Papa: paqja e Zotit lind midis rrënojave që kërkojnë solidaritet të ri

Në Meshën e ditës së solemnitetit të Krishtlindjes së Zotit, Leoni XIV thekson se Fjala e Zotit e mishëruar klith dëshirën hyjnore për të na takuar. E si të mos shihet, në brishtësinë e Jezusit Foshnje, ajo e atyre që “kërkojnë kujdes, lypin mikpritje”, “kërkojnë duar të afta për butësi dhe mendje të gatshme për vëmendje, dëshirojnë fjalë të mira”? Prej këtu vjen ftesa për të mos harruar ata që jetojnë në tenda në Gaza, të zhvendosurit, refugjatët dhe të pastrehët. Kjo është udha e misionit.

R.SH. – Vatikanit

“Jezusi sot ka lindur në një stallë, në errësirën e natës. Ai, Fjala e Hyjit, u mishërua dhe erdhi në këtë varfëri”, këndon kori i Kapelës Sikstine në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke përfshirë besimtarët në himnin tradicional “Gli angeli delle campagne”. Është solemniteti i Krishtlindjes së Zotit dhe Leoni XIV kryeson Meshën e ditës, “një ditë e re”, në të cilën “kremtojmë” dhuratën e paqes së Zotit për njerëzimin, Fjalën e Tij Hyjnore – “fjalë që vepron” dhe “që kurrë nuk mbetet pa efekt” – duke u mishëruar në jetën dhe historinë tonë njerëzore. Gjashtë mijë besimtarë janë të pranishëm në kremtim, brenda Bazilikës së Shën Pjetrit, ndërsa 4 mijë të tjerë e ndjekin nga ekranet gjigante jashtë, në Sheshin e Vatikanit, hemiciklin e Berninit.

Më poshtë është teksti i plotë i homelisë së Papa Leonit XIV.

                         Homelia e Atit të Shenjtë Leoni XIV në Meshën e Ditës së Krishtlindjes

25 dhjetor 2025

Të dashur motra dhe vëllezër!

"Shpërtheni së bashku në këngë gëzimi" (Is 52,9) i kumton lajmëtari i paqes atij që gjendet ndërmjet rrënojave të një qyteti, të parindërtuar plotësisht. Edhe pse të pluhurosura e të plagosura, këmbët e tyre janë të bukura - shkruan profeti (krahaso Is 52,7) - sepse, përmes rrugëve të gjata dhe me gropa, ata sollën një lajm të gëzueshëm, në të cilin tani gjithçka rilind. Është ditë e re! E na marrim pjesë në këtë kthesë, në të cilën askush nuk duket se beson ende: paqja ekziston e tashmë është mes nesh.

"Po ju lë paqen; po ju jap paqen time. Jo si e jep bota" (Gjn 14,27). Kështu u tha Jezusi dishepujve, të cilëve, pak kohë më parë ua lau këmbët, lajmëtarë të paqes që, aty e tutje, do t’u duhej të vraponin pa u lodhur në mbarë botën për t'u zbuluar të gjithëve "fuqinë që të bëhen bij të Zotit" (Gjn 1,12). Sot, prandaj, jo vetëm jemi të mahnitur nga paqja që tashmë është këtu, por kremtojmë edhe se si na u dha kjo dhuratë. Në si, shkëlqen ndryshimi hyjnor, që na bën të shpërthejmë në këngë gëzimi. Kështu, në të gjithë botën, Krishtlindja është par excellence festë e muzikës dhe e këngëve.

Edhe prologu i Ungjillit të katërt nga Gjoni është himn e ka, si protagonist, Fjalën e Hyjit. "Verbo” është fjalë që vepron. Kjo është karakteristikë e Fjalës së Zotit: nuk është kurrë pa efekt. Nëse e shikojmë më nga afër, shumë nga fjalët tona prodhojnë efekte, nganjëherë të padëshiruara. Po, fjalët veprojnë. Por ja ku është e papritura që na vë përballë liturgjia e Krishtlindjes: Fjala e Zotit duket dhe nuk di të flasë;  vjen tek ne si foshnjë e porsalindur, që vetëm qan e dënesë. "Bëhet mish" (Gjn 1,14) e, megjithëse do të rritet e një ditë do të mësojë gjuhën e popullit të vet, tani flet vetëm prania e tij e thjeshtë dhe e brishtë. "Mishi" është lakuriqësia radikale, që në Betlehem dhe në Kalvar u mungon edhe fjala; kaq shumë vëllezërve e motrave të zhveshur nga dinjiteti dhe të heshtur, u mungon fjala. Trupi njerëzor kërkon kujdes, thërret për pranim dhe njohje, kërkon duar të afta për butësi dhe mendje të hapura ndaj vëmendjes dhe dëshiron fjalë të mira.

"Erdhi tek të vetët, e të vetët nuk e pranuan. Por të gjithë atyre që e pranuan, u dha pushtet të bëhen bij të Zotit" (Gjn 1,11). Ja mënyra paradoksale në të cilën paqja është tashmë ndërmjet nesh: dhurata e Zotit është tërheqëse, kërkon mikpritje e aktivizon vetmohim. Na habit sepse e ekspozon refuzimin; na magjeps, sepse na shkëput nga indiferenca. Është forcë e vërtetë të bëhesh bir i Zotit: fuqi që mbetet e varrosur derisa jemi të shkëputur nga britmat e fëmijëve dhe nga brishtësia e të moshuarve, nga heshtja e pafuqishme e viktimave dhe melankolia e atyre që bëjnë të keqen e padëshiruar.

Siç shkroi i dashuri Papa Françesku, duke na kujtuar gëzimin e Ungjillit: "Nganjëherë ndiejmë tundimin për të qenë të krishterë duke mbajtur distancë të kujdesshme nga plagët e Zotit. Por Jezusi dëshiron që ne ta prekim mjerimin njerëzor, të prekim korpin e vuajtur të të tjerëve. E pret që ne të ndalojmë së kërkuari ato strehime personale a të përbashkëta që na mbajnë larg nga nyja e dramës njerëzore, në mënyrë që të mund të hyjmë vërtet në jetën konkrete të të tjerëve dhe të njohim fuqinë e butësisë" (Nxitja Apostolike Evangelii Gaudium, 270).

Të dashur vëllezër e motra, me që Fjala u bë njeri, tani fjala flet, e shpreh me zë të lartë dëshirën hyjnore për t'u takuar me ne. Fjala e ka ngritur tendën e saj të brishtë ndërmjet nesh. E si mund të mos mendojmë për tendat në Gaza, ekspozuar për javë të tëra në mes shiut, erës dhe të ftohtit, dhe ato të një mori refugjatësh dhe azilkërkuesësh të tjerë në çdo kontinent, apo për strehimet e improvizuara të mijëra njerëzve të pastrehë brenda qyteteve tona? I brishtë është korpi i popullatave të pambrojtura, i sprovuar nga kaq shumë luftëra në vijim ose të përfunduara, duke lënë pas rrënoja dhe plagë të hapura. Të brishta janë mendjet dhe jetët e të rinjve të detyruar të rrokin armët, që pikërisht në ballë të luftës, e kuptojnë kotësinë e asaj që u kërkohet dhe gënjeshtrat që përshkojnë fjalimet bombastike të atyre, të cilët i nisin për të vdekur.

Kur brishtësia e të tjerëve depërton në zemrat tona, kur dhimbja e të tjerëve shkatërron siguritë tona të forta si shkëmbi, atëherë fillon paqja! Paqja e Zotit lind nga një britmë e mirëpritur, nga një britmë e dëgjuar: lind mes rrënojave që thërrasin për solidaritet të ri, lind nga ëndrrat dhe vizionet që, si profecitë, e përmbysin rrjedhën e historisë. Po, e gjithë kjo ekziston, sepse Jezusi është Logos, kuptim nga i cili mori formë gjithçka. "Gjithçka u bë nëpërmjet tij, e pa të nuk asgjë nuk u bë nga çka ekziston" (Gjn 1,3). Ky mister na sfidon nga skenat e lindjes që ndërtuam, duke na hapur sytë drejt një bote në të cilën Fjala jehon ende, "shumë herë dhe në mënyra të ndryshme" (krh. Heb 1,1), dhe sërisht  na thërret për kthesë.

 Sigurisht, Ungjilli nuk e fsheh rezistencën e errësirës ndaj dritës; e përshkruan rrugën e Fjalës së Zotit si rrugë të ashpër, përplot me pengesa. Deri më sot, lajmëtarë të mirëfilltë të paqes e ndjekin Fjalën në këtë rrugë, e cila në fund të fundit arrin tek zemrat: zemra të shqetësuara, të cilat shpesh dëshirojnë pikërisht atë, që reziston. Kështu, Krishtlindja rimotivon një Kishë misionare, duke e shtyrë atë përgjatë shtigjeve përcaktuar nga Fjala e Zotit. Nuk u shërbejmë fjalëve dominuese - ato tashmë jehojnë kudo - por pranisë që frymëzon mirësi, që e njeh realitetin e saj dhe nuk pretendon monopol mbi të.

Ja rruga e misionit: rrugë drejt tjetrit. Në Zotin, çdo fjalë është fjalë e drejtuar, ftesë për bisedë, fjalë që nuk është kurrë e njëjtë. Është ripërtëritja e Koncilit II që Vatikanit, të cilën do ta shohim të lulëzojë vetëm duke ecur së bashku me të gjithë njerëzimin, pa u ndarë kurrë prej tij. Botërorja është e kundërta: të kesh veten në qendër. Lëvizja e Mishërimit është  dinamizëm bisede. Do të ketë paqe kur monologët tanë të ndërpriten dhe, të fekonduar nga dëgjimi, të bien në gjunjë para korpit të zhveshur të të tjerëve.

Virgjëra Mari është pikërisht në këtë Nëna e Kishës, Ylli i ungjillëzimit, Mbretëresha e paqes. Në të kuptojmë se asgjë nuk lind nga shfaqja e forcës, e gjithçka rilind nga fuqia e heshtur e jetës së mirëpritur.

25 dhjetor 2025, 12:59