Kërko

«Zoja e Guadalupes, nënë për kohën tonë», pohon Papa

Në kujtim të Virgjërës Mari e cila iu shfaq në vitin 1531 Juan Diegos, një azteku të konvertuar në krishterim, Leoni XIV kryesoi Meshën në Bazilikën e Vatikanit dhe ia besoj Zojës fatet e popujve të prekur nga luftërat, ndarjet dhe gënjeshtrat. Mendimi i Papës shkoi te qeveritarët, te të rinjtë, te ata që janë larguar nga Kisha, te familjet, te të kushtuarit. Së fundi, lutja për Pasardhësin e Pjetrit që "të konfirmojë në udhën e vetme" që çon te Krishti ata që i janë besuar.

R.SH. - Vatikan

Në mes të konflikteve që nuk pushojnë, padrejtësive dhe dhimbjeve që kërkojnë lehtësim, Maria e Guadalupes shpall thelbin e mesazhit të saj: "A nuk jam këtu unë, që jam nëna jote?". Leoni XIV kryeson Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, në kujtim të së Lumes Virgjër Mari të Guadalupes, veçanërisht e nderuar nga popullsitë e Amerikës Latine, aq sa çdo vit në malin Tepeyac, në kryeqytetin aktual meksikan, miliona shtegtarë vizitojnë Shenjtëroren që i është kushtuar asaj. Aty ruhet manteli (tilmàtli) i Asaj që u shfaq për herë të katërt në pak ditë, më 12 dhjetor 1531, aztekut Juan Diego Cuauhtlatoatzin.

Tradita tregon fjalë sigurie të shprehura nga Zoja Mari gjatë këtyre shfaqjeve. Shenja e mrekullueshme se ishte Virgjëra Mari ishte ftesa e saj drejtuar të riut Juan Diego për të mbledhur trëndafila, jashtë sezonit, dhe për t'i vendosur në një mantel. Kur iu soll ipeshkvit në atë kohë, manteli mbante imazhin e tij që do të mbahej në histori si takimi midis vendasve dhe Krishtit. Brishtësia e fibrave bimore nga të cilat është bërë, disa sulme dhe një zjarr, nuk e kanë prishur atë imazh. Zoja Mari këtu shfaqet si një vajzë e re indiane e quajtur nga besimtarët "Virgen morenita". Imazhi Zojës Bekueme që paraqet atë fytyrë dhe atë mantel të dallueshëm shfaqet në fund të tendës së Bazilikës së Vatikanit. Papa, në predikimin e tij, të mbajtur në spanjisht si e gjithë liturgjia, ia beson veten Zojës së Guadalupes: ajo është "Nëna e dashurisë" që lejon veten të transformohet nga zjarri përvëlues i Fjalës së Zotit. Pastaj Ati i Shenjtë kujton episodin e shfaqjeve të Zojës Mari përmes të cilave "tek banorët e Amerikës" u zgjua "gëzimi i të diturit se ishin të dashur nga Zoti".

Qeveritarët le të ruajnë dinjitetin e çdo personi

Maria Virgjër na mbështet me praninë e saj kur jeta bëhet e padurueshme, kujton Papa, i cili, me një zemër fëmije, ia beson Virgjërës lutjen e tij intime për të mësuar, para së gjithash, ta perceptojë dhe ta jetojë këtë bijësi. "Na trego, oj Zoja Mari, si të ecim me besim kur forca dështon dhe hijet rriten. Na bën të kuptojmë se me ty edhe dimri bëhet një kohë trëndafilash". Dhe pastaj mesazhi për një kohë të tashme plot hije, i përsëritur edhe në ndjetet e lutjes së besimtarëve:

Nënë, mësoju kombeve që dëshirojnë të jenë bijtë e tu të mos e ndajnë botën në fraksione të papajtueshme, të mos lejojnë që urrejtja të shënojë historinë e tyre, as gënjeshtrat të shkruajnë kujtesën e tyre. Tregojuni atyre se autoriteti duhet të ushtrohet si shërbim dhe jo si dominim. Udhëzoji udhëheqësit e kombeve në detyrën e tyre për të mbrojtur dinjitetin e çdo personi në të gjitha fazat e jetës. Bëji ata popuj, fëmijë tua, vende ku çdo person mund të ndihet i mirëpritur.

13 dhjetor 2025, 07:51