Shugurime meshtarake (foto arkivore) (Vatican Media) Shugurime meshtarake (foto arkivore) (Vatican Media)

Papa bën thirrje për më shumë kolegjialitet në letrën për mbarështimin meshtarak

60 vjet pas Dekreteve Optatam totius dhe Presbyterorum Ordinis, u shpërnda Letra apostolike "Një besnikëri që krijon të ardhmen", e cila riafirmon shtyllat e thirrjes meshtarake. Një vëmendje ndaj formimit të vazhdueshëm, që është më i nevojshëm se kurrë për shkak të krizës së besimit në Kishë shkaktuar nga abuzimet dhe "realitetit të dhimbshëm" të braktisjes së shërbesës. Ripohohet thirrja për përvujtëri, vëllazëri, bashkëpunim me diakonët dhe laikët, përdorimi i mençur i rrjeteve sociale

R.SH. - Vatikan

Besnikëria e shprehur në shërbimin e përvuajtur ndaj çdo personi, në dialogun e vazhdueshëm me Zotin dhe Popullin e Tij përmes një formimi të vazhdueshëm, në dimensionin e vëllazërisë ndërmjet meshtarëve dhe me Kishën e gjithëmbarshme, në frymën misionare dhe sinodale që kalon çdo tundim të vetëlavdërimit. Këto janë disa nga prioritetet që Leoni XIV dëshiron që të intensifikohen në jetën meshtarake, të përfshira në Letrën Apostolike "Një besnikëri që krijon të ardhmen", e nënshkruar më 8 dhjetor dhe shpërndarë sot, më 22 dhjetor.

Rasti është përvjetori i 60-të i Dekreteve të Koncilit të Dytë të Vatikanit Optatam totius dhe Presbyterorum Ordinis, dokumente të cilat konsiderohensi "gur themelor i reflektimit mbi natyrën dhe misionine shërbimit baritor", të cilat duhet rilexuar me freski dhe aktualitet duke pasur parasysh atë rrënjë që nuk duhet harruar kurrë, thekson Papa, që është lidhja e pashmangshme ndërmjet Krishtit dhe Kishës. Urimi i Papës është që kremtimi i këtyre dy përvjetorëve të krijojë një "Rrëshajë të re të thirrjes meshtarake".

Formim i plotë dhe i vazhdueshëm për të parandaluar abuzimet dhe braktisjet
Për të kujtuar dy dokumentet e koncilit të Dytë të Vatikanit Optatam totius dhe Presbyterorum Ordinis, sipas asaj që shkruan Leoni, duhet së pari të rikthehemi tek zëri i Shpirtit që ka ushqyer në zanafillë dëshirën për këtë thirrje baritore, një "dhuratë e lirë dhe falas që vjen nga Hyji". Papa inkurajon promovimin e nismave për formim të vazhdueshëm për priftërinjtë, si për shembull, ai i seminarit të shkurtit të vitit të kaluar, që mblodhi më shumë se tetëqind përfaqësues nga tetëdhjetë kombësi. Seminari, shton Ati i Shenjtë, duhet të jetë "një shkollë e ndjenjave" që duhet të edukojë për një qëndrueshmëri të tillë që çdo dimension njerëzor dhe shpirtëror të integrohet mirë. Kështu, njeriu është në gjendje të krijojë "marrëdhënie autentike me të gjithë" dhe mund të "marrë angazhimin e celibatit dhe të shpallë ungjillin në mënyrë të besueshme". Në veçanti, reflektimi nuk e harron dhimbjen që ka shkaktuar kriza e besimit:

Në këto dekada të fundit, kriza e besimit në Kishë, e shkaktuar nga abuzimet që janë bërë nga anëtarë të klerit, që na mbushin me turp dhe na kujtojnë e thërrasin në përvujtëri, na ka bërë edhe më të vetëdijshëm për urgjencën e një formimi të gjithanshëm që siguron rritjen dhe pjekurinë njerëzore të kandidatëve për meshtari, së bashku me një jetë shpirtërore të pasur dhe të fortë. Tema e formimit është gjithashtu qendrore për të përballuar fenomenin e atyre që, pas disa vjetësh ose edhe pas dekadash, braktisin shërbesën. Ky realitet i dhimbshëm, për këtë arsye, nuk duhet interpretuar vetëm në një mënyrë juridike, por kërkon të shikohet me vëmendje dhe mëshirë në historinë e këtyre vëllezërve dhe shkaqet e shumta që mund t’i kishin çuar në një vendim të tillë. Dhe përgjigjja që duhet dhënë është para së gjithash një angazhim i rinovuar formimi...

Asnjë bari nuk ekziston i vetëm
Papa Leoni nënvizon e shumë e ndalet te tundimi i autoreferencialitetit, që duhet shmangur sepse kuptimi i thirrjes meshtarake është gjithmonë i lidhur me të tjerët: "Asnjë bari nuk ekziston i vetëm!"
[...] nuk është kurrë një udhëtim vetëm individual, por na angazhon të kujdesemi për njëri-tjetrin. Kjo dinamikë është gjithmonë një veprim i hirit të Zotit që përfshin njerëzimin tonë të brishtë, duke e shëruar atë nga narcizmi dhe egocentrizmi. Me fe, shpresë dhe dashuri, ne jemi të thirrur të ndjekim çdo ditë shtegun pas Krishtit duke vendosur gjithë besimin tonë tek Zoti. Bashkimi, sinodaliteti dhe misioni nuk mund të realizohen nëse, në zemrën e meshtarëve, tundimi i autoreferencialitetit nuk i lë vend logjikës së dëgjimit dhe shërbimit.

Vëllazëria meshtarake, thekson më tej teksti, nuk është vetëm një ideal ose një slogan, "por një aspekt mbi të cilin duhet të angazhohemi me forcë të rinovuar". Në këtë drejtim, thotë Papa, ka ende shumë për të bërë. Dhe kalo konkretisht te disa çështje: "nga barazia ekonomike midis atyre që shërbejnë në famulli të varfra dhe atyre që ushtrojnë shërbimin në komunitete që gëzojnë mirëqenie" deri tek sigurimet për sëmundje dhe pleqëri, që në disa dioqeza ose shtete nuk janë ende të siguruara. "Kujdesi i ndërsjellë", thekson më tej Papa, duke e konsideruar këtë një kërkesë themelore, "veçanërisht kujdesi për vëllezërit më të vetmuar dhe të izoluar, si dhe ata të sëmurë e të moshuar, nuk mund të konsiderohet më pak e rëndësishme se ai ndaj popullit që na është besuar".

22 dhjetor 2025, 11:30