Kërko

Papa te këmbët e Zojës së Papërlyer: njerëzimi është në sprovë, të lulëzojnë dinjiteti dhe paqja

Papa në Sheshin e Spanjës, në Romë, për aktin tradicional të devocionit ndaj statujës së Virgjërës Mari të Papërlyer. I rrethuar nga 30 mijë besimtarë, Leoni XIV i lutet Zojës që “të lulëzojë shpresa jubilare në Romë dhe në të gjitha viset e tokës” dhe shpreh urimin që pas Portave të Shenjta të hapura për Jubileun, të hapen porta të tjera "të shtëpive" dhe "oazesh paqeje ku të rilulëzojë dinjiteti, të edukohet për jo-dhunën, të mësohet arti i pajtimit"

R.SH. / Vatikan

Leoni XIV ngre sytë drejt statujës së Zojës së Papërlyer në Sheshin Mignanelli, afër Piazza di Spagna, në Romë, në Romë, në prani të tridhjetë mijë romakëve dhe shtegtarëve. Në bazën prej mermeri të monumentit kushtuar Zojës së Bekuar, i cili me 27 metrat e tij lartësie mbulon Romën, Papa – me ndihmën e dy zotërinjve të Shenjtërisë së Tij – vendos një kurorë me trëndafila të bardhë dhe, në të njëjtën kohë, i vë te këmbët e Zojës Mari shpresat për këtë “njerëzim të sprovuar, nganjëherë të shtypur” me lutjen që pas Portave të Shenjta të hapura për Jubileun, “të hapen tani porta të tjera të shtëpive dhe oazeve të paqes”.

Të rilulëzojë dinjiteti, të edukohet për jo-dhunën, të mësohet arti i pajtimit

Një traditë e pandërprerë

Edhesivjet përtërihet akti i devocionit të Papës ndaj statujës së Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës, në qendër të Romës. Një takim që vulos lidhjen midis Romes dhe ipeshkvit të saj. Leoni XIV vazhdon traditën e filluar nga Gjoni XXIII në 1958 e cila nuk është pandërprerë kurrë, as gjatë viteve të pandemisë së Covid-19, kur Papa Françesku deshi gjithashtu të kryente “privatisht”, në mëngjes herët, aktin e nderimit ndaj monumentit marian të realizuar nga arkitekti Luigi Poletti dhe skulptori Giuseppe Obici në nder të dogmës së Ngjizjes sëPapërlyer, do të thotë të zënit pa njollë mëkati të Virgjrës Mari.

Dritë e butë

Para lutjes, Leoni XIV vesh stolën liturgjike, pastaj ngre kokën drejt statujës sëZojës Mari. Në krahun e djathtë, era lëviz kurorën e luleve të vendosura, siç është tradita, në agim nga kreu i repartit të zjarrfikësve të Romës. Papa bën shenjën e kryqit, pastaj me zërin e tij, lutja jehon nga altoparlantët në zemër të Romës:

Virgjër e Papërlyer, Nënë, të Falem, o Maria! Gëzohu, o hirplote, me atë hir që, si dritë e ëmbël, i bën të ndritshëm ata mbi të cilët shkëlqen prania e Zotit.

 

Në vijim lutja shqiptuar nga Papa Leoni XIV sot pasdite  në Sheshin Mignanelli, afër Piazza di Spagna, në Romë, te këmbët e statujës së Zojës së Papërlyer:

 

LEONI XIV Lutja, Zojës së Papërlyer

Piazza di Spagna, Romë (8 dhjetor 2025)

 

Të përshëndesim, o Mari!

Gëzohu, o hirplote,

me atë hir që, si dritë e ëmbël, i bën të ndritshëm

ata mbi të cilët shkëlqen prania e Zotit.

 

Misteri të rrethoi që nga fillimi,

që nga kraharori i nënës sate i nisi në ty punët e mëdha,

të cilat shpejt ta kërkuan pëlqimin,

atë "Po" që frymëzoi "po" të tjera.

 

E Panjollë, Nënë e një populli besnik,

transparenca jote e ndriçon Romën me dritë të amshuar,

shtegu yt i parfumon rrugët e saj

më shumë se lulet që ne t’i dhurojmë sot.

Shumë shtegtarë nga  bota mbarë, o e Papërlyer,

ecën në rrugët e këtij qyteti

gjatë historisë, e edhe në këtë Vit Jubilar.

Njerëzim i vënë në sprovë e shpesh i shtypur,

i përvujtë, si toka, ku Zoti e krijoi

e ku nuk pushon kurrë  fryma e Shpirtit të Tij të jetës.

Shiko, o Mari, kaq shumë bij e bija tek të cilët shpresa

kurrë nuk u shua!

Lulëzoje ndër ta, çka e mbolli yt Bir,

Ai, Fjala e gjallë që kërkon në secilin të rritet më tej,

të marrë korp, fytyrë e zë.

Lulëzoftë shpresa e Jubileut në Romë dhe në çdo skaj të tokës,

shpresa në botën e re që Zoti po e përgatit,

e për të cilën ti, o Virgjër, je si sythi e si agimi.

Pas portave të shenjta, u hapshin dyer të tjera

shtëpish e oazesh të paqes, ku rilulëzoftë dinjiteti,

u edukoftë jeta pa dhunë e u mësoftë dhe arti i pajtimit!  

 

Ardhtë mbretëria e Zotit,

risia që e shpresove aq shumë e zemrën ia hape plotësisht,

si foshnjë, si e re e si nënë e Kishës në lindje.

Frymëzo udhë të reja në Kishën që nëpër Romë ecën,

e në Kishat e veçanta, që në çdo rrethanë

mbledhin gëzimet edhe shpresat, hidhërimet edhe ankthet

e bashkëkohësve tanë, veçanërisht të të varfërve

dhe të gjithë atyre që vuajnë.

Pagëzimi krijoftë rishtas burra e gra të shenjtë e të panjollë,

të thirrur për t'u bërë anëtarë të gjallë të Korpit të Krishtit,

Korp që vepron, e ngushëllon, e pajton dhe e shndërron

qytetin tokësor, ku përgatitet Qyteti i Zotit.

Ndërmjetëso për ne, përballë me ndryshimet

që duket se na gjejnë të pagatitur e të pafuqi.

Frymëzo ëndrra, vegime e guxim:

Ti, që e di më shumë se kushdo,

se asgjë nuk është e pamundur për Zotin,

e njëheresh se Zoti asgjë s’e bën i vetëm.

 

Na nxit për udhë, me ngutin që një ditë t’i nxitojmë hapat  

drejt kushërirës sate Elizabeta

edhe me frikën që të bëri mërgimtare e shtegtare,

për të qenë e lume, po, por mbi gjithë gratë,

dishepulle e parë e Tand Bir Jezus

e nëna e Zotit me ne.

Ndihmona të jemi gjithmonë Kishë me e ndërmjet njerëzve,

majà në brumin e një njerëzimi, që kërkon drejtësi dhe shpresë.

E panjollë e grua me bukuri të pafund,

kujdesu për këtë qytet, edhe për këtë njerëzim.

Drejtoje atë te Jezusi, çoje te Jezusi, paraqitja Jezusit!

08 dhjetor 2025, 12:40