Leoni XIV muzikantëve: arti juaj qoftë formë dashurie për më të ligshtit
R.SH. / Vatikan
Dinjiteti i burrave dhe grave nuk matet me pasuritë e tyre: ne nuk jemi pasuritë dhe sendet tona, por përkundrazi, fëmijët e dashur të Zotit! E kjo dashuri duhet të jetë shenja dalluese e veprimeve tona përballë të tjerëve. Për këtë arsye, në Koncertin tonë, vëllezërit dhe motrat tona më të brishta, zënë vendet e para.
Kështu e përmblodhi Papa Leoni XIV kuptimin e Koncertit me të Varfrit, duke pritur sot, të premten, më 5 dhjetor, në Sallën Klementine të Vatikanit, organizatorët dhe artistët që do ta shfaqin nesër, në orën 17:30, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Ngjarja, të cilën Papa e quajti "intuitë e lumtur e Papës Françesku", e që "po bëhet traditë e bukur", tani ka arritur në edicionin e saj të gjashtë dhe radhitet, shtoi Papa, "në kontekstin e përgatitjes për Krishtlindjen Shenjte".
Zoti, që bëhet fëmijë, që ia beson veten kujdesit të prindërve njerëzorë, që dhuron veten për secilin prej nesh, është Ikona e dashurisë hyjnore, që vjen për të na shpëtuar.
Në Krishtlindje, Zoti na ofron një model dashurie për ta ndjekur.
Në Krishtlindje, shpjegoi më tej Leoni XIV duke cituar enciklikën e parë të Papës Benedikti XVI, Deus Caritas Est, "Vetë Zoti ndjek 'delen e humbur', njerëzimin e vuajtur e të humbur". Ky shqetësim hyjnor është model për ne; ai duhet t’u prijë veprimeve të krishterëve dhe përfaqëson çastin kur të krishterët realizohen plotësisht si njerëz.
Duke e shikuar Atë, ne mund të mësojmë të duam, ashtu siç na deshi; mund të zbulojmë se urdhërimi i dashurisë u përgjigjet nevojave tona më të përnjëmendta, sepse kjo ndodh pikërisht kur duam ta realizojmë vërtet vetveten.
Mënyra e saktë për ta perceptuar Koncertin është, pra, ta interpretojmë si mundësi për të dashur më të varfrit dhe më të ligshtit.
Nuk është vetëm shfaqje nga artistë të talentuar apo ngjarje e thjeshtë muzikore, as edhe çast solidariteti për të qetësuar ndërgjegjen tonë përballë padrejtësive të shoqërisë.
Papa u kërkoi afërsisht 150 organizatorëve dhe artistëve që takoi sot, rreth orës 12:00, t’i mbajnë mend fjalët e Krishtit në Ungjillin e Mateut, për të adoptuar qëndrimin e duhur gjatë shfaqjes: atë të dhurimit: "Gjithçka që bëtë për një nga më të vegjlit e këtyre vëllezërve të mi, e bëtë për mua". E “nëse e duam konkretisht kë ka uri e etje, kë është pa petka, i sëmurë, i huaj, i burgosur, jemi duke dashur vetë Zotin", vazhdoi Papa.
Muzika, festë e misterit të Zotit
Duke cituar Shën Augustinin, i cili në Komentin e Psalmeve, ftonte për t'i kënduar Zotit, "por me art", "jo me stonime", Leoni XIV kujtoi "rolin e rëndësishëm" të muzikës "në përvojën e krishterë", e veçanërisht, në liturgji.
Arti i katërt, argumentoi, nuk është "nënsfond i thjeshtë”, por duhet ta "lartojë shpirtin, për ta afruar sa më shumë të jetë e mundur me misterin që kremtohet".
Më lejoni pra, vëllezër e motra, një batutë: ju lutem, këndoni mirë nesër! Këndoni dhe luani me art e, sidomos, me zemër, sepse muzika mund të përfaqësojë vërtet një formë dashurie, një via pulchritudinis, që të çon te Zoti.
Këtë theksoi së fundmi Leoni XIV, duke cituar Përshëndetjet për promovuesit dhe artistët, dhënë vetëm një vit më parë nga Papa Françesku, i cili na ftoi ta shohim bukurinë si dhuratë nga Zoti "për të gjitha qeniet njerëzore, të bashkuara nga i njëjti dinjitet dhe të thirrura për vëllazërim".
Mbrojtja e Shën Cecilias
Papa më pas falënderoi "të gjithë ata që po punojnë shumë për të siguruar suksesin e Koncertit"...
në veçanti Kardinalin Vikar të dioqezës së Romës Baldo Reina, Monsinjor Marco Frisina, së bashku me Korin e Dioqezës së Romës, Orkestrën dhe Fondacionin Nova Opera, aktoren Serena Autieri, Michael Bublé dhe Bandën e tij, dhe secilin prej artistëve, për të mos përmendur të gjithë partnerët, mbështetja bujare e të cilëve e bën të mundur këtë ngjarje.
Në fund të takimit, Papa ia besoi organizatorët dhe artistët e Koncertit "ndërhyrjes amtare të Virgjërës së Papërlyer Mari", duke kërkuar për ta mbrojtjen e Shën Çeçilies, "Pajtore e muzikantëve", dhe duke shpresuar se "Zoti do të vazhdojë ta bekojë angazhimin e tyre dhe këtë vepër të bukur".
