Papa: në kohë lufte, të krishterët të jenë dëshmitarë të besueshëm të unitetit
R.SH. / Vatikan
Një shembull për t'u ndjekur në udhën e dialogut ekumenik, që tregon urgjencën e unitetit midis të krishterëve ndërsa muret e të gjitha llojeve po ngrihen në botë. Fortlumturisë së Tij Joanit, Kryepeshkopit Ortodoks të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Papa Françesku i tregon si model paraardhësin e tij, Anastasin, i cili vdiq në Athinë më 25 janar, dëshmitar, thotë Papa, i një zelli apostolik që “la një trashëgimi të thellë dhe të qëndrueshme në Shqipëri”, veçanërisht në promovimin e traditës së përbashkët paqësore midis burrave e grave që i përkasin Kishave dhe traditave të ndryshme fetare”.
Dialog përtej ndarjeve
Françesku i shkruan primatit të ri ortodoks, zgjedhur më 16 marsin r kaluar, me rastin e ceremonisë së fronëzimit, në të cilin mori pjesë një Delegacion i Vatikanit, i kryesuar nga Imzot Flavio Pace, Sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, përbërë nga Imzot Andrea Palesteri, zëvendëssekretar i njëjtit Dikaster, dhe nga i ngarkuari me punë pranë Nunciaturës Apostolike në Tiranë.
Në mesazhin – dorëzuar nga Imzot Pace - Papa siguron Fortlumturinë e Tij Joan për lutjet e tij për shërbesën që po fillon tani, duke thënë se është i sigurt për vullnetin e tij për të "promovuar dialogun si një mjet për të kapërcyer ndarjet" dhe për të "kërkuar bashkimin e plotë midis të gjithë dishepujve të Krishtit". Në këto “kohë të vështira të shënuara nga lufta dhe dhuna, është edhe më urgjente”, thekson Papa Françesku, “që të krishterët të japin një dëshmi të besueshme të unitetit, në mënyrë që bota të mund të përqafojë plotësisht mesazhin ungjillor të solidaritetit vëllazëror dhe të paqes”.
Drejt unitetit
Papa i bën thirrje "përgjegjësisë për të vazhduar së bashku" për ta bërë "gjithnjë më të dukshëm" atë bashkim, i cili "ndonëse fatkeqësisht ende nuk është i përfunduar", megjithatë "tashmë na bashkon". Dhe përfundon me shpresën se nën drejtimin e primatit Joan "marrëdhëniet midis Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kishës Katolike do të rriten më tej, duke kërkuar forma të reja bashkëpunimi të frytshëm në shpalljen e Ungjillit, në shërbim të atyre që kanë më shumë nevojë dhe duke ripërtërirë angazhimin tonë për zgjidhjen e çështjeve që ende na ndajnë përmes dialogut të dashurisë dhe së vërtetës".