhe ndihmën humanitare, ashtu edhe nevojën për një zgjidhje me dy shtete. Papa më pas denoncoi - si në fjalimin e tij në seancën plenare të ROACO - «dhunën djallëzore» që ka plagosur Lindjen e Krishterë, duke i nxitur të pranishmit të braktisin «logjikën e ndarjes dhe hakmarrjes» dhe të mos tradhtojnë dëshirat e popujve për paqe «me propagandën e rreme të armatimit».

Kjo thirrje ushtoi edhe më e fuqishme në mesazhin e tij të fundit për Ditën e 59-të Botërore të Paqes. Aty Papa denoncoi «irracionalitetin e marrëdhënieve midis popujve» të bazuara jo te drejtësia dhe besimi, por «te frika dhe sundimi i forcës».

Thirrja apostolike «Dilexi te» e Papës Leonit XIV dhe vëmendja ndaj të varfërve

Thirrja apostolike e Papës Leonit me titull «Dilexi te» , që do të thotë «Unë të kam dashur» ka tone të forta të ngjashme me ato të fjalimit të datës 23 tetor drejtuar «Lëvizjeve Popullore» gjatë pritjes në audiencë në Vatikan për Jubileun e tyre. Në atë rast Papa theksoi rëndësinë e luftës për «të drejtat e shenjta» (tokë, strehim, punë), denoncoi rritjen e padrejtësive sociale, përhapjen e drogave të reja sintetike, «dëmet anësore» të shkaktuara nga teknologjitë e reja dhe trajtimin çnjerëzor të migrantëve «të trajtuar si mbeturina» dhe të varfërve. Kjo vëmendje ndaj të varfërve kristalizohet tek «Dilexi te», thirrja e parë apostolike që përmendëm më lart, botuar më 4 tetor. Bëhet fjalë këtu për një projekt të nisur nga Papa Françesku dhe i çuar më tej nga Papa Leoni.

Të rinjtë, protagonistët e vitit 2025

Nga paraardhësi i tij Leoni XIV, trashëgoi gjithashtu të gjitha angazhimet e Jubileut si dhe kanonizimin e dy shenjtorëve të rinj, Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati-t. Këto dy ceremoni ishin planifikuar fillimisht nën papninë e Françeskut - njëra gjatë Jubileut të Rinisë, tjetra gjatë Jubileut të Adoleshencës - por të dyja u shtynë për shkak të vdekjes së tij. Kështu, ndodhi që këta dy laikë u shpallën shenjtorë nga Leoni XIV më 7 shtator, në një ceremoni në Sheshin e Shën Pjetrit, ku morën pjesë mijëra besimtarë, veçanërisht të rinj.

Të rinjtë! Këta janë protagonistët e tjerë kryesorë të Vitit të Shenjtë dhe një prej pikave kulmore të papnisë së Leonit XIV, me Jubileun kushtuar këtyre që u zhvillua nga 28 korriku deri më 3 gusht. Mbi një milion të rinj dhe të reja të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme mbushën Romën atë javë, duke u dyndur më vonë në Tor Vergata për vigjiljen dhe Meshën me Papën. Një spektakël fytyrash, ngjyrash dhe flamujsh, me Papën që i inkurajoi brezat e rinj të mos kënaqeshin me sipërfaqësinë dhe marrëdhëniet virtuale, por të ndërtonin lidhje të vërteta, duke kapërcyer lidhjet teknologjike dhe mungesën e komunikimit, duke ndërtuar paqen dhe duke u prirë nga shenjtëria.

Përveç takimit në Tor Vergata, në periferi të Romës, Jubileu i të Rinjve paraqet gjithashtu një imazh të paharrueshëm të Papës, i cili mbërriti papritur në makinën e tij që quhet «Papamobile» në Via della Conciliazione dhe Sheshin e Shën Pjetrit për të përshëndetur turmën e mbledhur për festimet e hapjes. «Ju jeni drita e botës!» i foli me të madhe Ipeshkvi i Romës turmës, e cila e mirëpriti me atë me brohorima.

Një tjetër surprizë, përsëri me të rinjtë, është ajo e vizitës së Papës më 17 tetor në Ostia, në bregdetin e Romës, gjatë vizitës së tij në anijen «Bel Espoir» të projektit «Med25», e cila kishte udhëtuar në portet e Mesdheut për muaj të tërë, duke transportuar 25 të rinj të kombësive dhe feve të ndryshme. Mbetet pamja e paharrueshme e Papa Leonit në bordin e anijes me marinarët e paqes që këndonin dhe u binin kitarave. Në atë rast, Papa i ftoi të rinjtë të çojnë «shenja shprese» aty ku ka urrejtje dhe dhunë.

Udhëtimi i Papa Leonit në Turqi dhe Liban

Jehona e asaj ftese gjeti jehonë edhe në panoramën e ndërlikuar të Libanit, ku Papa shkoi pas një ndalesë në Turqi, gjatë udhëtimit të tij të parë apostolik (27 nëntor - 2 dhjetor). Ky udhëtim, të paktën në pjesën turke, ishte planifikuar për 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë. Me atë rast Papa vizitoi Ankaranë ku zhvilloi takime zyrtare dhe më pas fluturoi për në Stamboll, ku u takua me Patriarkun e Kostandinopojës, Bartolomeun I, me të cilin kremtoi një ceremoni përkujtimore në Iznik, në Nikenë e dikurshme, në brigjet e liqenit ku ndodhen rrënojat e Bazilikës së Shën Neofitit. Pikërisht ky është vendi ku u zhvillua kuvendi ekumenik i Nikesë.

Pastaj, në Liban, Papa vizitoi kryeqytetin Bejrut, ku u lut në portin e shkatërruar nga shpërthimi i vitit 2020. Ati i Shenjtë nuk harroi gjithashtu të përqafonte të mbijetuarit dhe familjet e viktimave. Aty kremtoi edhe Meshën e Shenjtë në Bkerké, ku morën pjesë 15,000 të rinj nga Libani dhe e gjithë Lindja e Mesme. Vijoi pastaj edhe takimet me patriarkë dhe përfaqësues të Kishave të krishtera dhe udhëheqës të feve të tjera, me të cilët u lut për paqe. Rishtas, Papa Leoni nuk ngurroi dhe u bëri thirrje palëve ndërluftuese të ulin armët.

Takimi me mbretin Karl dhe bashkëshorten Kamila të Britanisë së Madhe

Para udhëtimit të tij ndërkombëtar, më 20 nëntor, Papa Leoni XIV bëri vizitën e tij të parë në Itali, në Assisi, qytetin e Shën Françeskut, me rastin e përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI). Në këtë qytet të Umbries, Papa u gjunjëzua te varri i Shën Françeskut, duke ia besuar atij fatin e njerëzimit dhe mbarë Krijimit.

Papa gjithashtu pohoi angazhimin e tij për t'u kujdesur për «shtëpinë tonë të përbashkët» gjatë takimit historik me mbretin e Britanisë së Madhe, Karlit I dhe bashkëshortes së tij, Kamilës në mëngjesin e 23 tetorit, në Kapelën Sistine, ku u zhvillua një ceremoni për nder e lavd të Zotit Krijues. Kjo ngjarje forcoi dialogun dhe rrugëtimin drejt unitetit ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj anglikane, kryetar i së cilës, siç dihet është pikërisht mbreti i Anglisë.

Emërimet e reja dhe veprimet e para në kuadër të mbarështimit të Shtetit të Vatikanit

Në vitin 2025, Papa i ri, Leoni XIV bëri gjithashtu emërimet e tij të para të rëndësishme në Selinë e Shenjtë. (Imzot Filippo Iannone, Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë; Ati agustinian Edward Daniang Daleng u emërua Zëvendës Regjent i Prefekturës së Familjes Papnore; Imzot Anthony Onyemuche Ekpo, u emërua vlerësues i Sekretariatit të Shtetit).

Po ashtu, vijuan dhe emërimet e kryeipeshkijve të rinj të Nju Jorkut, Ronald Hicks, dhe të Westminster-it, Charles Phillip Richard Moth. Nëpërmjet dekretit «motu proprio» dhe dekreteve të tjera që pasuan, Papa Leoni XIV reformoi menaxhimin financiar të Vatikanit, duke i hequr IOR-it të drejtën ekskluzive për investime dhe duke futur kushtin «përgjegjësi e përbashkët» me APSA-n. Gjithashtu, Papa Prevost, vendosi Sektorin Qendror të Dioqezës së Romës. Më tej, Ati i Shenjtë, botoi edhe «Rregulloret e reja të Kuries Romake», duke promovuar përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në kolektivin e punës së Selisë së Shenjtë. Në fund pastaj, Papa shfuqizoi «Komisionin për Donacione» për Selinë e Shenjtë, të krijuar më pak se 10 muaj më parë.

Me vështrimin drejt vitit 2026

Një Papë, pra, aktiv dhe i përkushtuar ndaj gjendjes botërore dhe mbarështimit të Selisë Shenjte, pa harruar këtu edhe qindra audienca publike dhe private dhe të gjitha kremtimet e Jubileut kushtuar punëtorëve, punonjësve të kujdesit shëndetësor, diplomatëve, shoqatave dhe grupeve kishtare, edukatorëve, katekistëve, ipeshkvijve, priftërinjve, atletëve dhe, së fundmi, më 14 dhjetor, të burgosurve. Për të këtë fundit, Papa përsëriti thirrjen e tij drejtuar qeverive për të amnisti ose falje në këto çaste përmbyllëse të Jubileut.

Ky Jubile do të përfundojë më 6 janar, kur Porta e Shenjtë në bazilikën e Shën Pjetrit në Romë do të mbyllet. Ndërkaq tri bazilikat e tjera papnore i kanë mbyllur tashmë Portat e tyre të Shenjta sipas kësaj radhe: Shën Maria e Madhe më 25 dhjetor, Shën Gjoni Lateran më 27 dhe Shën Pali Jashtë Mureve më 28 dhjetor.

Kështu, në Solemnitetin e Epifanisë, akti i fundit i Vitit të Shenjtë pasohet nga një tjetër ngjarje e rëndësishme për Kishën dhe papninë e tij: Koncistori i Jashtëzakonshëm që do të mblidhet më 7 dhe 8 janar 2026. Dy ditë reflektimi dhe lutjeje për t'i ofruar «mbështetje dhe këshilla» Papës për mbarështimin e Kishës universale.

 

31 dhjetor 2025, 17:08