Kërko

Papa Françesku në burgun Regina Coeli në Romë (17 prill 2025). Papa Françesku në burgun Regina Coeli në Romë (17 prill 2025).

Jubileu i të burgosurve, fjalët e Papëve dhe përkëdhelja e shpresës

Me rastin e këtij jubileu, kujtojmë zërat e Papëve të marrë nga disa fjalime dhe takime me botën e të burgosurve

R.SH. – Vatikanit

Edhe në burg, në momentet e errësirës së brendshme, ka një dritë që nuk shuhet kurrë. Është ajo e shpresës, një forcë që – pavarësisht gjithçkaje – depërton përmes hekurave dhe shoqëron dëshirën për t’u ngritur sërish në këmbë, duke hapur dyert edhe kur duken tërësisht të mbyllura e të kyçura. Jubileu i të burgosurve, i cili kulmon të dielën më 14 dhjetor me Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit të kryesuar nga Papa Leoni XIV, kremton pikërisht këtë dritë në një kohë tashmë pranë Krishtlindjes dhe mbylljes së Vitit të Shenjtë të Shpresës.

Janë të shumta, në historinë e afërt, takimet e Papëve me të burgosurit. Zërat e Papëve, të drejtuar komunitetit të botës së burgjeve, bashkohen gjithmonë me fjalët e Jezusit në Ungjill dhe, në veçanti, me atë të Mateut ungjilltar ku thotë: “isha në burg dhe erdhët të më vizitonit”. Le të rikthehemi pra te disa prej këtyre momenteve, të shënuara nga fjalë të ngarkuara me dashuri ungjillore.

Piu XII: nga Jezusi një çlirim i vërtetë

Në skenarin e brishtë të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, me plagë të thella që ende tronditin botën, Papa Piu XII u drejton në një radiomesazh një fjalë të veçantë ngushëllimi, nxitjeje dhe shprese të burgosurve. Është viti 1951 dhe Papa Paçeli u drejton këto fjalë, të ndriçuara nga drita e Krishtlindjes, atyre që gjenden “në institucionet e dënimit, të sjellë aty në rrugë të dhimbshme nga rrethana herë-herë të pashpjegueshme”.

Jo më pak se për njerëzit e tjerë – të gjithë këtu poshtë disi fajtorë dhe të burgosur –, për ju Jezusi ka ardhur të sjellë një çlirim më fisnik dhe më të brendshëm, atë që nga zgjedha dhe zinxhirët e pasioneve dhe të mëkatit. Jezusi ka ardhur të sjellë paqen e shpirtit të kumtuar në Natën e Shenjtë.

Përqafimi i Gjonit XXIII

Në vitin 1958, kishin kaluar disa javë që nga zgjedhja e Papës Gjonit XXIII në fronin e Pjetrit. Papa Roncalli vizitoi burgun romak Regina Caeli në Romë. "E kam vendosur," tha ai, duke iu drejtuar të burgosurve, "zemrën time afër tuajës". Ndërsa po shkonte drejt daljes, Gjoni XXIII pa një burrë që po shkëputej nga grupi i të burgosurve. Ai i bëri Papës këtë pyetje: "A vlejnë edhe për mua fjalët e shpresës që thatë?" Papa u përkul mbi burrin, e ngriti, e përqafoi dhe e mbajti pranë për një moment të gjatë.

Pali VI dhe shikimi i një mirëkuptimi të thellë

Në vitin 1964, Papa Pali VI takon të burgosurit në burgun romak “Regina Coeli”. Emocionit të shkaktuar nga fjalët e Papës Montini i shtohet elokuenca e imazheve që shoqërojnë kremtimin eukaristik: “rotonda” e burgut është një kapelë e stolisur me lule. Në murin qendror një Kryq i madh shikon drejt asamblesë. Përballë, shikimi ndalet në një figurë të Virgjërës Mari të Papërlyer. Në fjalimin e tij, Papa Pali VI kujton, para së gjithash, kuptimin e vizitës së tij të burgosurve.

Dijeni se unë kam ardhur sepse ju dua, se kam për ju një simpati të pakufishme. Nëse ju kap ndonjëherë trishtimi duke menduar: askush nuk më do, të gjithë më shikojnë me sy që më përulin e më poshtërojnë, e gjithë shoqëria që më ka vendosur këtu më dënon; ndoshta edhe njerëzit e dashur më shikojnë me qortim të vazhdueshëm: çfarë ke bërë? atëherë kujtoni se unë, duke ardhur këtu, ju shikoj me mirëkuptim të thellë dhe vlerësim të madh. Ju dua, jo për ndjenjë romantike, jo pse i nxitur nga mëshira humanitare; por ju dua me të vërtetë sepse ende zbuloj në ju imazhin e Zotit, ngjashmërinë me Krishtin, njeriun ideal që ju ende jeni dhe mund të bëheni.

Gjon Pali II: gjithmonë mund të bëhesh njeri i ri

Çlirimi është gjithmonë i mundur: ai shpirtëror dhe moral. Këtë e thekson Gjon Pali II në fjalimin drejtuar të burgosurve të burgut të Viterbos, më 27 maj 1984.

Jezusi, çlirimtari ynë… u paraqit pikërisht si ai që shpallte “lirinë e skllevërve, lirimin e të burgosurve” (Is 61,1). Me këtë mision, ai nuk synonte të zëvendësonte rregullat e vendosura. Ai synonte një çlirim më të thellë dhe më të vërtetë, atë të brendshëm. Donte, dhe do, ta udhëheqë njeriun nga skllavëria e vetvetes, e egoizmit, e ligësisë dhe e padrejtësisë, drejt çlirimit të vërtetë, domethënë drejt aftësisë për t’u ndryshuar, për t’u rinovuar brenda vetes, për të “rilindur”, për t’u bërë person i ri. Kjo është e mundur, mund të ndodhë në çdo rrethanë; mund të jetë mrekullia e qëndrimit tuaj aktual në këtë shtëpi.

Benedikti XVI dhe lutjet për të burgosurit
Forca e shpresës dhe ajo e lutjes janë vendimtare për një rrugëtim pajtimi “me vetveten, me të tjerët, me Zotin”. Këtë e kujton Papa Benedikti XVI gjatë vizitës baritore në burgun e Rebibbias, në Romë.

Zoti do t’ju ndihmojë. Në lutjet e mia jam gjithmonë me ju. E di se për mua është një detyrim i veçantë të lutem për ju, pothuajse t’ju “tërheq drejt Zotit”, lart, sepse Zoti, përmes lutjes sonë, ndihmon: lutja është realitet. I ftoj edhe të tjerët të luten, që kështu të ketë, për të thënë kështu, një lidhje të fortë që ju “tërheq drejt Zotit” dhe që na lidh edhe midis nesh, sepse duke shkuar drejt Zotit jemi të lidhur me njëri-tjetrin.

Françesku: pse ata dhe jo unë?

Fjalët e Papëve për të burgosurit mund të shndërrohen gjithashtu në pyetje vendimtare, pyetje për t’ia drejtuar zemrës së çdo njeriu. Më 6 nëntor 2016, Papa Françesku, me rastin e Jubileut të të Burgosurve, mes tjerash tha:

Ndonjëherë një farë hipokrizie shtyn të shihet tek ju vetëm persona që kanë gabuar, për të cilët e vetmja rrugë është burgu. Unë ju them: sa herë hyj në një burg, pyes veten: “Pse ata dhe jo unë?”. Të gjithë kemi mundësinë të gabojmë: të gjithë. Në një mënyrë apo në një tjetër kemi gabuar. Dhe hipokrizia bën që të mos mendohet për mundësinë e ndryshimit të jetës: ka pak besim në riabilitim, në riintegrimin në shoqëri. Por kështu harrohet se të gjithë jemi mëkatarë dhe, shpesh, jemi edhe të burgosur pa e kuptuar.

Leoni XIV dhe butësia e Atit në sytë e të burgosurve

“Kush është pa mëkat, le të hedhë i pari gurin ”, lexohet në Ungjillin e Gjonit. Aty ku bota sheh vetëm mure dhe krime, mund të shihen shpresa, mëshirë, falje. “Në sytë e të burgosurve – tha Papa Leoni XIV gjatë udhëtimit apostolik në Liban – shohim butësinë e Atit që nuk lodhet kurrë së faluri”.

13 dhjetor 2025, 09:00