Castel Gandolfo, strehë verore e Papës
R.SH. / Vatikan
Ishte 10 maji 1626 kur Papa Urbani VIII Barberini kaloi pushimet e para të një Pape në Castel Gandolfo. Që atëherë e deri në ditët e sotme, qyteti i Lacios i priti gjithnjë Papët në periudhën e verës.
Mbi rrënojat e Vilës së Domicianit
Vilat Papnore të Castel Gandolfos u ndërtuan mbi rrënojat e vilës madhështore romake të perandorit Domician (81–96 pas Krishtit), Albanum Domitiani, e cila shtrihej për 14 kilometra katrore deri në Liqenin Albano. Në Mesjetë, familja gjenoveze Gandolfi ndërtoi mbi rrënojat një kështjellë, që më pas i kaloi Savelli-t, i cili e mbajti deri në vitin 1596. Pas këtij viti pronarët e fundit, të falimentuar, u shpronësuan nga Dhoma Apostolike dhe, në vitin 1604, Castel Gandolfo u përfshi në pasuritë e Selisë së Shenjtë.
Historia e strehës verore papnore
Me dëshirën e Papës Barberini, Kalaja e lashtë u shndërrua në strehë verore: punimet iu besuan Carlo Madernos; dekorimet artistike Simone Lagi-t. Gjatë shekujve, Papët e zgjeruan dhe e pasuruan rezidencën: Aleksandri VII, me kontributin e Berninit; Klementi XIV, me blerjen e Vilës Cybo aty pranë dhe Pali V, me restaurimin e ujësjellësve. Më pas, një periudhë e gjatë braktisjeje, rreth 60 vjet, nisi pas vitit 1870, me fundin e Shteteve Papnore. Vila mbeti e vetmuar për rreth 60 vjet.
Kopshtet dhe Observatori Astronomik
Falë Pakteve Lateranense të vitit 1929, Castel Gandolfo u rikthye në funksionin e saj, duke mirëpritur Papët gjatë stinës së ngrohtë. U kryen punime të rëndësishme restaurimi, u krijuan lidhje ndërmjet tre parqeve: Giardino del Moro, Villa Cybo dhe Villa Barberini. Në vitin 1934, Observatori Astronomik i Vatikanit u transferua dhe iu besua Etërve Jezuitë, pasi rajonit përreth i mungonte errësira e nevojshme e natës për vëzhgimet e kupolës qiellore.
Pritja e Leonit XIV
Papa i fundit që banoi në qytetin e Lacios, ishte Benedikti XVI në javët para transferimit në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan. Tani kështjellarët, të lidhur prej shekujsh me Pasardhësin e Pjetrit, po presin Leonin XIV, i cili do të qëndrojë në mes blerimeve nga 6 deri më 20 korrik dhe nga 15 deri më 17 gusht.
Ati i Shenjtë e ka vizituar dy herë qytezën e Castelli Romani: më 29 maj të vitit të kaluar, kur shkoi në Borgo Laudato Sì dhe në Pallatin Apostolik.
E, më pas, më 3 korrik po të vitit të kaluar, kur u kthye për të shqyrtuar gjendjen e punimeve në Villa Barberini e cila, me shtesat dhe kopshtet e veta të blerta, do të rezervohet për qëndrimin e tij. Ndërkaq, Antikuariumi, i vendosur në katin përdhes të ndërtesës, do të mbetet i mbyllur për publikun. Vendi, i cili ruan gjetje të vlefshme arkeologjike të zbuluara në zonë ndërmjet viteve 1841 dhe 1931, deri tani përfshihej në ofertën muzeale të vendosur në vitin 2016 nga Françesku.
Papa argjentinas e vizitoi tri herë Castel Gandolfon, por pa qëndruar aty. Herën e parë ishte më 23 mars 2013, gjatë qëndrimit të Benediktit XVI. Vendimi për të krijuar Borgo Laudato Si' u mor në shkurt të vitit 2023: u këmbëngul për disa zona në kopshtet e Vilave Papnore, përfshirë Vilën Cybo, dhe u mendua për aktivitete edukative e sociale lidhur me formimin e gjithanshëm.
Hapja për publikun
Zemra e Qendrës së Muzeut, është Pallati Apostolik. Bileta e hyrjes, që mund të blihet në zyrën e biletave të Pallatit Apostolik ose në faqen e internetit të Muzeve të Vatikanit, të çon në galerinë e shkëlqyer, në katin e parë, me portretet e të gjithë Papëve nga viti 1500 - deri në ditët e sotme, ose në dhomat e katit të dytë, ku jetohej jeta e përditshme e Papëve. Dikur në këto dhoma mund të shkelnin vetëm bashkëpunëtorët më të ngushtë. Ishin: Salla e Koncistorit, Salla e Dhëndurve, Dhoma e Fronit ose Salla e Zvicrës, dhoma e gjumit, kapela private me kopjen e Zojës së Czestochowa-s, biblioteka, studioja.
Vila Barberini, rezidenca që do të presë Leonin XIV
Ndryshe nga paraardhësit e tij, Leoni XIV nuk do të qëndrojë në Pallatin Apostolik, por në Vilën Barberini e cila, me shtrirjen e saj të madhe territoriale, deri tani kishte funksionin e parkut. Fillimisht ishte pallat i vogël, i ndërtuar nga Scipione Visconti në shekullin e 17-të, në vendin e njohur në atë kohë si "Mompecchio". Në vitin 1630 u ble nga Taddeo Barberini, nipi i Urbanit VIII, i cili e zgjeroi strukturën dhe e riorganizoi kopshtin, duke e pasuruar atë me ullishte, pemishte, gardhe dhe një “shëtitore” shtruar me gurë shkëmborë sipër kriptoportikut të vilës së Domicianit.
Kjo është pamja, që do ta njohim edhe më hollësisht, duke ndjekur pushimet verore të Papës Leoni XIV.
