Urimet e para të Leonit XIV, Krishtlindja e Zotit është Krishtlindja e Paqes
R.SH. / Vatikan
Fraza e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për urimet e para të papnisë së tij në Festën e Lindjes së Zotit, në këtë Vit Jubilar 2025, është marrë nga Predikimi 26 i Papës së parë që mbajti këtë emër, shën Leoni i Madh. Në kartolinën e urimit për Krishtlindjen, përgatitur nga Prefektura e Shtëpisë Papnore, imazhi i kopertinës është një mozaik i realizuar nga artisti italian Alberto Salietti (1892–1961) për Apartamentin Papnor në vitin 1955.
Që nga pasditja e djeshme Papa Leoni XIV ndodhet në Castel Gandolfo, ku, sipas traditës tashmë të konsoliduar, e kalon ditën e sotme të martë. Në mbrëmje është parashikuar kthimi në Vatikan, ku duke filluar nga nesër e presin kremtimet e riteve të Krishtlindjes. Fillimi është në orën 22:00 të mërkurën më 24, me Meshën e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Vatikanit, e ndjekur të nesërmen, të enjten më 25, nga Mesha e Ditës së Krishtlindjes, gjithashtu në bazilikën e Vatikanit, duke filluar nga ora 10:00. Rreth mesditës, në Sheshin e Shën Pjetrit, mesazhi i Krishtlindjes me bekimin «Urbi et Orbi». Në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend, së fundi, të premten më 26 dhjetor, do të mbahet lutja e Engjëllit të Zotit (Angelus) në solemnitetin e shën Stefanit, martiri i parë.
