Kard. Parolin: diplomacia duhet të krijojë mundësi të reja për të "besuar ende" në paqen
R.SH. / Vatikan
Zjarri, element transformues në Shkrimin Shenjt, që gjallëron diplomacinë, ka pikërisht këtë qëllim: jo vetëm të nxisë bisedimet, por edhe të "krijojë mundësi" që drejtohen kah një e mirë më të lartë, e përbashkët për të gjithë njerëzimin, në emër të së cilës "çdo popull bëhet më shumë vetvetja". Duke kremtuar Meshën sot paradite, 13 dhjetor, për Jubileun e Diplomacisë Italiane, në Sallën Pali VI, Kardinali Pietro Parolin, reflektoi për "kompleksitetin gjeopolitik të kohës sonë", "tensionet e saj të thella" dhe "skenat e saj në ndryshim".
Krizat në Tokën Shenjte dhe në Ukrainë
I shqyrtoi disa: Tokën Shenjte, "ku dhimbja e popullsive të tëra ndërthuret me historinë dramatike të një konflikti, që duket se nuk gjen qetësi". Këtu, bashkësia ndërkombëtare thirret "për angazhim të dyfishtë dhe plotësues: dhembshuri për viktimat e qartësi për të treguar rrugët e mundshme të pajtimit, edhe kur ato duken të largëta". Pa harruar Ukrainën, ku konflikti i zgjatur shkakton "shkatërrim dhe mosbesim", ndërsa heshtja e armëve duket si horizont në zhdukje, ashtu si gjithnjë e më shumë njerëz e ndiejnë urgjencën jetësore. Mendimet e tij u zgjeruan, më pas, në shumë rajone të tjera të botës ku vazhdojnë "konflikte të harruara" dhe "kriza kronike humanitare", të cilat kalojnë pa u vënë re, por ndikojnë rëndë mbi jetën e mbarë popujve.
"Realiteti tragjik" i Mozambikut
Në këtë drejtim, kardinali Parolin përmendi provincën e Cabo Delgado, në Mozambik, ku udhëtoi kohët e fundit për të kremtuar 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të vendit afrikan me Selinë e Shenjtë. "Realitet tragjik", i karakterizuar nga vdekje brutale - "shpesh me prerje koke" - shkatërrim i pronës dhe zhvendosje masive, me "rrënjë thelbësisht fetare", "injoruar pothuajse plotësisht ndërkombëtarisht". Por edhe shumë vende të tjera afrikane po vuajnë: "Republika Demokratike e Kongos, Sudani, vendet e Sahelit...".
Mos lejoni të burgoseni nga frika e fatalizmi
Në këtë kontekst, vazhdoi kardinali Parolin, misioni i besuar profetit Elia, përshkruar nga Sirach saktësisht si "zjarr", jehon fuqishëm: "Ti je caktuar të qortosh kohët që do të vijnë". Kjo thirrje nuk duhet të jetë shtypëse, por përkundrazi fuqizuese, pasi na fton të flasim fjalë që nuk durojnë të burgosen nga frika, duke iu dorëzuar fatalizmit. Përkundrazi! Besojnë ende në mundësinë e paqes. Është edhe thirrje për të thënë të vërtetën "pa agresion", duke mbrojtur dinjitetin e çdo populli dhe duke mbajtur "kanalet e dialogut të hapura, edhe kur duket se mbizotërojnë vetëm gjuhët e kundërshtimit”.
Fjalimi i Tajanit
Në fund të Meshës foli Ministri Italian i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani. Theksoi kryesisht punën e ministrisë së tij në fushat e përmendura nga Kardinali Parolin. Në Lindjen e Mesme, mbështetja merr formën e mijëra tonelatave të ndihmave ushqimore dhe pritjes së fëmijëve të sëmurë nga Rripi i Gazës në spitalet italiane. Në Ukrainë, shpresa është që "të mund të ndërmerren hapa pozitive". E, së fundi, në kontinentin afrikan, ku operacionet e ribashkimit familjar janë duke u zhvilluar dhe është planifikuar një aeroplan me ndihma ushqimore e lodra për fëmijët e Sudanit. Luftë, sëmundje, ushqime e lojëra për fëmijët e Sudanit, në pritje të ditëve më të mira!
