Kërko

Mozaik i krijuar nga artisti italian Alberto Salietti për apartamentin papnor në vitin 1955 Mozaik i krijuar nga artisti italian Alberto Salietti për apartamentin papnor në vitin 1955

"Krishtlindja e Paqes" e para e Leonit XIV

Shtatë muaj pas fillimit të papnisë së tij, Papa Leoni XIV po përgatitet të kremtojë për herë të parë ceremonitë e Krishtlindjes. Sonte, më 24 dhjetor, Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit.

R.SH. / Vatikan

"Krishtlindja e Zotit është Krishtlindje e Paqes". Papa Leoni risjell edhe një herë tjetër një nga temat e forta të magjisterit të tij në kartolinën e Krishtlindjes të përgatitur nga Prefektura e Shtëpisë Papnore, ku Ati i Shenjtë Prevost shpreh urimet e tij të para për Lindjen e Krishtit dhe Jubileun e shpresës. Fjala e zgjedhur është marrë nga Predikimi 26 i Papës të parë që mban emrin e tij, Shën Leoni i Madh. Imazhi i kopertinës është një mozaik i realizuar nga artisti italian Alberto Salietti (1892-1961) për apartamentin papnor në vitin 1955.

Po kështu, mbrëmjen e djeshme, më 23 dhjetor, Papa Leoni, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve jashtë rezidencës papnore në Castel Gandolfo, kërkoi nga njerëzit me vullnet të mirë "të paktën në festën e lindjes së Shëlbuesit një ditë paqeje". Një paqe "pa armë dhe çarmatosëse" që ai e kishte kërkuar në lutje ditën kur u shfaq nga Ballkoni i Bekimeve të Bazilikës së Vatikanit, sapo ishte zgjedhur si Pasaardhës i Pjetrit.

Ritet e Krishtlindjes

Papa Leoni XIV do të përgatitet të kremtojë ceremonitë e Krishtlindjes duke filluar nga sonte, 24 dhjetor, kur në orën 22 do të kryesojë Meshën e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit. Do të jenë dhjetë fëmijë me lule në duar që do ta shoqërojnë Papën në procesionin deri te shpella e betlehemit të Bazilikës së Vatikanit, të cilët vijnë nga Koreja e Jugut, India, Mozambiku, Paraguaji, Polonia dhe Ukraina.

Nesër, më 25 dhjetor, do të kremtohet Meshën e ditës së Krishtlindjes në Shën Pjetër, në orën 10, pas së cilës do të ndiqet Bekimi "Urbi et Orbi" ”Romës e Botës” në orën 12, nga ballkoni qendror i Bazilikës.

Më 26 dhjetor, në festën e Shën Shtjefnit, martirit të parë të Kishës, Papa do të kremtojë në Sheshin Shën Pjetrit, ashtu si dhe të dielën, 28 dhjetor. Në fund të vitit 2025, të mërkurën, 31 dhjetor, Papa Leoni XIV do të mbajë audiencën e përgjithshme dhe pasdite në orën 17 do të kremtojë Lutjet e Mbrëmësores së Parë dhe lutjen e falënderimit drejtuar Zotit “Te Deum” për vitin që ka kaluar.

Ceremonitë e janarit

Më 1 janar 2026, solemniteti i Shën Marisë, Nënës së Zotit, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 10, Meshën për Ditën e 59-të Botërore të Paqes dhe pastaj lutja e Engjëllit të Zotit. Për këtë rast, Leoni XIV ka shkruar një mesazh mbi temën: "Paqja të jetë me ju të gjithëve. Në drejtim të një paqeje të çarmatosur dhe çarmatosëse" në të cilin shprehet një akuzë e fortë kundër garës së armatosjes që është duke u zhvilluar në botë, pasi të dhënat tregojnë për një rritje prej 9.4% në vitin 2024 të shpenzimeve ushtarake.

Më 4 janar 2026, të dielën, lutja e Engjëllit të Zotit në Sheshin Shën Pjetrit dhe më 6 janar, Epifania a Dëftimi i Zotit, në orën 9.30 do të kremtohet Meshë dhe do të mbyllet Porta e Shenjtë me përfundimin e Jubileut 2025 kushtuar shpresës.

Të dielën, më 11 janar është festa e Pagëzimit të Jezu Krishtit, Papa në Kapelën Sikstina do të kremtojë Meshën dhe do të pagëzojë disa fëmijë.

Meshë e Krishtlindjes

Në kalendarin e kremtimeve papnore, Leoni XIV ka rikthyer Meshën e ditës së Krishtlindjes, e cila nuk është kremtuar nga paraardhësit e tij Papa Françesku dhe Papa Benedikti XIV. Herën e fundit ajo është kremtuar nga Shën Gjon Pali II, më 25 dhjetor 1994.

24 dhjetor 2025, 15:54