Kërko

Kopertina e librit të Papës botuar nga LEV "Forca e Ungjillit" Kopertina e librit të Papës botuar nga LEV "Forca e Ungjillit"

Leoni XIV: ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër. Ky, ilaçi kundër çdo ekstremizmi

Është botuar sot, më 20 nëntor, nga Libreria Editrice Vaticana, libri i ri i Papës me titull: “Forca e Ungjillit. Feja e krishterë në 10 fjalë”. Vëllimi, i redaktuar nga Lorenzo Fazzini, është një përmbledhje e ndërhyrjeve dhe e fjalimeve të Leonit XIV me një tekst të pabotuar, hyrjen, të cilën e publikojmë më poshtë të plotë

Leoni XIV

Dhjetë fjalë. Dhjetë fjalë nuk janë shumë, por mund të hapin një bisedë mbi pasurinë e jetës së krishterë. Kështu, sa për ta filluar, nga këto dhjetë fjalë do të doja të zgjidhja tre, si pikënisje e një dialogu imagjinar me ata, që do t’i lexojnë këto faqe: Krishti, bashkimi, paqja. Në shikim të parë, mund të duken terma të shkëputura, jo të ndërlidhura. Por nuk është kështu. Ato mund të ndërthuren në një marrëdhënie që do të doja ta thelloja me ju, të dashur lexues, këtu, në mënyrë që të mund të kuptojmë së bashku risinë dhe rëndësinë e tyre.

Para së gjithash, qendërsia e Krishtit. Çdo i pagëzuar ka marrë dhuratën e takimit me Të. Është prekur nga drita dhe hiri i Tij. Feja është pikërisht kjo: jo përpjekja titanike për të arritur një Zot mbinatyror, por pranimi i Jezusit në jetën tonë, zbulimi se fytyra e Zotit nuk është larg zemrës sonë. Zoti nuk është as ndonjë qenie magjike, as ndonjë mister i panjohshëm, Ai u bë i afërt me ne në Jezusin, në atë Njeri lindur në Betlehem, vdekur në Jeruzalem, ringjallur dhe i gjallë sot. Sot! E misteri i krishterimit është se ky Zot dëshiron të bashkohet me ne, të bëhet i afërt me ne, të bëhet miku ynë. Që ne të bëhemi Ai.

Shën Augustini shkruan: «A e kuptoni, o vëllezër? A e kuptoni hirin që Zoti ka dikuar mbi ne? Mrekulllohuni, gëzohuni: jemi bërë Krisht! Nëse Krishti është kreu dhe ne gjymtyrët, njeriu i plotë është Ai dhe ne» (1). Feja e krishterë është pjesëmarrje në jetën hyjnore përmes përvojës së Jezusit bërë njeri. Në Të, Hyji nuk është më koncept apo enigmë, por një Person(Vetje) i afërt me ne. Augustini e përjetoi gjithë këtë në kthesën e tij, duke prekur me dorë forcën e miqësisë me Krishtin, që ia ndryshoi rrënjësisht jetën: «Ku isha kur të kërkoja? Ti ishe para meje, por unë isha larguar nga vetja dhe nuk e gjeja vetveten. Aq më pak të gjeja Ty» (2). Krishti, përveç kësaj, është zanafilla e bashkimit. E gjithë ekzistenca e Tij karakterizohet nga kjo dëshirë për të qenë urë: urë midis njerëzimit dhe Atit, urë midis njerëzve që takonte, urë midis Tij dhe të mënjanuarve. Kisha është shprehje e këtij bashkimi të Krishtit, që vazhdon në histori. E është bashkësi që në unitet jeton larminë.

Augustini përdor një imazh, atë të një kopshti, për të ilustruar bukurinë e një bashkësie besimtarësh, që e bën larminë e vet një pluralitet, që priret drejt uniteti dhe nuk bie në çrregullimin e konfuzionit: «Ka, vëllezër, ai kopsht i Hyjit, ka jo vetëm trëndafilat e martirëve, por edhe zambakët e virgjërave, dredhkën e bashkëshortëve dhe vjollcat e vejushave. Me një fjalë, shumë të dashur, në asnjë gjendje jete njerëzit të mos dyshojnë për thirrjen e tyre: Krishti vdiq për të gjithë. Me të vërtetë, për Të është shkruar: “Ai deshi që të shëlbohen gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së të vërtetës” (1 Tim 2,4)» (3). Ky pluralitet bëhet bashkim në të vetmin Krisht. Jezusi na bashkon përtej personaliteteve, prejardhjeve tona kulturore dhe gjeografike, gjuhës dhe historive tona. Uniteti që Ai vendos midis miqve të Tij është misteriozisht i frytshëm dhe u flet të gjithëve: «Kisha përbëhet nga të gjithë ata, që janë në harmoni me vëllezërit dhe që e duan të afërmin» (4).

Për këtë harmoni, për këtë mirëkuptim, për këtë vëllazërim, për këtë afërsi, të krishterët mund dhe duhet të jenë dëshmitarë në botën e sotme, të shënuar nga kaq shumë luftëra. Kjo nuk varet vetëm nga forcat tona, por është dhuratë nga Lart, dhuratë e atij Zoti që, me Shpirtin e Tij, na ka premtuar të jetë gjithmonë pranë nesh, i gjallë pranë nesh: «Njeriu e ka Shpirtin Shenjt, aq sa e do Kishën» (5). Kisha, shtëpi e popujve të ndryshëm, mund të bëhet shenjë se nuk jemi të dënuar të jetojmë në konflikt të përhershëm dhe mund të mishërojë ëndrrën e një njerëzimi të pajtuar, të paqëtuar, në mirëkuptim. Është një ëndërr, që e ka një themel: Jezusin, lutjen e Tij drejtuar Atit për unitetin e të tijve. Dhe nëse Jezusi i është lutur Atit, aq më shumë ne duhet t'i lutemi Atij që të na japë dhuratën e një bote të paqëtuar. Dhe, së fundi, nga Krishti dhe nga bashkimi, paqja. Që nuk është fryt i dhunës apo i shtypjes, nuk është e lidhur me urrejtjen apo hakmarrjen.

Është Krishti i Gjallë që, me plagët e Mundimeve të Tij, takon të tijtë duke thënë: «Paqja me ju». Shenjtorët kanë dëshmuar se dashuria e mund luftën, se vetëm mirësia e çarmatos pabesinë dhe se mospërdorimi i dhunës mund ta zhdukë shtypjen . Duhet ta shohim në sy botën: nuk mund të tolerojmë më padrejtësi strukturore për të cilat kush ka më shumë, ka gjithmonë më shumë, dhe anasjelltas kush ka më pak, bëhet gjithnjë e më i varfër. Ka rrezik që urrejtja dhe dhuna, si në një plan të pjerrët, të derdhen derisa mjerimi të përhapet ndër popuj: pikërisht dëshira për bashkim, njohja e njëri-tjetrit si vëllezër, është ilaç kundër çdo ekstremizmi. Atë Christian de Chergé, epror i manastirit të Tibhirine, shpallur i lum së bashku me tetëmbëdhjetë rregulltarë dhe murgesha martire në Algjeri, pasi përjetoi takimin ballë për ballë me terroristët, mori nga Krishti, në bashkim me Të dhe me gjithë bijtë e Zotit, dhuratën për të shkruar fjalë, që na flasin edhe sot, sepse vijnë nga Hyji. Duke e pyetur veten se çfarë lutjeje mund t'i drejtonte Zotit pas një sprove kaq të vështirë, duke folur për ata që kishin pushtuar me dhunë manastirin, shkroi: «A kam të drejtë të kërkoj "çarmatose", nëse nuk filloj të kërkoj të "çarmatosem unë" dhe të "çarmatosemi ne", si bashkësi? Është lutja ime e përditshme». Pikërisht në të njëjtën tokë të Afrikës së Veriut, rreth 1600 vjet më parë, shën Augustini theksonte: «Të jetojmë mirë dhe kohët do të jenë të mira. Ne jemi kohët» (6). Kohën tonë mund ta përcaktojmë ne, me dëshminë, me lutjen drejtuar Shpirtit Shenjt që të na bëjë burra dhe gra përhapëse të paqes, duke pranuar hirin e Krishtit dhe duke shpërndarë në botë aromën e dashurisë dhe të mëshirës së Tij. «Ne jemi kohët»: të mos na kapë dëshpërimi përballë dhunës që shohim; t'i kërkojmë Zotit Atë, çdo ditë, forcën e Shpirtit Shenjt për të bërë të shkëlqejë në errësirën e historisë flaka e gjallë e paqes.

Qytet i Vatikanit, 16 tetor 2025

 

SHËNIME

1 Sant’Agostino, Commento al Vangelo di Giovanni, 21,8

2 Id., Confessioni, V, 2, 2

3 Id., Discorsi, 304, 3

4 Ivi, 359, 9

5 Id., Commento al Vangelo di Giovanni, 32, 8,8

6 Id., Discorsi, 80, 8

20 nëntor 2025, 13:27