Papa Leoni XIV, personazh i 2025-sës për Treccani-n
R.SH. / Vatikan
Leoni XIV është Personazhi i vitit 2025 sipas Institutit të Enciklopedisë Italiane Treccani, që e zgjodhi Papën "sepse e vuri papninë e tij në vlerat themelore të përvojës së krishterë, siç janë thjeshtësia, maturia dhe dëgjimi, shprehja ideale e një Kishe të varfër për të varfrit". "I matur në praninë dhe në fjalët e tij", siç e kujton Libri i vitit Treccani 2025, Leoni XIV deshi ta zbehte figurën e tij, ta pakësonte zhurmën, t’i balanconte pozicionet dhe audiencat, duke shmangur me durim përpjekjet për ta vendosur atë në të djathtë ose në të majtë, si politikisht ashtu edhe teologjikisht.
Papa, në një botë të ndërlikuar
Leoni XIV, Papa i parë amerikan, misionari i parë modern dhe biri i parë i Urdhrit të Shën Augustinit - lexohet akoma - po zbaton aftësitë e qeverisjes të zhvilluara gjatë misionit të tij të gjatë në Peru dhe tani ndodhet, si Papë, duke vepruar në një botë ku fuqitë që aspirojnë të bëhen "përsëri të mëdha" kërkojnë që të tjerët të tkurren në vetëdije, për të drejtat e tyre. Në këtë skenar të shënuar nga sfida globale të pashoqe dhe të ndërlidhura, Papa i ri thirret për të vendosur një axhendë të ndërlikuar, ndërmjet nyjeve për t'u zgjidhur ose për t’u prerë, përgjatë një rruge zgjedhjesh selektive, përgjigjesh të matura dhe shtyrjesh të menduara mirë, të cilat nuk i premtojnë as mirëpëlqim të lehtë dhe as të menjëhershëm një papnie të angazhuar për të nxitur paqe "të çarmatosur dhe çarmatosëse".
Proagonist i rëndësishëm, në skenën ndërkombëtare
Libri Treccani i vitit 2025 - që ka arritur në botimin e tij të njëzet e gjashtë - përshkon 365 ditë të ngarkuara nga tensione lufte, ekonomike dhe sociale, por edhe nga ngjarje të papritura historike, aktuale dhe kulturore, duke përfshirë, sigurisht, zgjedhjen e Papës së ri. Një rrëfim apasionues, me 600 faqe, 1,169 lajme të thelluara, 108 artikuj nga autorë të njohur, 95 kuti editoriale, 81 grafikë dhe harta dhe 446 fotografi.
"Kërkuam të rrëfejmë një vit të vështirë, të plotë dhe me analizë të thelluar", vëren Drejtori Marcello Sorgi, "falë themelit të fortë profesional të Enciklopedisë Treccani dhe një rrjeti bashkëpunëtorësh të jashtëm e të kualifikuar, që garantojnë një perspektivë të gjerë dhe rigoroze mbi një të tashme shumë komplekse dhe e gjetëm pikërisht në Kishën e Papës Leoni XIV një protagonist të ri të madh në skenën ndërkombëtare, prej këndej zgjedhja për ta emëruar atë Personazhin e vitit".
