Koncerti i Krishtlindjes, Papa: muzika është vend i shpirtit, që na afron me Zotin
R.SH. / Vatikan
Për të gjithë, muzika është kolonë zanore që na shoqëron në jetën tonë të përditshme. "Është ditar i përbashkët, që ruan ndjenjat e të gjithëve - nostalgji, dëshirë, pritje, hutim, rilindje...". Edhe kremtimi i Krishtlindjes ka një aromë të ngjashme: “Na kujton se Zoti, për t’u dukur, zgjedh një ‘komplot njerëzor’". Leoni XIV e krijon sipas kësaj analogjie fjalimin e tij, duke mirëpritur e përshëndetur artistët dhe organizatorët e Koncertit të Krishtlindjes, mbajtur të shtunën më 13 dhjetor, në Vatikan.
Krishtlindja, ngjarje "e afërt" pa imponim
Pasi arrin “moshën” 33 vjeçare, e mbështetur nga sponsorët dhe Fondacioni Gravissimum Educationis, ngjarja e këtij viti synon të ndërtojë një shkollë fillore në Republikën Demokratike të Kongos, projekt salezian i Misioneve Don Bosko. Për Papën Prevost, kjo është mundësi - pas audiencës së hershme në mëngjes me protagonistët e Betlehemit të gjallë të Shën Marisë së Madhe - për të theksuar më tej vlerën e Lindjes së Krishtit. Sonte, vëren ai, "do të dëgjojmë melodi të lindura në rrethana të ndryshme, të lidhura me histori, me breza e ndjeshmëri të ndryshme. E megjithatë, siç ndodh në qiellin e natës, këto drita tingëlluese do të përbëjnë në mënyrë harmonike, një yjësi të përbashkët e cila, si e tillë, nuk është vetëm pikturë, por edhe udhërrëfyes".
Krishtlindja, në fund të fundit, na kujton se Zoti, për të zbuluar veten, zgjedh një komplot njerëzor. Nuk përdor skena imponuese, por një shtëpi të thjeshtë; nuk duket nga larg, por nga afër; nuk qëndron në një pikë të paarritshme në qiell, por arrin në zemër të historive tona të vogla. Në këtë mënyrë, na zbulon se jeta e përditshme - ashtu siç është - mund të bëhet vend takimi me Të.
Njerëzimi i frymëzuar nga Foshnja
"Gjuha universale" e muzikës dhe e argëtimit - vazhdon Leoni XIV, duke folur për qëllimin bamirës të Koncertit - na kujton edhe se "bukuria, kur është e mirëfilltë, nuk mbetet e mbyllur në vetvete, por kujdeset edhe për gëzimin e botës".
Kështu kultura bëhet frymëmarrje për dinjitetin e të gjithëve, veçanërisht të më të brishtëve. Prandaj, ju ftoj ta përjetoni këtë çast si shtegtim të brendshëm. Në Krishtlindje muzika le të jetë vend i shpirtit: hapësirë, ku zemra këndon, duke na afruar me Zotin dhe duke e bërë njerëzimin tonë gjithnjë e më të frymëzuar nga dashuria e Tij.
