Në Sallën e Re të Sinodit, konferenca "Maria: Ylli i Ungjillëzimit dhe Misionit për Amerikën Latine Sot", së cilës Papa i dërgoi një mesazh. Në Sallën e Re të Sinodit, konferenca "Maria: Ylli i Ungjillëzimit dhe Misionit për Amerikën Latine Sot", së cilës Papa i dërgoi një mesazh.

Papa: shërbëtorë e dishepuj, gurë të gjallë që pasojnë Krishtin

Në mesazhin e dërguar meshtarëve, rregulltarëve dhe seminaristëve të Amerikës Latine që jetojnë në Romë dhe janë mbledhur në Vatikan për një konferencë mbi Marinë Virgjër, Leoni XIV nxit të kultivohet lidhja e thellë me Zotin, një bashkim i ngjashëm me atë bashkëshortor. Ftesa është që të jetojnë me guxim dhe të ruajnë në zemër bukuritë e mrekullitë që Zoti ka kryer në çdo burrë dhe në çdo grua.

R.SH. – Vatikan

“Kurrfarë lidhjeje me duartrokitjet, jehona e të cilave është jetëshkurtër, e as kujtimi i ditëve të trishtueshme e të hidhura. Në vend të kësaj, të mësohemi të jetojmë si jetoi Krishti, me qartësi në zemrat tona, duke dëgjuar zërin e Tij”. Këto, udhëzimet e Papës Leoni në një mesazh të datës 9 dhjetor, Festa e Shën Juan Diego Cuauhtlatoatzin, pjesëmarrësve në takimin në Sallën e Re të Sinodit të priftërinjve, rregulltarëve dhe seminaristëve latino-amerikanë, që studiojnë në Romë, me temë: "Maria: Ylli i ungjillëzimit dhe i misionit për Amerikën Latine sot".

Reflektimi i Papës filloi me "më ndiqni" të Jezusit drejtuar dishepujve, nismë absolute e Zotit - shpjegoi - pa asnjë meritë nga ana e bashkëbiseduesve të tij", "mundësi për t'ua çuar mesazhin e Ungjillit mëkatarëve dhe të ligshtëve". Kështu, dishepujt bëhen "mjete të planit të shpëtimit të Zotit për të gjithë njerëzit". Në Ungjill, vërejti Leoni XIV, ka "disa kërkesa të caktuara" të natyrshme në thirrje: ajo e "primatit absolut të Zotit"; "nevoja për njohuri teorike dhe praktike të ligjit hyjnor" dhe "nevoja për shkëputje nga çdo siguri njerëzore, me dhurimin pasues", theksoi Papa, "të gjithçkaje që jemi e që kemi".

Zëri i Jezusit, në errësirën e natës

Të lësh gjithçka, siç theksoi Shën Ambrozi, nuk do të thotë të shmangësh detyrat natyrore, por "t’i hapësh sytë për një jetë të re" në të cilën asgjë nuk mund të vihet para Zotit. Bashkimi me Të “përkthehet në bashkim me të tjerët. Ne nuk ecim - shkruan Papa - në vetmi; jemi pjesë e një bashkësie. Nuk na bashkojnë lidhjet e simpatisë, interesave të përbashkëta apo komoditetit të ndërsjellë, por duke i përkitur popullit që Zoti e fitoi me çmimin e Gjakut të tij”. Duke kujtuar shprehjen “më ndiq” të Jezusit drejtuar Pjetrit, Papa Leoni kujtoi se ato fjalë, të lindura në kontekstin e Ngjalljes, menjëherë pas rrëfimit të trefishtë të dashurisë së Pjetrit si dëmshpërblim për mëkatin e tij, na mësojnë të besojmë në zërin e Jezusit “në zemër të natës a gjatë stuhive”, një zë që “do të na mbështesë me durim plot dashuri”.

Qartësi ndër veshë e në zemër

Zoti, shtoi Papa, e njeh brishtësinë e secilit prej nesh, egoizmin që na përshkon dhe bëhet “pengesë   për ta ndjekur dëshirën tonë”. “Jetojmë në një shoqëri konfuze dhe të zhurmshme; sot më shumë se kurrë, ndjehet nevoja për shërbëtorë dhe dishepuj që shpallin primatin absolut të Krishtit dhe që e kanë tonin e zërit të tij shumë të qartë në veshët dhe zemrat e tyre”. Njohja e ligjit hyjnor vjen nga leximi i Shkrimeve Shenjte, "i medituar në heshtjen e lutjes së thellë, duke mirëpritur me nderim zërin e barinjve legjitimë dhe duke studiuar me vëmendje thesaret e shumta të urtisë, që na i ofron Kisha".

Të jetosh si Ai

Për Papën, motoja që duhet ndjekur është: "Nëse Krishti jetoi kështu, edhe ne duhet të jetojmë si Ai", përtej gëzimeve dhe vështirësive. "Nuk duhet të kapesh pas duartrokitjeve, sepse jehona e tyre është jetëshkurtër; as nuk është e shëndetshme të mbetesh vetëm në kujtesën e ditëve të krizës ose çasteve të zhgënjimit të hidhur". Duhet t'i përmbahemi dëshirës së Zotit për ne, një lidhje e ngjashme me atë që u thuhet bashkëshortëve të krishterë në ditën e tyre të dasmës: "Në sëmundje e në shëndet, në varfëri dhe në pasuri".

Duke ia besuar udhëtimin Zojës së Guadalupes, Papa i drejtohet Asaj për të na ftuar t’i përgjigjemi “me guxim” thirrjes, “duke ruajtur në zemrat tona mrekullitë që Krishti kreu në ne, në mënyrë që të shkojmë përpara, pa vonesë, për të shpallur gëzimin e takimit me të, për të qenë një - në Një - e gurë të gjallë të një tempulli për lavdinë e tij”.

12 dhjetor 2025, 13:55