Kërko

Përgjegjësia historike e besimeve fetare përballë herezisë së Zotit luftëtar

Mesazhi i Papës Leonit XIV për Ditën Botërore të Paqes në një këndvështrim ekumenik.

R.SH. / Vatikan

Në mesazhin e tij për Ditën e 59-të Botërore të Paqes që kremtohet më 1 janar 2026, Papa Leoni XIV i kushtoi një hapësirë ​​të posaçme rolit të feve në zbatimin e paqes së «çarmatosur dhe çarmatosëse». Ashtu si në të gjithë udhëtimin e tij ekumenik gjatë udhëtimit të tij të fundit apostolik në Turqi, që përqendrohej rreth përvjetorit të Koncilit Ekumenik të Nikesë, Papa shqyrtoi këtë temë me realizëm, përkushtim dhe guxim shpirtëror.

Në një paragraf të vetëm, si në «Lumturitë» dhe në qortimet biblike (Mt 23,13-29 ), Papa nxjerr në pah dritat dhe hijet, mundësitë dhe kërcënimet e shërbimit ose «përdorimit» të feve për bekimin e paqes ose blasfeminë e luftës.

Fetë e botës, dhe natyrisht udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre kudo, sot kanë një mundësi historike për të «shndërruar [...] madje edhe mendimet dhe fjalët. Ky [...] shërbim themelor që fetë duhet ti bëjnë njerëzimit» nuk është thjesht një akt besimi individual, e aq më pak një akt besimi fetar i shkëputur nga sfera politike ose shoqërore.

Në këtë pikë, sipas Leonit XIV, ky është një akt vendimtar dhe i guximshëm që nxit vigjilencën kundër «përpjekjes në rritje» për të manipuluar mendjet, shpirtrat dhe fjalët me qëllim që njerëzimi të shkojë drejt luftës. [...]. Prandaj, vetëm një vizion fetar i «çarmatosur» nga dhuna simbolike dhe dialektike mund të ketë dhe gëzojë lirinë e shpirtit, mendjes dhe trupit për të frenuar herezinë që predikon një Hyj luftarak. Për besimet fetare, thënë ndryshe, për «traditat e mëdha shpirtërore», ky angazhim paçebërës, veprues dhe vigjilent ndaj besimit, që të jetë çarmatosës, duhet të tejkalojë identitetin e besimit personal, si dhe hapësirat ekumenike dhe ndërfetare.

Impulsi i tyre i besimit - i jetës, shpresës dhe paqes - duhet të ecë dorë për dorë me «përdorimin e përpiktë të arsyes», për të shkuar «përtej lidhjeve të gjakut ose atyre etnike, përtej atyre vëllazërimeve që njohin vetëm ata që janë të ngjashëm dhe refuzojnë ata që janë të ndryshëm».

Këto parakushte themelore për takimin ndërfetar – të cilat përfshijnë kulturat e ndryshme, që njohin vlerën e gjakut dhe racës tjetër, dhe angazhohen në një dialog dashamirës dhe të pajtueshëm me ata që janë të ndryshëm – kërcënohen seriozisht sotpërsot.

Papa Leoni XIV na paralajmëron kundër tundimit të një ngushëllimi fetar jokritik që supozon se parakushte të tilla themelore, që ngjajnë në një moment të caktuar, janë të pandryshueshme. Ai na shkund nga ky ngushëllim me një zë të qetë por të vendosur: «Sot shohim se kjo nuk mund të merret si e mirëqenë».

Ashtu si edhe në rastet e qortimeve biblike, Ati i Shenjtë Prevost shpreh keqardhje të thellë për përdorimin në rritje të fesë për qëllime të dhunshme, ekskluziviste, çnjerëzore dhe të lidhura me armatosjen: «Për fat të keq, është gjithnjë e më e zakonshme në peizazhin bashkëkohor që fjalët e besimit fetar të futen në luftën politike, të bekohet nacionalizmi dhe të justifikohen dhuna dhe lufta e armatosur nga ana e fesë.»

Sipas Papës Leoni XIV, burrat dhe gratë e fesë që vazhdojnë të besojnë me zemër e shpirt në një Zot paqeje, drejtësie, dashurie, solidariteti që nuk përjashton askënd, kanë një përgjegjësi historike përballë këtyre gënjeshtrave të shqiptuara në emër të Zotit: «Besimtarët duhet të hedhin poshtë në mënyrë aktive – para së gjithash me jetën e tyre – këto forma blasfemie që errësojnë emrin e Shenjtë të Zotit.»

Në drejtpeshim ndërmjet mençurisë së kairosit dituror dhe urgjencës kerzgmatike për të kumtuar këtë kronos të historisë, Papa i përfundon këto rreshta me fjalë udhëzimi dhe sfide ekumenike: «Prandaj, së bashku me veprimin, është më e nevojshme se kurrë të kultivojmë lutjen, përshpirtërinë, dialogun ekumenik dhe ndërfetar si rrugë paqeje dhe gjuhë takimi midis traditave dhe kulturave. Në të gjithë botën, shpresohet që do komunitet të bëhet një shtëpi paqeje, ku mësohet të fashitet armiqësia përmes dialogut, ku drejtësia praktikohet dhe falja ruhet. Sot, më shumë se kurrë, duhet të  tregojmë se paqja nuk është një utopi përmes krijimtarisë baritore të vëmendshme dhe jetëdhënëse.

Tani na takon neve, duke u nisur nga besimi ynë, nga angazhimi ynë ekumenik i krishterë, nga takimet e vërteta ndërfetare dhe dialogu i sinqertë ndërkulturor, të jemi bartës të lumturive të Hyjit të paqes në një vit shprese që nuk zhgënjen. Ky është çasti historik për një lutje të zjarrtë, për dialektikën e paqes, sintaksën e takimit, gatishmërinë vepruese dhe vigjilente të dashurisë midis vëllezërve, vullnetin për të ecur në shtigjet e paqes duke i vënë fre dhunës dhe për të vepruar me guxim në të vërtetën e Zotit, për të hedhur poshtë shpallësit e gënjeshtrave të zotave të rremë të parasë dhe të luftës. Ashtu qoftë.

(marrë nga: OSSERVATORE ROMANO, 29 dhjetor 2025, përgatitur nga MARCELO FIGUEROA)

30 dhjetor 2025, 09:40