Filloi takimi i të rinjve të Taizé-së. Leoni XIV: "Jini artizanë të pajtimit"
R.SH. / Vatikan
Nxiten “për t’u bërë shtegtarë të fesë, artizanë të paqes e të pajtimit", të aftë për t'i sjellë botës "shpresë të përvuajtur e gazmore". Ky është urimi që shpreh Papa Leoni XIV në mesazhin e përshëndetjes, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar pesëmbëdhjetë mijë të rinjve ndërmjet moshës 18 dhe 35 vjeç nga mbarë Evropa, të cilët u mblodhën në Paris ku do të jenë deri më 1 janar 2026, për Takimin e 48-të Evropian organizuar nga Bashkësia e Taizé-së. "Takimi juaj përfaqëson një fazë të re në 'Shtegtimin e besimit mbi Tokë' që Vëllai Roger e nisi pothuajse gjysmë shekulli më parë, pikërisht në këtë qytet", kujton Papa.
Me çantat në shpatull, pjesëmarrësit mbërritën në dioqezën e Ile-de-France për të jetuar, siç bëjnë çdo vit, pesë ditë lutjeje ekumenike, shkëmbimi, mikpritjeje e miqësie, duke festuar një natë Viti të Ri vëllazërie e përshpirtërie. Papa theksoi edhe vlerën e rikthimit në kryeqytetin francez, i cili e ka pritur Takimin pesë herë që nga viti 1978. E quajti "qytet i njohur nga trashëgimia e pasur fetare", i formuar "nga dëshmia e shkëlqyer e kaq shumë figurave shenjte që, secili në mënyrën e vet, i përgjigjen me guxim thirrjes së Krishtit".
Në mesazh Leoni XIV u rikthye te tema e Letrës së shkruar këtë vit nga Vëllai Matthew, Prior i Taizé-së, titulluar "Çfarë po kërkon?", dhe i ftoi të rinjtë "të mos kenë frikë nga kjo pyetje", por "ta kenë atë në lutje dhe në heshtje", me bindjen se Krishti "gjindet nga ata që e kërkojnë me zemër të sinqertë". Ky qëndrim, tipik i përshpirtërisë së Taizé-së, nuk i lë kurrë jashtë lutjes situatat e vështira që njerëzimi po përjeton në Evropë dhe në nivel global.
Shumë të rinj ukrainas kanë udhëtuar në Paris, për Takimin Evropian. "Në këtë fundviti, të trazuar nga një mori provash për familjen tonë njerëzore", vazhdoi Papa Prevost, "mikpritja bujare që do të keni në Paris nga besimtarë të të gjitha prejardhjeve e nga njerëz vullnetmirë, është mesazh i fuqishëm për botën". Nxitja e dytë është të jetoni "çaste lutjeje dhe ndarjeje" me dëshirën për të thelluar fenë tuaj, "duke mësuar gjithnjë e më shumë se si ta jetoni Ungjillin në realitetet konkrete të jetës".
Takimi i Parisit organizohet në një "çast të veçantë kishtar", theksoi Papa, "në përfundimin e Vitit Jubile dhe të kujtimeve të 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë", ndërsa në takimin e vitit të kaluar në Talin të Estonisë, nisën ditët e para të Jubileut. Në mesazhin e tij, Ipeshkvi i Romës përmendi edhe takimin ekumenik të lutjes në Iznik, zhvilluar më 28 nëntor, gjatë udhëtimit të tij të parë apostolik.
"Pajtimi sot është thirrje që vjen nga i gjithë njerëzimi i prekur nga konflikti dhe dhuna"- kujtoi Papa me atë rast. "Dëshira për bashkim të plotë ndërmjet të gjithë besimtarëve në Jezu Krishtin shoqërohet gjithmonë me kërkimin e vëllazërisë të të gjitha qenieve njerëzore".
Mbi 750 vullnetarë të rinj nga mbarë Evropa u mblodhën për të bashkëpunuar me Komunitetin e Taizé-së gjatë kësaj ngjarjeje, dhe mijëra familje nga zona e Parisit po hapin portat e shtëpive të tyre për të pritur pjesëmarrësit e Takimit Evropian, siç është traditë.
Programi përfshin çaste lutjeje, takime dhe laboratore mbi çështjet aktuale, nga feja- te solidariteti, nga ekologjia - te drejtësia, nga arti - te kultura. Duke pasur gjithnjë në qendër paqen ndërmjet popujve.
