Papa: koret, shenja të Kishës së bashkuar, që harmonizon zëra të ndryshme në një lavdërim të vetëm

Në homelinë e Meshës në solemnitetin e Krishtit Mbret të universit dhe me rastin e Jubileut kushtuar koreve, Papa Leoni XIV thekson vlerën e muzikës, e cila është e aftë të shprehë emocione që fjalët jo gjithmonë arrijnë t'i shprehin. Ati i Shenjtë i nxit këngëtarët të mos i dorëzohen "tundimit të shfaqjes", duke i ftuar ata të vendosen si "pjesë" e komunitetit dhe jo "përpara" tij.

R.SH. / Vatikan

Shtegtimi i jetës shpaloset si një sërë ngjitjesh dhe uljesh të vështira, përpjekjesh dhe lehtësimesh, që vetëm muzika, ndonjëherë, mund t'i përcjellë në vibrime të njëmendta. Udha gërshetohet me fytyra e zëra të ndryshëm, nota të së njëjtës partiturë: Kishës. E kështu rruga, megjithëse dredha-dredha, duket se bëhet më e lehtë, ndërsa të çon drejt atij "destinacioni" të gëzueshëm, që këndohet kaq shpesh. Kjo është figura që Papa Leoni XIV propozoi sot, 23 nëntor, duke kryesuar Meshën në Solemnitetin e Krishtit Mbret i Gjithësisë dhe me rastin e Jubileut kushtuar koreve e koraleve.

Jezusi, "sovran zemërbutë e i përvujtë"

Homelia e Papës u hap me fjalët e këngës së Psalmit 121, kënduar gjatë kremtimit eukaristik: "Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit". Ky varg të kujton solemnitetin e sotëm, e lavdëron Jezusin, "sovran i butë e i përvujtë", froni i të cilit është Kryqi, e nga i cili rrezaton Mbretërinë e tij, duke i zbuluar botës "mëshirën e pamasë të zemrës së Zotit".

T’i mësoj shpirtërisht vëllezërit

Është vetë dashuria e Zotit, ajo që i ngroh zërat e anëtarëve të korit dhe instrumentet e muzikantëve, që sot kremtojnë Jubileun. Detyra e tyre nuk është aspak e parëndësishme: është "ndërtimi shpirtëror i vëllezërve", siç kujton Sacrosanctum Concilium, duke inkurajuar pjesëmarrjen e besimtarëve në veprimin liturgjik.

Sot ju shprehni plotësisht "iubilum"-in tuaj, ngazëllimin tuaj, i cili lind prej zemrës së përmbytur nga gëzimi i hirit.

Muzika, shprehje e natyrshme e njeriut

Historia e muzikës kalon nëpër historinë e qytetërimeve botërore, duke e bërë të komunikueshme çka mbajmë thellë në zemrat tona: atë që "fjalët nuk mund ta shprehin gjithmonë". Është një kor ndjenjash dhe emocionesh që burojnë nga marrëdhënia intime dhe e gjallëruar me realitetin.

Kënga, në mënyrë të veçantë, përfaqëson një shprehje të natyrshme dhe të plotë të qenies njerëzore: mendja, ndjenjat, trupi dhe shpirti bashkohen këtu për të komunikuar gjërat e mëdha të jetës.

"Kënga është e përshtatshme për atë që do".

"Cantare amantis est, kënga është e përshtatshme për atë që do",  na kujton Shën Augustini. Papa e kujton edhe këtë, duke theksuar se muzika mund të shprehë një gamë të gjerë ndjenjash: dashuri, dhimbje, butësi, dëshirë. Për Popullin e Zotit, ajo bëhet thirrje, lavdërim e hir i kënduar nga "fëmijët e Kishës, që gjejnë në të Ngjallurin, shkakun e gëzimit".

Muzika liturgjike bëhet, kështu, mjet i çmuar, përmes të cilit kryejmë shërbesën e lavdërimit ndaj Hyjit dhe shprehim gëzimin e Jetës së re në Krishtin.

Kisha për udhë

Kënga, shton akoma Ipeshkvi shenjt i Ipponës, është e denjë edhe për udhëtarët: ndonjëherë shtegtarë të lodhur që, në vazhdimësinë e notave dhe harmonive, gjejnë "shijen paraprake të gëzimit që do të ndiejnë kur të arrijnë në cakun e tyre". Këndohet së bashku, ngushëllohet njëri-tjetri në vuajtje, mbështetet në lodhje, ringjallet entuziazmi, kur e tepron rraskapitja.

Kënga na kujton se jemi Kisha për udhë, realitet autentik sinodal, i aftë të ndajë me të gjithë thirrjen e lavdërimit dhe të gëzimit, në një shtegtim dashurie dhe shprese.

Kori, shprehje e unitetit kishtar

Nga Shën Augustini - tek Shën Injaci i Antiokisë, i cili e lidhi këngën e korit, me unitetin e Kishës:

Nga uniteti juaj dhe dashuria juaj e harmonishme, i këndohet Jezu Krishtit. E secili jush bëhet kor, në mënyrë që në harmoninë e marrëveshjes suaj, duke marrë në unitet tonin e Zotit, t’i këndoni me një zë për Jezu Krishtin Atit, në mënyrë që ai t'ju dëgjojë dhe t'ju njohë për veprat tuaja të mira.

Në të vërtetë, saktëson Leoni XIV, Kisha mund të pasqyrohej në zërat e ndryshme të një kori që, të harmonizuar, i japin jetë një lavdërimi të vetëm, të bashkuar nga dashuria "në një melodi tejet të ëmbël".

Koret, familje të vogla, të bashkuara nga dashuria

Shërbesa e një koristi, vazhdoi Papa Prevost, kërkon përgatitje, besnikëri, mirëkuptim të ndërsjelltë dhe jetë të vazhdueshme shpirtërore: "Nëse ju ndërsa këndoni luteni, i ndihmoni të gjithë të luten". Një këngëtar i mirë është i disiplinuar dhe i mbushur me frymë shërbimi. Kori është  familje e vogël "me njerëz të ndryshëm, të bashkuar nga dashuria për muzikën dhe shërbimin e kryer".

23 nëntor 2025, 12:17