Leoni XIV: bota dëshiron një projekt çlirues dhe paqësor, jo strategji të armatosura
R.SH. / Vatikan
R.SH. - Vatikan
Plani i Zotit dhe strategjitë e njerëzve. Urtësia dhe mëshira hyjnore, përballë llogaritjes shkatërruese të njeriut. Propozimi i Zotit dhe imponimet e njerëzve. Kështu shprehet, mes tjerash, Papa Leoni në homelinë e Lutjeve të Para të Mbrëmësores së festës së Shën Marisë, Nënës së Zotit, kur tashmë kanë mbetur vetëm pak orë nga hyrja në vitin e ri kalendarik. Në Bazilikën e Vatikanit, me 5.500 besimtarë, jehon gëzimi i falënderimit të Kishës universale, ndërsa në botë jehojnë alarme të tjera, raketa, bubullima, shpërthime, zëra të fuqishëm pushtimi. Aq më tepër, kur, ky gëzim nuk mund të mbetet indiferent, nuk mund të mos mbushet me shpresë të re dhe me dëshirë për të mirën e njerëzimit të plagosur.
Lutja është e përshkuar nga butësia dhe harmonia. Kori i Kapelës Sikstine e modulon dhe e shoqëron atë, nga fillimi deri në fund, me një hir të veçantë. Me këngën latine “Ave, stella Maris” ngrihet lutja për dhuratën e paqes, tema që përbën sfondin e vazhdueshëm të liturgjisë, thirrja drejtuar Zotit për të thyer zinxhirët e të shtypurve. Antifona e Psalmëve kujton planin e mrekullueshëm të Hyjit për të lindur nga një virgjër. Më pas vijnë vargjet e Psalmit 112, në të cilat buron lavdia që do të shpërthejë edhe më fuqishëm në himnin e Madhërimit. Letra e Palit drejtuar Efesianëve është himni i përmbledhjes së projektit të Hyjit: e gjithë krijesa merr pjesë në falënderimin për veprën e Zotit.
KËTU TEKSTI I PLOTË I HOMELISË SË PAPËS
Liturgjia e Mbrëmësoreve të Para të Nënës së Zotit
Të dashur Vëllezër dhe Motra!
Liturgjia e Mbrëmësores së Parë të Nënës së Zotit, veçanërisht e pasur, buron si nga misteri marramendës që kremton, ashtu edhe nga kremtimi i saj në fund të vitit diellor. Antifonat e psalmeve dhe të himnit të Madhërimit (Magnificat) theksojnë për ngjarjen paradoksale të Zotit që lind nga virgjëra, ose, thënë anasjelltas, të amësisë hyjnore të Marisë.
E, në të njëjtën kohë, ky solemnitet, që përfundon Tetëditëshin e Krishtlindjes, shënon kalimin nga një vit në tjetrin dhe shtrin mbi të bekimin e Atij "që ishte, që është dhe që po vjen" (Zbulesa 1,8). Për më tepër, sot e kremtojmë në fund të Jubileut, në zemër të Romës, pranë Varrit të Pjetrit, e atëherë lutja e Te Deum, që do të jehojë së shpejti në këtë Bazilikë, do duket si të dëshironte të zgjerohej për t'u dhënë zë të gjitha zemrave e fytyrave që kalojnë nën këto kupola edhe nëpër rrugët e këtij qyteti.
Dëgjuam në Leximin biblik, një nga përmbledhjet mahnitëse të Shën Palit Apostull: “Kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit e që ne ta fitonim bijësinë në shpirt” (Gal 4,4-5).
Kjo mënyrë për ta paraqitur misterin e Krishtit të bën të mendosh për një plan, një plan të madh për historinë njerëzore. Një plan misterioz, po me një qendër të qartë, si mal i lartë i ndriçuar nga dielli në mes të një pylli të dendur: kjo qendër është “plotësia e kohës”.
E pikërisht kjo fjalë -“plan” - jehoi në himnin e Letrës së Efesianëve: “për të vënë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit / të gjitha qeniet që janë në qiell e në tokë./ Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet ‑ synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të ‑ kur të plotësohej koha: d. m. th. Të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit (EF 1,9-10).
Motra, vëllezër, në këtë kohën tonë ndjejmë nevojën për një plan të mençur, dashamir e të mëshirshëm. Qoftë plan i lirë e çlirues, paqësor e besnik, si ai që Virgjëra Mari e shpalli në këngën e saj të lavdit: "Mëshira e tij brezni më brezni, për ata që e druajnë (Lk 1,50).
Plane të tjera, megjithatë, sot si dje, e përfshijnë botën. Ato janë më tepër strategji që synojnë pushtimin e tregjeve, territoreve dhe sferave të ndikimit. Strategji të armatosura, të mbuluara me fjalime hipokrite, shpallje ideologjike dhe motive të rreme fetare.
Por Nëna Shenjte e Zotit, më e vogla dhe më e larta nga të gjitha krijesat, i sheh gjërat me sytë e Zotit: shikon sesi me fuqinë e krahut të vet i Tejetlarti i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi të fuqishmit prej froneve të tyre dhe i lartoi të përvuajturit. Me të mira i mbushi të uriturit e të pasurit i nisi duarthatë (shih Lk 1,51-53).
Nëna e Jezusit është gruaja me të cilën Zoti, në plotëninë e kohës, shkroi Fjalën që zbulon misterin. Nuk e imponoi: së pari ia propozoi zemrës së saj e, pasi mori "pohimin”, e shkroi me dashuri të patreguar në mish. Kështu, shpresa e Zotit u ndërthur me shpresën e Marisë, pasardhëse e Abrahamit sipas mishit e, sidomos, sipas fesë.
Zoti dëshiron të shpresojë me zemrat e të vegjëlve, dhe e bën këtë duke i përfshirë në planin e tij të shpëtimit. Sa më i bukur të jetë plani, aq më e madhe është shpresa. E në të vërtetë, bota vazhdon kështu, e shtyrë nga shpresa e kaq shumë njerëzve të thjeshtë, të panjohur, por jo për Zotin, të cilët, pavarësisht nga gjithçka, besojnë në një të nesërme më të mirë, ngaqë e dinë se e ardhmja është në duart e Atij që u ofron shpresën më të madhe.
Një nga këta njerëz ishte Simoni, peshkatar nga Galilea, të cilin Jezusi e quajti Pjetër. Zoti Atë i dha një besim kaq të sinqertë e bujar, sa mundi të ndërtonte bashkësinë mbi të (shih Mt 16,18). E ne jemi ende këtu sot duke u lutur te varri i tij, ku shtegtarët nga të katër anët e botës vijnë për të përtërirë fenë e tyre në Jezu Krishtin, Birin e Zotit. Kjo ndodhi në një mënyrë të veçantë gjatë Vitit Shenjt, që tani po përfundon.
Jubileu është shenjë e madhe e një bote të re, të ripërtërirë dhe të pajtuar sipas planit të Zotit. E në këtë plan, Provania Hyjnore ka rezervuar një vend të veçantë për qytetin e Romës. Jo për lavditë e saj, jo për fuqinë e saj, por sepse këtu derdhën gjakun për Krishtin Pjetri e Pali dhe shumë e shumë martirë të tjerë. Prandaj Roma është qyteti i Jubileut.
Çfarë mund të urojmë për Romën? Të jetë e denjë për të vegjlit e saj. Për fëmijët, të moshuarit e vetmuar dhe të ligshtë, familjet që përpiqen të mbijetojnë, burrat dhe gratë që erdhën nga larg, duke shpresuar për një jetë dinjitoze.
Sot, të shumëdashur, falënderojmë Zotin për dhuratën e Jubileut, që ishte shenjë e madhe e planit të tij të shpresës për njerëzimin dhe botën. E i falënderojmë të gjithë ata që, në muajt dhe ditët e vitit 2025, punuan për t'u shërbyer shtegtarëve dhe për ta bërë Romën më mikpritëse. Kjo ishte, një vit më parë, shpresa e Papës së dashur, Françeskut. Do të dëshiroja të ishte përsëri, e do të thoja edhe më shumë pas kësaj kohe hiri. Ky qytet, i frymëzuar nga shpresa e krishterë, qoftë në shërbim të planit të dashur të Zotit për familjen njerëzore. Për këtë lutemi që të realizohet për ne me ndërmjetësimin e Nënës së Shenjtë të Zotit, Zojës Mari të njohur me emrin ‘Salus Populi Romani’.
