Kërko

2025.07.29 Influencer e Missionari Digitali

Më 1 tetor, Papa do të flasë në konferencën e Lëvizjes Laudato Si' mbi klimën

Në 10-vjetorin e enciklikës së Papës Françesku, Leoni XIV do të marrë pjesë në takimin ndërkombëtar me temë "Raising Hope for Climate Justice" me mbi 400 udhëheqës fetarë, ekspertë të klimës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucione nga e gjithë bota

R.SH. – Vatikan

Në Castel Gandolfo, në Qendrën Mariapolis të fokolarinëve, të mërkurën, më 1 tetor, do të mbahet takimi "Raising Hope for Climate Justice" (Të shtojmë shpresën për drejtësi klimatike”. Kjo konferencë ndërkombëtare, e promovuar nga Lëvizja Laudato si', në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm kishtarë dhe institucionalë, do të shënojë 10-vjetorin e enciklikës së Papës Françesku, kushtuar kujdesit për Krijimin. Një njoftim për shtyp sqaron se ngjarja, e planifikuar deri më 3 tetor, do të mbledhë së bashku mbi 400 udhëheqës fetarë, ekspertë të klimës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve nga e gjithë bota, me qëllim përcaktimin e hapave të ardhshëm për kthesën ekologjike të botës, në dritën e mësimeve të Kishës.

Papa Leoni XIV do të kryesojë "Kremtimin e Shpresës" të mërkurën pasdite. Sesioni do të përfshijë disa dëshmi, përfshirë atë të ministres së Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike të Brazilit, Marina Silva, si edhe të ish-guvernatorit të Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, i cili është përfshirë prej kohësh në nisma për mbrojtjen e Krijimit. Pas fjalimit të Papës, do të ketë një moment simbolik dhe shpirtëror për impenjimin e përbashkët, ndjekur nga takimi me një grup pjesëmarrësish në konferencë. Më 2 dhe 3 tetor, do të mbahen sesione pune, tryeza të rrumbullakta dhe lutje. Me këtë veprimtari përfundon Koha e Krijimit, filluar më 1 shtator, ndërsa më 4 tetor, në festën e Shën Françeskut të Asizit, kremtohet Dita Botërore e Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit.

25 shtator 2025, 13:09