Kërko

Papa me Patriarkun e Kostandinopojës në Iznik për pëerkujtimin e 1700 vjetorit të Koncilit të Nikesë Papa me Patriarkun e Kostandinopojës në Iznik për pëerkujtimin e 1700 vjetorit të Koncilit të Nikesë

Leoni XIV: dialogu i të krishterëve me besimet dhe kulturat e tjera e bën të mundur paqen

Papa, në përshëndetjet e tij pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi përsëri udhëtimin e tij të parë apostolik në Turqi e Liban, përfunduar së fundmi. Ftoi për ta ripërtërirë impenjimin në udhën ekumenike, kujtoi takimin me katolikët e të dy vendeve dhe përshkroi ndikimin emocional të takimeve. Mendimet e tij shkuan posaçërisht tek viktimat e përmbytjeve në Azinë Jugore dhe Juglindore.

R.SH. / Vatikan

Ekumenizëm, dialog, solidaritet, paqe. Disa nga elementet kryesore të udhëtimit të parë apostolik të Leonit XIV në Turqi e në Liban, përfunduar para pak kohe, u përsëriten me forcë në përshëndetjet e tij pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kur Papa u rikthye në aspektet kyçe, si takimi me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës - "vëllai im i dashur Bartolomeu", siç e quan. Së bashku me përfaqësues të besimeve të tjera të krishtera, në Izniki, qyteti i lashtë i Nikesë, Papa Leoni XIV përkujtoi 1700-vjetorin e Sinodit të parë Ekumenik në histori.

Leoni XIV theksoi më pas vlerën historike të përvjetorit të sotëm, 60 vjet që nga 7 dhjetori 1965, kur Pali VI dhe Athenagoras nënshkruan Deklaratën e Përbashkët që i dha fund shkishërimit të tyre të ndërsjellë të vitit 1054, hap themelor drejt dialogut ekumenik. Ta falënderojmë Zotin dhe ta përtërijmë angazhimin tonë për udhëtimin drejt unitetit të plotë e të dukshëm të të gjithë të krishterëve. Në Turqi - vijoi Papa - pata gëzimin e takimit me bashkësinë katolike: përmes dialogut të duruar dhe shërbimit ndaj atyre që vuajnë, po jep dëshmi për Ungjillin e dashurisë dhe logjikën e Zotit të manifestuar në vogëlsi.

Libani, vend bashkëjetese

Në Liban, ndalesë e dytë e shtegtimit të tij, Leoni XIV kujton "shumë dëshmi" që ende konfirmojnë identitetin si "mozaik bashkëjetese". Takova - vijon - njerëz që shpallin Ungjillin duke mirëpritur të zhvendosurit, duke vizituar të burgosurit dhe duke ndarë bukën me ata që kanë nevojë. U ngushëllova kur takova kaq shumë njerëz në rrugë duke më përshëndetur dhe u preka nga takimi me të afërmit e viktimave të shpërthimit në portin e Bejrutit. Libanezët prisnin një fjalë dhe një prani ngushëllimi, por ishin ata që më ngushëlluan me besimin dhe entuziazmin e tyre!

Paqja është e mundur

Çastet e jetuara gjatë ditëve të shtegtimit në këto dy vende janë dëshmi e drejtpërdrejtë se si bashkëpunimi ndërmjet feve mund të çojë në ndërtimin e bashkëjetesës plot harmoni. Papa e thekson këtë, duke u dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë të gjithë besimtarëve.

Të dashur vëllezër dhe motra, ajo që ka ndodhur ditët e fundit në Turqi dhe Liban na mëson se paqja është e mundur dhe se të krishterët, në dialog me burra dhe gra të besimeve dhe kulturave të tjera, mund të kontribuojnë në ndërtimin e saj. Të mos harrojmë: paqja është e mundur!

Lutje për Azinë Jugore dhe Juglindore

Papa, së fundi, shprehu afërsinë e tij "me popujt e Azisë Jugore dhe Juglindore, të vënë në prova të rënda nga fatkeqësitë e fundit natyrore", duke ofruar lutjet e tij për "viktimat, për familjet që mbajnë zi për të dashurit e tyre dhe për ata që ofrojnë ndihmë", dhe e nxiti "bashkësinë ndërkombëtare e të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, t’i mbështesin vëllezërit dhe motrat tona në ato rajone, me gjeste solidariteti".

07 dhjetor 2025, 15:37