Kërko

Leoni XIV: t’i njohësh talentet marrë nga Zoti e t’i vësh në shërbim të të tjerëve

Duke u takuar me një grup shtegtarësh nga famullia e Shën Tomës të Villanovës, në Alcalá de Henares të Spanjës, Papa u përqendrua në disa tipare të murgut augustinian, që meritonin reflektim: lutja e vazhdueshme, zelli, dashuria për të varfrit dhe "shqetësimi i shenjtë" për të qenë gjithnjë në prani të Zotit. "Kjo nënkupton brendinë e thellë dhe zbrazjen e vetes, për ta dëgjuar dhe për ta lejuar Zotin të veprojë".

R.SH. / Vatikan

Një "dëshmi përkushtimi dhe besnikërie", që mund të ndihmojë "për të reflektuar në nivel personal, familjar e komunitar". Kjo është oferta nga Shën Toma i Villanovës, murg augustinian, që jetoi ndërmjet shekujve  XV dhe të XVI në Spanjë, ku ishte kryeipeshkëv i Valencias. Leoni XIV e theksoi këtë dëshmi, gjatë takimit me një grup shtegtarësh nga Alcalá de Henares, famullia e së cilës mban emrin e shenjtit, ardhur në Romë për Jubileun. 

Lutja vazhdon

Duke përshëndetur ngrohtësisht besimtarët në spanjisht, të pritur së bashku me ipeshkvin e tyre, Imzot Antonio Prieto Lucena, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik, Papa kujtoi se Shën Toma i Villanovës e kaloi një pjesë të jetës së tij në Alcalá de Henares dhe se qyteti "ruan gjurmë të rëndësishme të kalimit të tij tokësor". Më pas u ndalua tek disa nga "karakteristikat e tij dalluese". Në jetën dhe shkrimet e Shën Tomës, zbuloi një ndjekje të pandërprerë të lutjes së vazhdueshme, domethënë një shqetësim të shenjtë për të qenë në prani të Zotit në çdo kohë. Kjo përfshin brendësinë e thellë dhe zbrazjen e vetes për ta dëgjuar dhe për ta lejuar Zotin të veprojë. 

Vendosja e talenteve në shërbim të të tjerëve

Papa Leoni XIV, më pas, theksoi "punën e palodhur" të fratit augustinian, i cili "na sfidon" "në një botë, që duket se na ofron gjithçka, gjithnjë, më shpejt e më lehtë". Thjeshtësia dhe maturia e tij, vetëmohimi në punën e tij - veçanërisht në mjedisin universitar - dhe zelli i tij apostolik, na bëjnë të besojmë se duhet t'i njohim talentet që morëm dhe t'i vëmë në shërbim të bashkësisë, me angazhim dhe përkushtim, në mënyrë që ato të shumëfishohen për të mirën e të gjithëve.

Dashuria për të varfrit

Së fundi, Leoni kujtoi "edhe dashurinë e Shën Tomës të Villanovës për të varfrit, gjë që e vlerësoi me titullin 'Lypës i Zotit'". Në vijim, falënderoi besimtarët e famullisë së Alcalá de Henares, kushtuar atij për angazhimin  ndaj nevojtarëve dhe të varfërve, duke kujtuar çka është shkruar në Dilexi te:

"Të varfrit nuk janë vetëm njerëz për t’u ndihmuar, por prani sakramendore e Zotit".

Para se të përfundonte audiencën, Papa dha edhe porosinë e fundit: "Shkoni përpara, duke ndjekur gjurmët e Krishtit, të inkurajuar dhe të frymëzuar nga dëshmia e shenjtorëve".

29 dhjetor 2025, 14:28