Leo XIV në Sallën Pali VI u përcjellë urimet e Krishtlindjes punonjësve të Vatikanit. Leo XIV në Sallën Pali VI u përcjellë urimet e Krishtlindjes punonjësve të Vatikanit.

Leoni XIV punonjësve të Vatikanit: thjeshtësia dhe përvujtëria, stilet e Kishës

Papa takohet për herë të parë me punonjësit në shërbim të Selisë së Shenjtë, të Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe Vikariatit të Romës, për të shkëmbyer urimet për Krishtlindje. "Një mozaik i madh zyrash dhe shërbimesh", të cilët Ati i Shenjtë i fton të punojnë me përkushtim e zell, sepse detyrat e përditshme kanë kuptim në planin e Zotit.

R.SH. / Vatikan

Një "çast familjar" në pritje të Krishtlindjes, me "mozaikun e madh të zyrave dhe shërbimeve" përfaqësuar nga Vatikani: Leoni XIV e përshkruan kështu takimin e 21 dhjetorit të këtij viti, në Sallën Pali VI, në Vatikan, me punonjës të Selisë së Shenjtë, Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe Vikariatit të Romës, pritur në audiencë së bashku me të familjet e tyre. Ngjarje tradicionale, që Papa Prevost e jetoi sot për herë të parë, me "kënaqësi të madhe".

Puna e përditshme merr kuptim në planin e Zotit

Reflektimi i Leonit XIV frymëzohet nga Shpella e Betlehemit me skenën e Lindjes së Jezusit, e vendosur në sallën Pali VI, projektuar nga Nervi: skenë Lindjeje e Jezusit e rrethuar, sipas traditës, me shtatore që përfaqësojnë profesione të ndryshme. Janë zanate të lashta, që ndoshta nuk ekzistojnë më, por “që e ruajnë ende kuptimin e tyre brenda skenës së lindjes së Krishtit".

 Na kujtojnë se të gjitha veprimtaritë dhe detyrat tona të përditshme, e marrin kuptimin e tyre të plotë në planin e Zotit, i cili e ka qendrën në Jezu Krishtin.

Angazhim dhe përkushtim

Nga grazhdi - vazhdon Papa – Krishti Fëmijë i bekon të gjithë, madje edhe ata personazhe që, të zënë me "aktivitetet e tyre të përditshme", duken "të shkëputur nga ngjarja qendrore" e Lindjes së Krishtit. Në realitet, ky nuk është rasti.

Secili prej nesh kryen detyrën e tij ose të saj, e ne i japim lavdi Zotit pikërisht duke e bërë atë mirë, me përkushtim. Ndonjëherë jemi aq të zënë në jetën tonë, sa nuk mendojmë për Zotin, as për Kishën, por vetë akti i punës me përkushtim, duke u përpjekur të japim çka kemi më të mirë, e gjithashtu - për ju laikë - me dashuri për familjen tuaj, për fëmijët tuaj, i jep lavdi Zotit.

Thjeshtësi e Përvujtëri

Prej këndej buron mësimi i Krishtlindjes, e Papa ua kujton këtë të pranishmëve:

Të mësojmë nga Lindja e Krishtit stilin e thjeshtësisë dhe të përvujtërisë, e të punojmë së bashku, që ky të bëhet gjithnjë e më shumë stil i Kishës, në të gjitha shprehjet e saj.

Lutje për të moshuarit e të sëmurët

Duke shpresuar, së fundmi, të jetë në gjendje t’i vizitojë, "ngadalë, e me ndihmën e Zotit", vendet e punës, Papa u drejtoi një mendim e një lutje të posaçme të moshuarve e të sëmurëve, duke u uruar të gjithëve:

"Krishtlindje të shenjtë, me gëzimin e qetësinë, që na e dhuron Jezusi"

22 dhjetor 2025, 12:15