Leoni XIV: shmangeni "aktivizmin e ethshëm" që të zhgënjen dhe e zbraz kremtimin e Krishtlindjes
R.SH. / Vatikan
Pas disa ditësh do të jetë Krishtlindja dhe imagjino se në shtëpitë tuaja po përfundon ose është përfunduar tashmë vendosja e betlehemit, përfaqësimi prekës i Misterit të Lindjes së Krishtit. Shpresoj që një element kaq i rëndësishëm, jo vetëm për besimin tonë, por edhe për kulturën dhe artin e krishterë, të vazhdojë të jetë pjesë e Krishtlindjes për të kujtuar Jezusin, i cili, duke u bërë njeri, erdhi “për të banuar në mes nesh.
Pra, jemi në përgatitje të një feste: Krishtlindjes. Por nëse do të na rrëmbejë furia e përgatitjes, rrezikohemi ta zhvlerësojmë kuptimin më të vërtetë të 25 dhjetorit, deri në atë pikë, sa ta zhgënjejmë dhe ta errësojmë ardhjen e Jezusit, "thesarit të jetës sonë". Sot paradite, 17 dhjetor, Papa Leoni XIV tërhoqi vëmendjen lidhur me interpretimin "sipërfaqësor" të ardhjes së Zotit në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve që, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, flisnin gjuhë të ndryshme.
Shpella e Betlehemit, simbol feje, arti, kulture
Shpella e Betlehemit me skenën e lindjes, është "paraqitje prekëse e Misterit të Lindjes së Krishtit", tha Papa duke iu drejtuar shtegtarëve italianë, e uroi që ky element, kaq i rëndësishëm në këndvështrimin fetar, kulturor dhe artistik, të jetë gjithnjë pjesë e traditës së Krishtlindjes, për ta kujtuar Jezusin që, duke u bërë njeri, erdhi "të banojë ndër ne".
Mos e boshatisni Krishtlindjen
Besimtarët që flasin frëngjisht, Leoni XIV i porositi që gjatë përgatitjes për Krishtlindje t’i kundërvihen "aktivizmit frenetik", që rrezikon ta zbrazë Krishtlindjen, dhe i lë hapësirë zhgënjimit. Le të gjejmë, ndërkaq kohë për t’i bërë zemrat të vëmendshme e të gatshme, ndërsa presim Jezusin, në mënyrë që prania e tij e dashur të bëhet përgjithmonë thesari i jetës dhe i zemrës sonë.
Pendesa dhe tërheqjet shpirtërore
Shtegtarët polakë Papa i këshilloi të përgatiten për Krishtlindje përmes marrjes së sakramentit të pendesës dhe tërheqjeve shpirtërore, përvoja të afta për të dhuruar paqe, gëzim dhe ndjenja të vërteta kuptimi në jetë.
Pritje me gëzim
Koha e Ardhjes na fton të përgatitemi për Krishtlindje, duke e mirëpritur Jezusin pa ngurrim. Ai është shpresa jonë. Ta presim, prandaj, me gëzim festën e lindjes së Tij dhe të lutemi së bashku, plot besim: "Eja, o Zot Jezus!".
Një ftesë prekëse u drejtohet në vijim edhe shtegtarëve gjermanishtfolës. E më pas Papa inkurajon shtegtarët portugezë të thonë nëntëditëshin e Krishtlindjes, "e pasur në traditë" ndër shumë bashkësi lokale e mundësi e re për lehtësimin e zemrave.
Së fundi Leoni XIV u kujton besimtarëve arabishtfolës se të krishterët "janë të thirrur t’i hapin zemrat për dashurinë e Zotit dhe të afërmit, në mënyrë që të mbushen me paqe e gëzim të vërtetë".
Paqe e gëzim: dy fjalët e shumëpritura për t’u jetuar këto ditë të lume, kur bota mbarë kundron Jezusin në shpellën e Betlehemit e këndon njëherësh me Engjëjt e me barinjtë:
“Lumni Zotit në qiell e njerëzve vullentmirë mbi tokë!”.
