Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Leoni XIV: Krishti u jep zë të shtypurve dhe e mund ideologjinë

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV komentoi Ungjillin e Mateut dhe përsëriti se Jezusi vazhdon të na flasë nëpërmjet të varfërve, të braktisurve, të sëmurëve. Ashtu si Gjon Pagëzuesi, i burgosur për shkak të predikimit, na nxit të mos humbasim shpresën dhe të mbetemi "zë i lirë në kërkim të së vërtetës dhe të drejtësisë".

R.SH. / Vatikan

Është bota e burgjeve, që po feston Jubileun sot, e diel, 14 dhjetor. Shtegtarë të kombësive të ndryshme me  flamuj e banderola si dhe turistë të zakonshëm dëgjojnë predikimin e Papës Leoni gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të kësaj të diele të tretë të Kohës së Ardhjes, sipas Ungjillit të Mateut. Gjon Pagëzuesi ndodhet pas hekurave për shkak të predikimit të tij, por pavarësisht vuajtjeve në burg, nuk e humb shpresën; edhe në zinxhirë, mbetet zë i lirë, në kërkim të së vërtetës dhe të drejtësisë. E nga ai burg,  kërkon Mesinë dhe e pyet: "A je ti ai që do të vijë, apo duhet të presim një tjetër?"

Të fundmit, në qendër

Përgjigja e Jezusit, pohoi Papa, e ngul shikimin nga ata, që i donte, që u shërbeu dhe që edhe sot janë ende në zemër të Kishës:

"Janë ata: të fundmit, të varfrit, të sëmurët që flasin për Të. Krishti kumton kush është, përmes asaj që bën. E ajo që bën, është  shenjë shpëtimi për të gjithë ne. Në të vërtetë, kur  takon Jezusin, jeta pa dritë, pa fjalë e pa shije rifiton rishtas kuptimin: të verbërit shohin, memecët flasin, të shurdhërit dëgjojnë. Shëmbëlltyra e Zotit, e shpërfytyruar nga lebra, rifiton integritetin dhe shëndetin. Edhe të vdekurit, plotësisht të pandjeshëm, kthehen në jetë. Ky është Ungjilli i Jezusit, lajmi i mirë i shpallur të varfërve: kur Zoti vjen në botë, shihet!".

Krishti, shpresë në orën e sprovës

Fjala e Zotit, vijon, ka fuqi çliruese e shëruese. Prej këndej, ftesa për t'u gëzuar sepse Krishti është shpresa jonë, "sidomos në kohë provash", kur jeta humbet kuptimin dhe   lodhemi duke dëgjuar të tjerët. Ai u jep zë të shtypurve, të cilët kanë heshtur nga dhuna dhe urrejtja; e mposht ideologjinë që na bën të shurdhër për të vërtetën; Ai na shëron nga dukjet që shtrembërojnë trupin. Fjala e jetës na shpengon kështu nga e keqja që e çon zemrën drejt vdekjes. Prandaj, si dishepuj të Zotit, në këtë Kohë të Ardhjes, jemi të thirrur të bashkojmë pritjen e Shëlbuesit me vëmendjen ndaj asaj që Zoti po bën në botë. Atëherë do të mund të shijojmë gëzimin e lirisë, që takon Shpëtimtarin e saj...

Thirrje për Republikën Demokratike të Kongos

Në fund të lutjes së mariane, pasi kujton lumnimet në Spanjë e Francë e edhe shumë martirë të guximshëm vrarë për fenë e tyre, Leoni larton përsëri zërin në favor të paqes. Papa shpreh shqetësimin për rifillimin e luftimeve në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos, afërsinë me popullsinë dhe fton për t’i respektuar proceset e paqes, në vijim.

14 dhjetor 2025, 14:49

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >