Papa Leoni XIV: "Të ruhemi nga çdo instrumentalizim i fesë"
R.SH. – Vatikan
"Përshpirtëria mariane, që e ushqen fenë tonë, ka Jezusin në qendër. Ashtu si e diela, e cila hap çdo javë të re në horizontin e Ringjalljes së tij prej së vdekurish. Kujtohu për Jezu Krishtin: vetëm kjo ka rëndësi, kjo përbën ndryshimin ndërmjet përshpirtërive njerëzore dhe udhës së Zotit". Papa Leoni XIV e theksoi këtë sot paradite, gjatë homelisë së meshës për Jubileun e Përshpirtërisë Mariane, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur plot me mijëra besimtarë.
"Jezusi - shpjegoi Leoni XIV - është besnikëria e Zotit, besnikëria e Zotit ndaj vetvetes. Prandaj, e diela duhet të na bëjë të krishterë, domethënë të na i mbushë ndjenjat dhe mendimet tona me kujtesën e zjarrtë të Jezusit, duke e ndryshuar mënyrën tonë të bashkëjetesës, mënyrën për ta banuar tokën. Çdo përshpirtëri e krishterë zë fill nga ky zjarr dhe kontribuon për ta bërë atë më të ndezur".
Përshpirtëria mariane është në shërbim të Ungjillit
Duke komentuar shërimin e Naamanit, që – siç tregon Bibla - ndodhi falë Elizeut profet, i cili e urdhëroi të lahej shtatë herë në lumin Jordan për t'u shëruar nga lebra e, duke e lidhur me shërimin e dhjetë të gërbulurve nga Jezu Krishti, treguar në Ungjillin e sotëm sipas Lukës, nga të cilët vetëm njëri u kthye tek Biri i Zotit për ta falënderuar, Papa vërejti se Jezu Krishti jep gjithçka falas, pa u mburrur me tituj e pozitë, duke dëshmuar kështu dashurinë e tij për të tjerët.
“Zoti është dhuratë e pastër, hir i pastër, por sa zëra dhe bindje mund të na ndajnë edhe sot nga kjo e vërtetë e qartë dhe tronditëse! Përshpirtëria mariane është në shërbim të Ungjillit: zbulon thjeshtësinë e tij. Dashuria për Marinë e Nazaretit na bën dishepuj të Jezusit me të, na edukon të kthehemi tek Ai, të meditojmë dhe t’i lidhim ngjarjet e jetës në të cilat i Ringjalluri ende na viziton dhe na thërret. Përshpirtëria mariane na zhyt në historinë mbi të cilën u hap qielli, na ndihmon t’i shohim mendjemëdhenjtë të humbur në mendimet e zemrave të tyre; të pushtetshmit, të rrëzuar nga fronet; të pasurit, të kthyer mbrapsht duarbosh. Na impenjon për t’i mbushur me të mira të uriturit, për t’i lartuar të përvuajturit, për të kujtuar mëshirën e Zotit dhe për të besuar në fuqinë e krahut të Tij. Mbretëria e Tij vjen duke na përfshirë, ashtu siç i kërkoi Marisë “po”-në e shqiptuar një herë dhe pastaj, të përsëritur ditë pas dite”.
Rruga e Marisë është pas Jezusit
“Të gërbulurit e Ungjillit, që nuk kthehen për të falënderuar - vazhdoi Papa në homeli - na kujtojnë se hiri i Tënzot mund të na arrijë e të mos gjejë përgjigje, mund të na shërojë e të mos na bëjë përshtypje. Prandaj, të ruhemi nga ajo ngjitje në tempull, që nuk na vë në gjurmët e Jezusit. Ka forma kulti, që nuk na lidhin me të tjerët dhe na i mpijnë zemrat. Atëherë, nuk përjetojmë takime të vërteta me ata, që Zoti i vendos në rrugën tonë; nuk marrim pjesë, siç bëri Maria, në ndryshimin e botës dhe në gëzimin e Magnificat-it. Të ruhemi nga çdo instumentalizim i fesë, i cili ka rrezik t’i shndërrojë njerëzit e ndryshëm – shpesh të varfër – në armiq, në lebrozë, që duhen shmangur dhe hedhur poshtë”.
“Rruga e Marisë - përfundoi Papa Leoni XIV - është pas Jezusit e, ajo e Jezusit është drejt çdo qenieje njerëzore, veçanërisht drejt të varfërve, të lënduarve dhe mëkatarëve. Për këtë arsye, përshpirtëria e vërtetë mariane e bën të pranishme në Kishë butësinë e Zotit dhe amësinë e saj. Në këtë botë të etur për drejtësi dhe paqe, ta mbajmë gjallë përshpirtërinë e krishterë, përkushtimin popullor ndaj atyre ngjarjeve dhe vendeve që, të bekuara nga Zoti, e kanë ndryshuar përgjithmonë fytyrën e tokës. Le t’i bëjmë ato motor ripërtëritjeje dhe transformimi, siç e kërkon Jubileu, kohë kthese dhe ripërtëritjeje, kohë për ta rimenduar jetën e për t’u çliruar” nga mëkatet e barrët e rënda.
Lutja për paqen
Kujtojmë se në altarin e Sheshit të Shën Pjetrit ishte sot e pranishme shtatorja origjinale e Zojës së Fatimës, e cila është sjellë në Romë që dje, me rastin e Jubileut të Përshpirtërisë Mariane. Ndodhej në shesh edhe mbrëmë, gjatë Rruzares për paqen në botë, kryesuar pikërisht nga Papa Leoni XIV. Edhe sot, Ati i Shenjtë e përfundoi kremtimin me aktin e besimit në duart e Shën Marisë Virgjër, duke ia lënë Zemrës së saj të Papërlyer "gjithë njerëzimin", veçanërisht, "bijtë e munduar nga plaga e luftës" e duke e lutur për "dhuratën e paqes, për të cilën i përgjërohemi".
