Papa lutet te varri Shën Françeskut: bota kërkon shenja shprese
R.SH. / Vatikan
“Është bekim të mund të vij këtu sot në këtë vend të shenjtë. Jemi afër 800 vjetorit të vdekjes së Shën Françeskut, kjo na jep mundësinë të përgatitemi për të festuar këtë Shenjt të madh, të përvuajtur dhe të varfër, ndërsa bota kërkon shenja shprese”. Këto janë fjalët e para publike që Papa Leoni XIV shqiptoi në Asizi, para varrit të Shën Françeskut, ndalesa e parë e vizitës së tij në qytetin italian ku sot, më 20 nëntor, takon ipeshkvijtë e Konferencës Episkopale Italiane, në përfundim të Asamblesë së tyre të 81-të të përgjithshme.
Mbërritja në Asizi
Papa mbërriti në Asizi këtë mëngjes me helikopter, duke u ulur pas orës 8.00 në stadiumin Migaghelli. Që aty me makinë u transferua në qendër të qytetit të Varfanjakut, tokë arti, historie, kulture, devocioni, destinacion i miliona shtegtarëve, përfshirë edhe njëzet Papë që e kanë vizituar Asizin ndër shekuj. Sidomos Papa Françesku, i cili këtu në vitin 2020 firmosi edhe enciklikën e tij ‘Fratelli Tutti’.
Pritja në Bazilikën e poshtme
Tani është radha e Papa Leonit XIV, i cili, para se të shkonte në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli për takimin me ipeshkvijtë e Konferencës Episkopale Italiane (CEI), pak pas orës 08.30, deshi të vizitonte varrin e Shën Françeskut, mbrojtësit qiellor të Italisë. Në pritje të Leonit XIV në shesh, nën një shi të dendur dhe një temperaturë të ftohtë, ishin disa besimtarë që e pritën me korin "Rroftë Papa". I pranishëm në hyrje të Bazilikës, ishte kujdestari i Kuvendit të Shenjtë të Françeskanëve, fra' Marco Moroni, i cili, së bashku me fretër tjerë, e shoqëroi Pasardhësin e Pjetrit në kriptën e Bazilikës te varri i shën Françeskut, mbi të cilën është gdhendur një varg nga Parajsa e Dante Alighierit: "Nuk është veçse një rreze e dritës së tij", rreze e dritës së Krisht. Një homazh që vjen pranë kremtimeve të 800 vjetorit të vdekjes së varfanjakut të Asizit me ekspozimin e eshtrave të tij.
Lutja në varrin e shën Françeskut
Atje, para atyre mureve të lashta prej guri që, drejtpërdrejt nën altarin kryesor të Bazilikës së Asizit, ruajnë trupin e shenjtit, një moment lutjeje, heshtjeje e kundrimi. Pastaj disa fjalë, të shpërndara jashtë me altoparlantë, për të ripohuar mesazhin e shpresës që kjo figurë e vogël por e madhe e shën Françeskut pas shekujsh vazhdon të përhapë në Kishë dhe në botë.
Papa françeskanëve: do të kthehem në Asizi në vitin 2026
Papa Leoni do të kthehet në Asizi në vitin 2026. Kështu tha ai vetë në përshëndetjen drejtuar fretërve në Porziuncola. Fra Luca Di Pasquale njofton: "Na përshëndeti një nga një, na bëri përshtypje vëmendja që i kushtoi secilit prej nesh. Na tha se do të kthehet të na vizitojë në Asizi vitin e ardhshëm për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut. Na rrëfeu gjithashtu se shkonte shpesh në Asizi për të gjetur paqe dhe se sot ishte i lumtur që ishte kthyer i veshur me të bardha"..
