Kërko

Leoni XIV: Jozefi heq dorë nga siguria, për ta lëshuar veten në dorë të Zotit

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa lartoi cilësitë e dhëndrrit të Marisë: devocionin, bamirësinë e mëshirën. Sjellje që "e edukojnë zemrën" për falje dhe inkurajim, duke na bërë "betlehem mikpritës" për njëri-tjetrin.

R.SH. / Vatikan

Brishtësia e një burri dhe siguritë e tij: brigje të njohura dhe porte qetësuese, nga të cilat Jozefi shkëputet për të "dalë në thellësi", duke ia besuar veten "duarve të Zotit", e jo një rruge të papërcaktuar nga hartat njerëzore. Krishtlindja po afrohet e, bashkë me të, figura e atit kujdestar të Jezusit është në qendër të mendimit të Papës Leoni XIV sot, më 21 dhjetor, para kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Burrë "i brishtë dhe i gabueshëm"

Liturgjia e së dielës së katërt të Kohës së Ardhjes përqendrohet te burrin e Marisë,  Jozefin, i paraqitur veçanërisht në çastin kur Zoti ia zbulon misionin e tij në ëndërr. Faqe, kjo, e historisë së shëlbimit, që paraqet një protagonist "të brishtë dhe të gabueshëm", si të gjithë të tjerët, por të  guximshëm dhe të palëkundur në fe.

Mëshirë që lind nga respektimi

Njeri "i drejtë": kështu e përcakton Marku ungjilltar, duke e përshkruar Jozefin si izraelit i devotshëm, që i përmbahet Ligjit e shkon shpesh në sinagogë. Këto tipare - thekson Papa - nuk e bëjnë të ngurtë, as nuk e zvogëlojnë ndjeshmërinë njerëzore të atit, kujdestar të Jezusit. Kjo duket edhe para zbulesës së misterit të Engjëllit, që  shpaloset para Marisë, përballë një situate "të vështirë për t'u kuptuar e për t’u pranuar". Në marrëdhëniet me nusen e tij të ardhshme, Marinë, Jozefi nuk ecën në udhën e "shkandullit" dhe "të dënimit publik"...Përkundrazi, zgjedh rrugën e mohimit të fshehtë, dashamirës, të heshtur.

Dhe kështu zbulon kuptimin më të thellë të respektimit të tij fetar: atë të mëshirës.

Duke u larguar nga brigjet e sigurisë

Pastërtia dhe fisnikëria e ndjenjave të atit-kujdestar të Jezusit, vazhdon Papa Leoni XIV , shkëlqejnë kur Zoti i zbulon në ëndërr "planin e tij të shëlbimit", duke i treguar "rolin e papritur" që duhet të luante: "burri i Virgjërës së Mesisë".

Këtu Jozefi, me një akt të madh besimi, braktisë edhe bregun e fundit të sigurisë së tij e niset drejt një ardhmërie, tani plotësisht në duart e Zotit.

Një miratim, që Shën Agustini e përshkruan kështu: "përmes devotshmërisë dhe bamirësisë së Jozefit, lindi nga Virgjëra Mari një bir, e me të vërtetë Biri i Zotit".

Virtytet e Jozefit

Mëshirë dhe bamirësi, mëshirë dhe braktisje: këto janë virtytet e Jozefit që Papa i nxori në pah me dritën e Krishtlindjeve që po afrohen. Qëndrime që "edukojnë zemrën" për takimin me Krishtin dhe me të tjerët, duke mbështetur njëri-tjetrin “si skenë mikpritëse lindjeje, si shtëpi mikpritëse e shenjë e pranisë së Zotit".

Fal dhe inkurajo!

Si mund të shndërrohet e konkretizohet gjithë kjo në jetën e përditshme? Leoni XIV na nxit të falim, të inkurajojmë dhe t’u japim shpresë vëllezërve dhe motrave që hasim. Ai gjithashtu na fton të ripërtërijmë braktisjen tonë ndaj Zotit dhe Provanisë së tij në lutje, “duke ia besuar gjithçka kemi” me besim të plotë!

Na ndihmofshin në këtë Virgjëra Mari dhe Shën Jozefi, të cilët ishin të parët që e pritën Jezusin, Shëlbuesin e botës.

21 dhjetor 2025, 13:07

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >