Kërko

Kardinali Robert Prevost me Papa Françeskun Kardinali Robert Prevost me Papa Françeskun

Nga Papa Françesku, në epokën e Leonit: viti i 2025, i paharrueshëm për Kishën

Një vit i paharrueshëm për Kishën, viti 2025: vdekja e Papës Françesku, zgjedhja e Papës së parë amerikan, Robert Francis Prevost, i cili arriti në fronin e Pjetrit në Vitin Jubile të Shpresës, i cili mbyllet zyrtarisht më 6 janar. Vit, që po mbaron me pak fjalë: Epifania 2025 - Papa Françesku emëron Motrën Simona Brambilla prefekte e Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Për herë të parë një grua, në një dikaster të Vatikanit.

R.SH. / Vatikan

14 shkurt: Papa Françesku pranohet në Spitalin Gemelli për një infeksion të rëndë respirator. Që nga ajo ditë, do të fillonte periudha e gjatë e shtrimit të Papës Bergoglio në spital. Në botën, që mbante frymën, do të fillonte një zinxhir lutjesh e rruzaresh. Në mars Vatikani publikoi një mesazh audio të shkurtër dhe prekës, të regjistruar nga Papa, në të cilin Bergoglio falënderon besimtarët, me pëshpëritje, për afërsinë dhe lutjen e tyre.

21 prill: Papa Françesku, pasi dha bekimin e Pashkëve Urbi et Orbi nga Lozha, ndërsa një turmë njerëzish mblidheshin rreth papamobilit, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërroi jetë të hënën e Pashkëve, në orën 7:35 të mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës: "një goditje cerebrale e ndjekur nga kolaps kardiak".

8 maj: zgjidhet Robert Francis Prevost, fillon epoka e Leonit: pas Konklavit të shkurtër, është pasardhësi i 267-të i Pjetrit. Papa i parë amerikan dhe augustinian merr emrin Leoni XIV për të nderuar kujtimin e Papës Leoni XIII, Papë i Rerum Novarum. Në paraqitjen e tij të parë, vesh mocetën tradicionale të kuqe me stolë, duke shënuar në veshje, një kthesë më solemne se paraardhësi i tij. Fjala e parë që shqipton është "paqe", shoqëruar me thirrjen për një "paqe të paarmatosur dhe çarmatosëse". Një ditë pas zgjedhjes, në kremtimin e tij të parë,  deklaron qartë se ata që kryejnë shërbesë në Kishë, duhet të lënë mënjanë çdo protagonizëm: "Të zhduken, që të mbetet Krishti; të bëhen të vegjël, që Ai të lavdërohet".

18 maj: Epoka e Leonit fillon me meshën e kurorëzimit në Sheshin e Shën Pjetrit, para një turme përfaqësuesish besnikë dhe institucionalë nga mbarë bota.

22 qershor: Procesioni i Korpit të Krishtit - Leoni kryeson Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, pastaj  i prin procesionit tradicional eukaristik nëpër rrugët e Romës, drejt Santa Maria Maggiore. Gjesti rinis një traditë të lashtë të Kishës Romake.

6 korrik: Kthimi në Castel Gandolfo për një Papë, pas dymbëdhjetë vitesh: Leoni, në përputhje me traditën, rikthehet në rezidencën e tij verore: do të banojë në Villa Barberini (duke e lënë Pallatin Papnor si muze të hapur për publikun, siç është vendosur nga Françesku) për disa ditë pushimi dhe të martën, si ditë pushimi. Këtu takohet dy herë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

3 gusht 2025 - Ndër pikat kryesore të Vitit të Shenjtë të Shpresës ishte edhe Jubileu i Rinisë, i cili mblodhi mbi një milion djem dhe vajza nga e gjithë bota në Romë.

7 shtator: Kanonizimi i Frassati dhe Acutis - Në Sheshin e Shën Pjetrit, bëhet kanonizimi i të Lumit Pier Giorgio Frassati dhe Carlo Acutis, "shenjtorit mbrojtës" të internetit.

4 tetor - Dokumenti i parë, Dilexi te - thirrja e parë apostolike e Papës Leoni, frymëzuar nga një projekt i Papës Françesku, që i kushtohet dashurisë për të varfrit. Mbetet pritja për enciklikën e parë të Prevost, që do t'i kushtohej sfidave të inteligjencës artificiale.   

14 tetor: Leoni në Pallatin Quirinale, me Presidentin Sergio Mattarella.

23 tetor - Papa takohet me Lëvizjet Popullore në Vatikan dhe mban fjalimin e tij të parë, të fuqishëm, duke theksuar rëndësinë e luftës për tokë, strehim dhe vende pune. Në këtë kontekst, denoncon "trajtimin si mbeturina" të migrantëve dhe rritjen e padrejtësisë shoqërore.

 20 nëntor - Papa Leoni, në Assisi, për mbylljen e Asamblesë së Përgjithshme të Konferencës së Ipeshkvijve Italianë, ku thekson se "duhet të mësojmë të themi lamtumirë" dhe lutet te varri i Shën Françeskut, duke kërkuar paqe në botë.

27 nëntor - 2 dhjetor: Udhëtimi i parë ndërkombëtar. Leoni udhëton në Turqi për 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë, pastaj në Liban.

20 dhjetor - Vatikani zyrtarizon Koncistorin e jashtëzakonshëm, të thirrur nga Leoni për 7 e 8 janar 2026, në një takim me kardinalë nga mbarë bota.

22 dhjetor - Fjalim drejtuar Kuries Romake gjatë shkëmbimit të urimeve të Krishtlindjes. Pas zgjedhjes, pohon: "Papët kalojnë, Kuria mbetet". E lëshon edhe ​​një thirrje të fortë, që të lihen mënjanë "dëshirat për përsosmëri dhe dredhi", duke shmangur edhe "mëritë".

25 dhjetor – Porta Shenjte e Shën Marisë së Madhe mbyllet; gjatë ditëve në vijim, mbyllen edhe Portat Shenjte të bazilikave të tjera papnore. Papa do ta përfundojë zyrtarisht Jubileun më 6 janar, me mbylljen e Portës Shenjte të Shën Pjetrit.

31 dhjetor 2025, 12:42