Kërko

Papa: një edukim autentik duhet të jetë në gjendje të integrojë fenë dhe arsyen

Në një video-mesazh drejtuar pjesëmarrësve të konferencës "Pa identitet nuk ka edukim", që po zhvillohet në Madrid, Leoni XIV ndalet te identiteti i krishterë në procesin edukativ: janë thelbësore "metodat" që përfshijnë "shkencat" dhe "historinë", "etikën" dhe "spiritualitetin", me një "bashkëpunim të vërtetë" midis familjes, famullisë, shkollës dhe realiteteve territoriale që shoqëron "konkretisht çdo nxënës në rrugën e tij të fesë dhe të të mësuarit"

R.SH. – Vatikan

Krishti është busulla për edukimin e krishterë, "pa dritën e tij", misioni edukativ humbet "kuptimin" dhe "aftësinë transformuese që na ofron Ungjilli", bëhet një "automatizëm". Këtë e thekson Papa Leoni XIV në një video-mesazh drejtuar atyre që marrin pjesë sot, më 22 nëntor, në Madrid, Spanjë, në konferencën me temë "Pa identitet nuk ka edukim", që zhvillohet në Kolegjin Zoja e Këshillit të Mirë, në të cilin Papa ndalet te "veprimi edukativ i Kishës", i cili "i realizuar përmes shkollave dhe aktiviteteve formuese", "është pjesë thelbësore e identitetit dhe misionit të saj".

Integrimi i fesë dhe arsyes

Për Papën "një edukim autentik" duhet të promovojë "integrimin midis fesë dhe arsyes", të cilat "nuk janë pole të kundërta, por rrugë plotësuese për të kuptuar realitetin, për të formuar karakterin dhe për të kultivuar inteligjencën". Ja pse, "në përvojën edukative" janë thelbësore "metodat" që përfshijnë "shkencat" dhe "historinë", "etikën" dhe "spiritualitetin" dhe prandaj nevojitet "një bashkëpunim i vërtetë midis familjes, famullisë, shkollës dhe realiteteve territoriale" për të shoqëruar "konkretisht çdo nxënës në rrugën e tij të fesë dhe të të mësuarit".

Identiteti i krishterë në procesin edukativ

Papa Leoni XIV pranon se "angazhimi i përditshëm" i edukatorëve "nuk është aspak i thjeshtë përballë një transformimi të vazhdueshëm të proceseve edukative, i bërë edhe më i vështirë nga dixhitalizimi ekstrem dhe fragmentimi kulturor". "Shpesh ndalem të mendoj sa mirë bëni në kushte vërtet komplekse", thotë Ati i Shenjtë, duke shtuar se misioni i mësuesve dhe pedagogëve "në shërbim të Kishës është një ferment i gjallë" si "për brezat e rinj" ashtu edhe "për komunitetet që gjejnë në të një pikë referimi të fortë". Por nëse historitë e ndryshme të secilit dhe "qasjet e ndryshme pedagogjike" përbëjnë "një pasuri karizmash që formojnë yjësinë e paideias së krishterë", "nuk duhet humbur nga sytë qendërsia e Krishtit", rekomandon Papa. "Identiteti i krishterë nuk është një vulë dekorative apo një zbukurim, por thelbi vetë që i jep kuptim, metodë dhe qëllim procesit edukativ", thekson Ati i Shenjtë Prevost, duke specifikuar se "identiteti është themeli që artikulon misionin edukativ, përcakton horizontin e tij të kuptimit dhe orienton praktikat e tij të përditshme", dhe kjo "në mënyrën e mësimdhënies" dhe "në atë të vlerësimit dhe veprimit". Nëse "identiteti nuk informon vendimet pedagogjike", rrezikon të jetë vetëm "një zbukurim sipërfaqësor që nuk arrin të mbështesë punën edukative përballë tensioneve të shumta kulturore, etike dhe sociale që karakterizojnë kohën tonë të polarizimit dhe dhunës", paralajmëron Leoni.

Të shohim drejt së ardhmes duke mësuar nga e kaluara

Ftesa e Papës është të shohim drejt së ardhmes pa harruar historinë, "nga e cila duhet të mësojmë me mençuri". Në këtë drejtim Papa citon filozofen dhe eseisten spanjolle María Zambrano, "e cila, duke reflektuar mbi sfidat dhe tensionet e botës bashkëkohore, me ndjeshmërinë e saj të veçantë poetike" dhe "e bindur se lidhja midis së tashmes dhe së ardhmes nuk mund të shkëputet nga trashëgimia e së kaluarës", shkruante se "shpirti ynë është përshkuar nga sedimente shekujsh" por se, "rrënjët janë më të mëdha se degët që shohin dritën".

Shkolla të hapura ndaj dialogut

Duke vënë në dukje, më pas, se edhe "në misionin e saj edukativ" Kisha "rizbulon funksionin e saj amnor" pasi "është nëna gjeneruese e besimtarëve", si bashkëshorte e Krishtit", Papa Leoni kujton se "pothuajse të gjitha dokumentet e Koncilit të Dytë të Vatikanit i referohen amësisë së Kishës për të zbuluar misterin e saj dhe veprimin e saj baritor" dhe gjithashtu edhe për të "zgjeruar" përqafimin e saj të dashur "ekumenik ndaj 'bijve të ndarë prej saj'", "ndaj besimtarëve të feve të tjera" dhe "ndaj të gjithë njerëzve me vullnet të mirë". Kjo "ndodh çdo ditë" në "shkolla, të hapura ndaj dialogut dhe takimit midis ndryshimeve", vëren Papa, ku "edukimi bëhet një mjet paqeje dhe kujdesi për krijimin".

Rileximi i Gravissimum educationis

Së fundi, Leoni XIV u drejton të gjithëve ftesën "për të rilexuar me kujdes" Deklaratën konciliare Gravissimum educationis, 60-vjetori i së cilës u kremtua gjatë Jubileut të Botës Edukative që u zhvillua nga 27 tetori deri më 1 nëntor. Një dokument për t'u vlerësuar për "aktualitetin dhe vizionin e së ardhmes, pavarësisht viteve të shumta të kaluara".

22 nëntor 2025, 19:24