Kërko

Papa bashkëpunëtorëve të Nunciaturave: sillni shpresë aty ku mungon paqja

Me rastin e Jubileut të tyre, Leoni XIV takon në Vatikan bashkëpunëtorët që punojnë në përfaqësitë diplomatike papnore, duke i falënderuar për angazhimin e çmuar dhe të vështirë në sjelljen e kujdesit baritor të gjithë Kishës edhe në rajone që përjetojnë vështirësi dhe paqëndrueshmëri të veçantë. Duke theksuar se inkulturimi nuk është një qëndrim folklorik, Papa i nxit të mos i dorëzohen izolimit, por të jenë "shtegtarë shprese" sidomos në popujt ku mungojnë "drejtësia dhe paqja".

R.SH.- Vatikan

T'i rezistosh tundimit për t'u izoluar dhe të sjellësh shpresë sidomos aty ku popujve u mungojnë drejtësia dhe paqja. Kjo është ajo që rekomandon Leoni XIV në fjalimin e tij të mbajtur, më 17 nëntor, para bashkëpunëtorëve me rol diplomatik në Përfaqësitë Diplomatike Papnore (Nunciaturat Apostolike), të cilët kanë përjetuar Jubileun e tyre të Shpresës. Papa Prevost thekson veçoritë e këtij shërbimi të bërë Kishës, të cilin e cilëson veçanërisht "të vështirë" dhe që për këtë arsye kërkon "një zemër të zjarrtë për Zotin dhe të hapur ndaj njerëzve", përveç studimit, vetëmohimit, guximit.

Në konflikte dhe varfëri të ndjesh mbështetjen e Kishës

Të sjellësh kujdesin baritor të Papës edhe në kontekste të vështira do të thotë "të bëhesh kudo prani e gjithë Kishës", shpjegon Leoni XIV dhe saktëson:

në vendet ku veproni, duke takuar popuj dhe gjuhë të ndryshme, mos harroni se dëshmia e parë që duhet dhënë është ajo e meshtarëve të dashuruar me Krishtin dhe të përkushtuar ndaj ndërtimit të Trupit të Tij, që është populli i Zotit. Duke shërbyer Komunitetet kishtare, jini pasqyrim i dashurisë dhe afërsisë që Papa ka për secilin, duke ruajtur një ndjenjë të gjallë 'cum Ecclesia'. Mendoj sidomos për ata prej jush që ndodhen në kontekste vështirësish, konfliktesh dhe varfërie, ku nuk mungojnë momentet e shkurajimit. Pikërisht në këto vështirësi, kujtoni se Kisha ju mbështet me lutje: prandaj, forconi identitetin tuaj priftëror duke marrë forcë nga Sakramentet, nga bashkësia vëllazërore dhe nga bindja e vazhdueshme ndaj Shpirtit Shenjt.

T'i rezistosh tundimit të izolimit

Papa merr dhe i referohet traditës së misionarëve të mëdhenj nga të cilët mund të mësohet se "inkulturimi nuk është një qëndrim folklorik, sepse lind nga dëshira për t'iu përkushtuar tokës dhe njerëzve që shërbejmë". Është një tipar jo i parëndësishëm që Papa shpreson të merret parasysh nga ata që janë thirrur për këtë detyrë.

Ndërtoni marrëdhënie me të gjithë, duke i rezistuar tundimit për t'u izoluar. Qëndroni të rrënjosur në trupin kishtar dhe në historinë e popujve: si ai nga i cili vini, ashtu edhe ata tek të cilët jeni dërguar. Çdo Komb ju ofron traditat e veta për t'i njohur, dashur dhe respektuar, ashtu si bujku respekton tokën dhe, duke e kultivuar, nxjerr prej saj frytin e mirë të punës së tij. Mos jini pra njerëz të shkëputur, por dishepuj të pasionuar të Krishtit, duke u zhytur me stil ungjillor në kontekstet ku jetoni dhe punoni. Misionarët e mëdhenj na kujtojnë, në fakt, se inkulturimi nuk është një qëndrim folklorik, sepse lind nga dëshira për t'iu përkushtuar tokës dhe njerëzve që shërbejmë.

Rreziku i "të qenit si pemë pa rrënjë"

Papa e di mirë se mund të shfaqet demotivimi në një detyrë diplomatike: rreziku është, thotë ai, të bëhesh "si pemë pa rrënjë". Kjo mund të ndodhë kur nuk ndërthuren në mënyrë harmonike konteksti i origjinës dhe ai i destinacionit, Kisha lokale origjinale dhe ajo universale për të cilën jeni thirrur të punoni. Duhet, kujton Papa, të bëhet në mënyrë që njëra dhe tjetra të mos përjashtojnë reciprokisht. Nëse, në fakt, "nuk pushon së marrë lëngun jetësor, pema mund të transplantohet edhe diku tjetër dhe kështu të sjellë fryte të reja". Në këtë drejtim, kthehet citimi i Shën Augustinit, marrë nga vepra e tij Rrëfimet, në të cilën i referohet historisë së profetit Elia, lodhjeve të tij dhe rehabilitimit të marrë nga Zoti. Vëllazëria dhe lutja të frymëzojnë punën e përfaqësuesve papnorë, thotë në fund Papa, i cili fton:

Në çdo Përfaqësi Diplomatike Papnore ka një kapelë, qendra e vërtetë e shtëpisë suaj, ku çdo ditë, së bashku me Nuncin Apostolik, motrat rregulltare dhe bashkëpunëtorët, kremtoni Eukaristinë, duke ngritur te Zoti lutjen e lavdërimit dhe të lutjes. Drita e Tabernakullit të shpërndajë hijet dhe shqetësimet, duke ndriçuar rrugën që po përshkoni. Kështu përmbushet fjala e Zotit Jezus: ju jeni kripa e tokës dhe drita e botës. Duke ruajtur këtë mrekulli të hirit, jini shtegtarë shprese sidomos aty ku popujve u mungojnë drejtësia dhe paqja.

18 nëntor 2025, 11:27