Leoni XIV: nga 25 deri më 27 shtator 2026 Dita Botërore e Fëmijëve
R.SH. / Vatikan
Gjatë audiencës së përgjithshme të 19 nëntorit, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV njoftoi se edicioni i dytë i Ditës Botërore të Fëmijëve do të mbahet në Romë nga 25 deri më 27 shtator 2026. Dita Botërore e Fëmijëve, e promovuar nga Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, do të jetë një moment takimi, lutjeje dhe feste që do të përfshijë më të vegjlit së bashku me familjet e tyre, nga çdo anë e botës. Në fund të audiencës së përgjithshme, Majd Bernard, 7 vjeç nga Gaza, dhe At Enzo Fortunato prezantuan dhe i treguan Papës Prevost flamurin me logon zyrtare të edicionit të ardhshëm të Ditës Botërore të Fëmijëve 2026. Papa më pas bekoi dhe firmosi flamurin, i cili u bë kështu simbol i rrugëtimit që do të çojë në takimin e vitit 2026.
Bukuria e paqes
"Në Ditën Botërore të Fëmijëve të ardhshme, Kisha dëshiron t'i kushtojë përsëri një vëmendje të veçantë botës së fëmijërisë dhe mjedisit natyror në të cilin fëmijët jetojnë dhe rriten, pra familjes", deklaroi prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, kardinali Kevin Farrell. "Fëmijëve duhet t'u tregohet bukuria e paqes, paqja e jetuar para së gjithash në familjet e tyre, në mjediset që frekuentojnë dhe në të gjithë botën. Fëmijët e kuptojnë mirë vlerën e paqes dhe vuajnë shumë kur perceptojnë tensione dhe konflikte rreth tyre, duke filluar nga prindërit ose në mjedisin përreth. Prandaj, shpresojmë që Dita e ardhshme Botërore e Fëmijëve të jetë një mundësi e mirë që Kisha të tregohet afër fëmijëve dhe familjeve të tyre, duke u dhënë atyre shpresë dhe gëzim".
"Falënderoj Atin e Shenjtë dhe kardinalin Kevin Farrell për vëmendjen dhe dashurinë ndaj kësaj dite kaq të rëndësishme për Kishën dhe shoqërinë. Fëmijët me familjet e tyre do të jetojnë ditë të pasura me shumë dëgjime, dëshmi dhe bashkëndarje. Së bashku me Papa Leonin – deklaroi At Enzo Fortunato – do të themi se një e ardhme më e mirë është e mundur. Të dhënat e organizatave ndërkombëtare flasin qartë: në botë jetojnë mbi dy miliardë fëmijë, çdo ditë rreth 13 mijë nën pesë vjeç humbin jetën nga shkaqe të parandalueshme dhe miliona jetojnë në zona konflikti, ku lufta pengon ndërtimin e një të ardhmeje".
Logoja
Gjurmët në qendër të logos së Ditës Botërore të Fëmijëve kujtojnë gjestet e thjeshta dhe autentike të fëmijërisë, shenjë e universalitetit dhe pastërtisë së më të vegjëlve. Ngjyrat e ndryshme përfaqësojnë shumëllojshmërinë e kulturave që, të bashkuara, përbëjnë një harmoni të aftë për të mirëpritur dhe vlerësuar ndryshimet. Shtatë gjurmët i referohen shtatë kontinenteve, ndërsa Kupola e Shën Pjetrit, simbol i selisë së përhershme të Ditës, shfaqet si një përqafim që mirëpret dhe mbron fëmijët e të gjithë botës, me kryqin që kujton pasionin dhe ringjalljen e Krishtit.
Edicioni i parë
Edicioni i parë i Ditës Botërore të Fëmijëve, i zhvilluar në vitin 2024, pa pjesëmarrjen e rreth 100 mijë fëmijëve nga 101 vende të ndryshme të botës. Me edicionin e dytë të vitit 2026, Kisha rinovon angazhimin e saj për të dëgjuar dhe vlerësuar zërin e më të vegjëlve, protagonistë të një bote që dëshiron paqe, mirëpritje dhe të ardhme.
