Kërko

Një Kishë në qytetin Kaya, Burkina Faso Një Kishë në qytetin Kaya, Burkina Faso  (SESAME PICTURES)

Leoni XIV: guximi i Shtjefnit i frymëzoftë ata që vuajnë për fenë e krishterë

Pas lutjes së Engjëllit të Zotit duke kujtuar festën e sotme që përkujton martirin e parë të historisë së krishterë, Papa i nxit ata që janë të angazhuar në situata konflikti të shikojnë shembullin e tij të butësisë dhe faljes për të nxitur dialogun, pajtimin dhe paqen.

R.SH. – Vatikan

Butësia që nuk tërhiqet përballë dhunës. Guximi që, në vuajtje, ngre sytë drejt qiellit dhe i besohet Atij, deri sa gjen forcën për të falur ata që po i marrin jetën. Kjo është trashëgimia shpirtërore e Shën Shtjefnit, martirit të parë të historisë së krishterë, që Kisha e përkujton sot, më 26 dhjetor, në qendër të thirrjes së Papës Leoni XIV drejtuar besimtarëve të mbledhur në mesditën e sotme në Sheshin Shën Pjetër, në Vatikan, për lutjen mariane të Engjëllit të Zotit

Butësi, guxim dhe falje
Pasi rinovoi urimet për “paqe dhe qetësi” në dritën e Krishtlindjes së Zotit, Ati i Shenjtë Prevost kërkoi ndërmjetësimin e Shën Shtjefnit për të mbështetur fenë e secilit dhe të bashkësive “që vuajnë më shumë për dëshminë e tyre të krishterë”.

Shembulli i tij i butësisë, i guximit dhe i faljes i shoqëroftë ata që angazhohen në situata konflikti për të nxitur dialogun, pajtimin dhe paqen.

Dhunë e fjalëve
Shqetësimin e tij për përndjekjet e përditshme ndaj bashkësive të krishtera, Papa Leoni XIV e pati shprehur edhe gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të 16 nëntorit të kaluar, duke shpjeguar se ato nuk shfaqen vetëm përmes “armëve” dhe “keqtrajtimeve”, por edhe përmes fjalëve, domethënë “gënjeshtrës dhe manipulimit ideologjik”.

Sidomos kur jemi të shtypur nga këto të këqija, fizike dhe morale, jemi të thirrur të dëshmojmë të vërtetën që e shpëton botën, drejtësinë që i çliron popujt nga trysnia, shpresën që u tregon të gjithëve rrugën e paqes.

Martirët, shembuj të “shpresës së paarmatosur”
Dhe nëse Shtjefni është martiri i parë, shumë prej atyre që e pasuan janë cilësuar nga vetë Leoni XIV, në përkujtimin e atyre që humbën jetën për shkak të fesë në shekullin XXI më 14 shtator të kaluar, si shembuj të ndritshëm të “shpresës së paarmatosur”, e aftë të përqafojë “forcën e dobët dhe të butë të Ungjillit”. Ata janë gjithashtu “tharmi i një njerëzimi paqësor dhe vëllazëror”.

Zonat që vuajnë përndjekjen
“Nëse një anëtar vuan, të gjithë anëtarët vuajnë me të”. Me këtë citim nga Letra e Parë drejtuar Korintasve e Shën Palit, Ati i Shenjtë Leoni XIV iu drejtua, më 10 tetor të kaluar, delegacionit të fondacionit papnor Ndihmë për Kishën që Vuan, duke tërhequr vëmendjen mbi armiqësitë dhe dhunat në rritje të ushtruara kundër bashkësive të ndryshme fetare. Në atë rast, Papa përmendi disa kontekste veçanërisht të goditura nga kjo plagë, si Republika e Afrikës Qendrore, Burkina Faso, Mozambiku dhe Peruja, toka e tij e misionit.

26 dhjetor 2025, 13:08