Leoni XIV: Shpella e Betlehemit, dhuratë drite në botën e etur për shpresë
R.SH. - Vatikan
Shpella e Betlehemit është "zakon i përshkrimit të Lindjes së Zotit në një larmi mënyrash", përfaqësim "që shpesh përdor tiparet e kulturës dhe peizazhet e tokës amtare të "Misterit të mishërimit". Kjo e bën "shenjë të rëndësishme: na kujton se jemi pjesë e një aventure të mrekullueshme shpëtimi, në të cilën nuk ndjehemi kurrë vetëm".
Përhapeni, pra, këtë mesazh, e mbajeni gjallë këtë traditë. Janë dhuratë drite për botën tonë, e cila ka kaq shumë nevojë të vazhdojë rrugën në kërkim të shpresës!
E kjo është shpresa me të cilën Leoni XIV shoqëroi përshëndetjen e tij drejtuar afërsisht një mijë pjesëmarrësve të Skenës së Betlehemit të Gjallë të Shën Marisë së Madhe dhe betlemistët e skenave të lindjes, të pritur sot paradite, më 13 dhjetor, në Sallën e Bekimit, në Vatikan.
Shtegtim në djepin e Shpëtimtarit
Sot, në fakt, pjesëmarrësit në ripërsëritjen e gjallë të Lindjes së Jezusit, siç vuri në dukje Papa në përshëndetjen e tij, po festojnë Jubileun e tyre. Në orën 11:30 të paradites, ata kalojnë nëpër Derën e Shenjtë të Bazilikës së Santa Maria Maggiore për të bërë homazhe në varrin e Papa Françeskut. Pastaj, në orën 12:00, ata marrin pjesë në Meshën e kryesuar nga Kardinali Rolandas Makrickas, kryeprift i Bazilikës Papnore, "Betlehemi i Zotit". Në orën 15:00, ata fillojnë procesionin e Lindjes së Gjallë, duke u nisur nga Kisha e Ndihmës së Përjetshme në Via Merulana 26, në Romë. Në orën 17:30, ata mbërrijnë në Santa Maria Maggiore për të nderuar reliken e Djepit të Shenjtë, grazhdit në të cilin, sipas traditës, u vendos Jezusi Foshnje e porsalindur. "Ishte pikërisht ajo relike e lashtë që, së bashku me udhëtimin drejt Tokës së Shenjtë, frymëzoi Shën Françeskun, në vitin 1223, të festonte për herë të parë 'Krishtlindja e Greçit', fillimin e traditës së skenës së Lindjes", kujton Leoni XIV.
Një ardhje "e paarmatosur dhe çarmatosëse"
Lindja e Shpëtimtarit është një mesazh më vete, madje edhe përmes mënyrës se si ndodh. Zoti, shpjegon Papa, duke cituar një Katekizëm nga Benedikti XVI mbajtur në dhjetor 2009, "vjen pa armë, pa forcë, për të mposhtur krenarinë, dhunën dhe lakminë e njeriut dhe për të na udhëhequr drejt identitetit tonë të vërtetë". Prandaj, soditja e skenës së Lindjes së Krishtit është një formë konvertimi sepse na lejon të hyjmë në një përvojë autentike të njohjes së Krishtit dhe rrugëve të tij: "Ndërsa soditim skenën e Krishtlindjes, jemi të ftuar të nisemi shpirtërisht, të tërhequr nga përvujtëria e Atij që u bë njeri për t'u takuar me çdo njeri", shton Leoni XIV, duke cituar Letrën Apostolike të Papa Françeskut Admirabile signum. Është pikërisht kështu: nga shpella e Betlehemit, ku Maria, Jozefi dhe Foshnja gjenden në varfërinë e tyre çarmatosëse, ne nisemi përsëri për të filluar një jetë të re në gjurmët e Krishtit. Ju do ta dëshmoni këtë këtë pasdite, me procesionin që do të përshkojë rrugët e qytetit.
Kushdo që merr pjesë në përfaqësimin e një skene të gjallë të Lindjes së Jezusit është pra një pishtar, një bartës drite. [Procesioni], me koreografinë, kostumet dhe muzikën e tij, do të jetë një shenjë e gëzueshme se sa e bukur është të jesh dishepuj të Jezusit, Hyjit të bërë njeri, diellit që lind "për të ndriçuar mbi ata që rrinë në errësirë dhe në hijen e vdekjes, dhe për të udhëhequr hapat tanë në rrugën e paqes". (Lk 1,79).
